Më 15 qershor planifikohet protestë në Shkup kundër pandëshkueshmërisë për dhunën ndaj kafshëve
Shoqata Qyteti i Gjelbër Human, së bashku me shoqata aktiviste dhe grupe për mbrojtjen e kafshëve nga e gjithë Maqedonia, bën thirrje për protestë të dielën e 15 qershorit, kundër siç thonë ata pandëshkueshmërisë për dhunën ndaj kafshëve, transmeton Portalb.mk. “Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave të saj në çështjen e Feliks. Pavarësisht provave të […]


Shoqata Qyteti i Gjelbër Human, së bashku me shoqata aktiviste dhe grupe për mbrojtjen e kafshëve nga e gjithë Maqedonia, bën thirrje për protestë të dielën e 15 qershorit, kundër siç thonë ata pandëshkueshmërisë për dhunën ndaj kafshëve, transmeton Portalb.mk.
“Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave të saj në çështjen e Feliks. Pavarësisht provave të shumta të pakundërshtueshme, përfshirë videot që tregojnë vrasjen brutale të një krijese të pafajshme – vrasësit shihen duke e tërhequr zvarrë të lidhur me tel për ta hedhur trupin e tij të deformuar nga një rrahje brutale, në një kontenier plehrash! – asnjë herë fytyrat e tyre në sallën e gjyqit nuk treguan asnjë grimë pendimi!
Përkundrazi, ata jo vetëm që këmbëngulën se nuk ishin fajtorë, por nga ajo që kanë dëgjuar nga mbrojtja deri më tani – ata do të pretendojnë se Feliks ” vetë e kërkonte ta vrisnin” sepse kishte bërë nevojat para gardhit të tyre!!! Kjo ngjarje e tmerrshme nuk është e izoluar! Është vetëm një tjetër në një seri dëshmish rreth dështimit sistemik në mbrojtjen e kafshëve, përtacisë së institucioneve dhe mungesës së ndëshkimit për dhunën ndaj të dobëtve”, thonë nga Qyteti i Gjelbër Human.
Ata shtojnë se qeni Feliks, për fat të keq, nuk është rasti i parë i një vrasjeje të tmerrshme.
“Kujtojmë Idrizin, Rexin, Belkën, Tomin, Milën dhe mijëra viktima të tjera të njohura dhe të panjohura të devijimit dhe ligësisë njerëzore. Asnjë nga këto viktima nuk u dënua me burg! Mjaft! Është koha që institucionet maqedonase të dalin nga vorbulla e paligjshmërisë dhe të tregojnë se janë të afta të na ofrojnë drejtësi dhe mbrojtje. Vrasësit e dhunshëm nuk kanë vend në liri! Ata janë një kërcënim për sigurinë e secilit prej nesh!
Prandaj, më 15 qershor (e diel) ju bëjmë thirrje për protestë paqësore, por të zhurmshme dhe masive! Kur një vrasje – forma më e rëndë e krimit – mbetet e pandëshkuar, ajo është një shkelje serioze e rendit ligjor dhe moral në të gjithë shoqërinë. Kur një vrasës mbetet i lirë, humbet besimi në institucione (polici, prokurori, gjyqësor), dërgohet mesazh se jeta nuk ka vlerë, inkurajohet një kulturë frike dhe heshtjeje, në vend të drejtësisë dhe përgjegjësisë, dhe dhuna normalizohet! Kur nuk ka ndëshkim, ka përsëritje!”, thuhet më tej në reagim.
Detajet rreth kohës së saktë të protestës dhe itinerarit do të shpallen së shpejti. Protesta organizohet nga iniciativa qytetare Qyteti i gjelbër human së bashku me shoqata aktiviste dhe grupe për mbrojtjen e kafshëve nga e gjithë Maqedonia.
Më 16 janar, Prokuroria Themelore Publike ngriti padi kundër dy personave për veprën penale të vrasjes dhe torturimit të kafshëve. Prokuroria tha se duke marrë parasysh para së gjithash ankthin publik të shkaktuar nga video e torturimit të një qeni në Momin Potok, menjëherë pas paraqitjes së kallëzimit penal janë ndërmarrë veprime dhe është mbledhur i gjithë materiali dëshmues.
Siç thuhet nga Prokuroria, më datë 19.11.2024, dy bashkëkryesit e kanë ekspozuar atë në vuajtje të panevojshme dhe i kanë shkaktuar dhimbje të panevojshme, duke ekspozuar në vuajtje qenin Feliks, mashkull i zi, rreth një vjeç.