Osmani: Ndryshimi VLEN: Përfaqësimi i vërtetë vjen, dikush mund të arratiset!

Granit Osmani Ndryshimi VLEN, përfaqësimi i drejtë bëhet ralitet tani fillon paniku të “patriotët” Për më shumë se njëzet vjet, qytetarët shqiptarë janë ushqyer me premtime të përsëritura për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, ndërkohë që institucionet zyrtare mbusheshin me deklarues të rremë, me emra të konvertuar në letër dhe me përfaqësues që nuk përfaqësonin […]

qershor 23, 2025 - 23:15
 0
Osmani: Ndryshimi VLEN: Përfaqësimi i vërtetë vjen, dikush mund të arratiset!

Granit Osmani

Ndryshimi VLEN, përfaqësimi i drejtë bëhet ralitet tani fillon paniku të “patriotët”

Për më shumë se njëzet vjet, qytetarët shqiptarë janë ushqyer me premtime të përsëritura për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, ndërkohë që institucionet zyrtare mbusheshin me deklarues të rremë, me emra të konvertuar në letër dhe me përfaqësues që nuk përfaqësonin askënd përveç vetes dhe partisë që i kishte futur aty. Dhe në gjithë këtë komedi institucionale, qeveritë e kaluara nuk qenë spektatorë por ishin regjisorë.

Ata që për vite thirreshin në emër të barazisë, nuk bënë gjë tjetër veçse prodhuan një sistem që e maskonte padrejtësinë me shifra të fryra dhe statistika të manipuluara. Balancuesi etnik, që duhej të ishte mekanizëm barazimi, u kthye në instrument falsifikimi një llogari abstrakte, që u shërbente të njëjtëve emra për të ruajtur të njëjtin status quo.

Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat që pritet të miratohet, është ndoshta shembulli më konkret se si një qeveri që përfaqëson realisht qytetarët e saj mund të vendosë drejtësi aty ku për dekada është mbjellë manipulim. Ky nuk është ligj teknokratësh. Është një akt politik me ngarkesë të thellë morale dhe historike. Është prova se kur përfaqësimi politik është i pastër dhe pa ndërmjetës, ligji bëhet realitet dhe shteti fillon të funksionojë për qytetarin, jo për klanet.

Për vite të tëra, shqiptarët janë numëruar në letër, por janë zhdukur nga realiteti institucional. Janë quajtur të përfaqësuar, ndërkohë që nuk kanë pasur zë. U është thënë se janë të barabartë, ndërkohë që në çdo konkurs pune, emërim publik apo ngritje karriere, barazia ka qenë veçse fjali e zbrazët në ndonjë raport ndërkombëtar.

Tani, përcaktimi i përkatësisë etnike nuk do të jetë më lojë me deklarata. Do të bazohet në kritere konkrete gjuha në dokumentet zyrtare, emri dhe mbiemri sipas ligjit duke i dhënë fund një epoke ku “shqiptarët” në administratë shpesh nuk ishin shqiptarë, por qytetarë që dinin të përdorin sistemin për të kaluar si të tillë. Ky ishte mashtrimi i ligjshëm që qeveritë e kaluara e toleruan me heshtje, sepse u konvenonte.

Dhe këtu ndryshimi është rrënjësor. Për herë të parë, Trupi Koordinues me kompetenca ekzekutive do të jetë brenda vetë qeverisë jo në ndonjë zyrë periferike apo komision formal, por në zemër të pushtetit që mban përgjegjësi. Tani nuk ka më justifikime. As përqindjet nuk do të jenë më aritmetikë politike, por pasqyrim real i strukturës etnike të shoqërisë.

Ky nuk është një ndryshim i vogël. Ky është ndërrimi i një filozofie të tërë qeverisëse nga mashtrimi i sofistikuar institucional te zbatimi i drejtë dhe transparent i parimeve kushtetuese. Dhe kjo ndodh vetëm kur në pushtet vjen një përfaqësim që nuk ka nevojë të luajë me identitetin, sepse ai është vetë zëri autentik i atyre që për vite janë injoruar.

Ata që për vite mbajtën pushtetin në emër të shqiptarëve, nuk bënë gjë tjetër veçse e tregtuan atë për privilegje personale. Patriotizmi i tyre ishte sa për poster elektoral. Barazia e tyre ishte e filtruar përmes pazareve të brendshme. Sot, është pikërisht ky ligj që i zbulon të zhveshur nga çdo pretendim moral. Sepse përfaqësimi i vërtetë nuk bëhet me flamuj në konferenca shtypi, por me mekanizma që garantojnë barazi në çdo zyrë shtetërore.

Ky ligj nuk është hakmarrje, por drejtësi. Nuk është shpagim, por korrigjim. Nuk është retorikë, por mekanizëm funksional. Dhe në këtë pikë, ai përfaqëson jo vetëm një kapitull të ri, por një ndarje të prerë me të kaluarën e kapur nga mashtrimi dhe paaftësia.

Ndryshimi ka filluar. Dhe ky ndryshim VLEN. Sepse është i vërtetë, i matshëm dhe i drejtë. Dhe për ata që për vite përdorën pushtetin për ta deformuar barazinë, ky është fundi i një epoke dhe fillimi i llogaridhënies. Dikush edhe mund të arratiset!