Ligji për përfaqësim të drejtë nesër në Qeveri, opozita akuzon se i njëjti nuk garanton përfaqësim të drejtë

Nesër në Qeveri pritet të shqyrtohet draftligji për përfaqësim të drejtë. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita. Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Evropian e kritikojnë për mungesë transparence dhe për përmbajtje që, sipas tyre, cenon parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë të komuniteteve. Ata kundërshtojnë heqjen e mekanizmit […]

qershor 23, 2025 - 19:45
 0
Ligji për përfaqësim të drejtë nesër në Qeveri, opozita akuzon se i njëjti nuk garanton përfaqësim të drejtë
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nesër në Qeveri pritet të shqyrtohet draftligji për përfaqësim të drejtë. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita. Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Evropian e kritikojnë për mungesë transparence dhe për përmbajtje që, sipas tyre, cenon parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë të komuniteteve. Ata kundërshtojnë heqjen e mekanizmit të balancuesit dhe mungesën e një kalkulatori proporcional dhe masave ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin. Pushteti, nga ana tjetër, mbron ligjin si garantues të barazisë për të gjitha komunitetet, transmeton Portalb.mk.

“Ligji për përfaqësim të drejtë është bllokuar ose më saktë përmes një procesi prej dhjetë muajsh, në fshehtësi të lartë, nesër pritet të miratohet propozim-ligj që nuk ka të bëjë me përfaqësimin por me nënçmimin dhe degradimin e plotë të shtyllës kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe të bashkësive të tjera”, tha Blerim Bexheti, Fronti Evropian.

Aleanca për Shqiptarët nga ana tjetër thotë se përmbajtja e propozimligjit është shqetësues. Ata shtojnë se ky propozim përfaqëson një hap prapa në respektimin e një prej parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut: përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.

“Mungesa e mekanizmave detyrues për zbatim, konkretisht mospërfshirja e një kalkulatori proporcional bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, është një mangësi thelbësore e këtij propozimligji. Gjithashtu, mungojnë dispozita që kërkojnë që çdo konkurs pune në sektorin publik të kalojë përmes këtij kalkulimi, si dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, gjë që e bën këtë iniciativë joefektive dhe jofunksionale në praktikë Delegimi i kompetencave tek një “trup koordinues” pa mandat ekzekutiv, pa pavarësi institucionale dhe pa mjetet e nevojshme për mbikëqyrje dhe zbatim të ligjit, nuk garanton avancimin e përfaqësimit të drejtë. Përkundrazi, ky trup do të ketë më shumë rol simbolik dhe deklarativ, pa kapacitet për të ndikuar realisht në proceset e punësimit dhe përfaqësimit institucional. Zëvendësimi i mekanizmit të balancuesit me një strukturë formale pa fuqi reale është kthim në të kaluarën dhe vë në rrezik karakterin multietnik dhe demokratik të shtetit”, thonë nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët kërkon rikthimin e kalkulatorit proporcional si mekanizëm të detyrueshëm për çdo institucion publik në proceset e punësimit, në përputhje me të dhënat zyrtare të regjistrimit dhe me Kushtetutën. Gjithashtu, kërkojnë vendosjen e masave konkrete ligjore ndaj institucioneve që nuk zbatojnë përfaqësimin e drejtë, përfshirë ndalimin e punësimeve të reja, si dhe përgjegjësi administrative dhe penale për drejtuesit përkatës.

Përfaqësuesi i VLEN-it, Bekim Qoku ndërkohë thotë se ligji pretendon të ketë barazi dhe garancë për përfaqësim të drejtë.

“Ligjin e presin nesër të kaloj në Qeveri, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një ligj i pritur tash e 20 e ca vjet, do të kaloj nesër në Qeveri, pas asaj e presim që të vijë në procedurë parlamentare. Ligji prandaj bëhet, ka karakter universal dhe pretendon të ketë barazi sepse para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe ai bëhet që të garantoj një përfaqësi të drejtë për të gjitha komunitetet, përfshirë komunitetin maqedonas, shqiptar, turk e kështu me radhë”, tha Qoku.

Procesit të përpilimit të kësaj zgjidhje ligjore që nga fillimi i ka munguar transparenca. Fillimisht u premtua debat publik. Mirëpo, opinioni nuk pa asnjë debat publik për ligjin. Nga një prolongim në tjetër, procesi hodhi dyshime në opinion për një ligj të dobët dhe jo në dobi të shqiptarëve. 

Kujtojmë se, Portalb.mk, jo nga transparenca e bartësve politik të procesit, por nga burime tjera ka njoftuar se ekipin që punon në zgjidhjen ligjore e përbëjnë: Tanja KarakamishevaAleksandar SpasenovskiDenis Preshova, Jeton Shasivari dhe Mersim Maksuti.

Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afatePortalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. 

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.