Shqetësim i thellë lidhur me punimet në zonën e ish-Monopolit të Tetovës, alarmoi HUTA
Në lidhje me zhvillimet e fundit që po ndodhin në zonën e ish-Monopolit në Tetovë, ka reaguar edhe Organizata për Kulturë dhe Mbrojtje të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore HUTA, transmeton Portalb.mk. “I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që të ndërhyjnë me urgjencë për të […]


Në lidhje me zhvillimet e fundit që po ndodhin në zonën e ish-Monopolit në Tetovë, ka reaguar edhe Organizata për Kulturë dhe Mbrojtje të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore HUTA, transmeton Portalb.mk.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që të ndërhyjnë me urgjencë për të mbikëqyrur procesin dhe për të hetuar ligjshmërinë e lejeve të ndërtimit në këtë zonë”, deklaruan nga HUTA, duke shtuar që kjo kërkesë është dërguar edhe te institucionet përkatëse në Shqipëri e Kosovë, te Ambasada e SHBA-së, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
Ata kanë kërkuar që në atë hapësirë të vendoset një pllakë përkujtimore në nderim të 10 mijë shqiptarëve të masakruar nga partizanët jugosllavë.
“Mënyra jo transparente e zhvillimit të punimeve në këtë vend na shtyn të dyshojmë se, edhe nëse do të gjendeshin mbetje mortore të viktimave shqiptare, ekziston rreziku që ato të mos evidentohen apo të mos bëhen publike”, paralajmëroi HUTA.
Në muajin mars 2025 opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa.
Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi.
Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal aktual i Tetovës, shumicën e të cilit e përbëjnë Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.
Pra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.
Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.