Diskriminim edhe në medalje: Qeveria e RMV-së dekoroi sportistët, harroi shqiptarët

Asnjë sportist shqiptar nuk gjendet në mesin e 22 sportistëve të dekoruar me medalje për arritje të larta në këtë fushë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Sportit. Ky trajtim ka ngjallë reagime nga sportistët në vend dhe partitë politike, shkruan Portalb.mk. Kryeministri Hristijan Mickoski u pyet nga gazetarët se sa nga […]

qershor 11, 2025 - 18:30
 0
Diskriminim edhe në medalje: Qeveria e RMV-së dekoroi sportistët, harroi shqiptarët
Ngjarja e ndarjes së mirënjohjeve nacionale, e organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria për Sport/ Foto: Qeveria e RMV

Asnjë sportist shqiptar nuk gjendet në mesin e 22 sportistëve të dekoruar me medalje për arritje të larta në këtë fushë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Sportit. Ky trajtim ka ngjallë reagime nga sportistët në vend dhe partitë politike, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri Hristijan Mickoski u pyet nga gazetarët se sa nga numri i sportistëve i përkasin etnive tjera, jo maqedonase dhe pse asnjë nga 22 sportistët e dekoruar nuk janë shqiptarë.

“Ka nga etni tjera, është Angjella Platon, dhe te tjerë, sportistë që kanë shënuar rezultate në gara me klubet në fushën ndërkombëtare”, tha Mickoski.

Në pyetjen se a nuk kishte shqiptarë të denjë për tu renditur në mesin e 22 sportistëve, Mickoski i vendosur u shpreh:

“Nuk ka emra tjerë që kanë fituar Ligën e Kampionëve ose Euro Ligë”.

Lidhur me këtë, sportistë të njohur dhe figura politike kanë shprehur shqetësimi, por edhe zhgënjim për vendimin qeveritar në lidhje me sportistët.

Boksieri Berat Jakupi, në reagimin e tij ka shkruar:

“Sot jam kontaktuar nga shumë miq, shokë dhe gazetarë, të cilët më pyetën pse, si sportist, nuk jam ftuar nga qeveria për të marrë Mirënjohjen Nacionale Sportive (Pensionin Sportiv). Duke u bazuar në rezultatet e mia sportive, që janë të shumta, dhe konkretisht vendin e dytë në Kampionatin Evropian për seniorë në vitin 2017 – kohë kur karateja ishte sport olimpik – si dhe duke marrë parasysh se në atë ceremoni morën pjesë edhe sportistë që ende janë aktivë dhe e përfituan këtë të drejtë, sipas ligjit, edhe mua më takon Pensioni Sportiv. Megjithatë, nuk e kuptoj ende pse nuk jam ftuar”.

Deputeti i Frontit Europian, Skender Rexhepi- Zejd, njëherazi kryetar i Lëvizjes Populli, në reagimin e tij theksoi se ngjarja është reflektim i përfaqësuesve shqiptar në qeveri pa legjitimitet.

“Por nuk ishin në gjendje të shpërblejnë as edhe një sportist shqiptar, ndërsa 22 sportistë maqedonas morën shpërblime nga qeveria! Kjo është përbuzje, diskriminim dhe zero ndikim politik nga ata që gënjyen për përfaqësim.⁣ Shqiptarët kanë sjellë shumë medalje dhe kanë shkruar shumë faqe suksesi në historinë e sportit në këtë shtet, por kot ata sot po trajtohen si qiraxhinjë dhe qytetarë të shkallës së dytë”, shkroi deputeti Rexhepi.

Lidhur me këtë kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Ata thanë se për shqiptarët dyert janë të mbyllura edhe në sport dhe në vlerësimet më të larta sportive që ndahen nga shteti dhe institucionet shtetërore.

Ndryshe, në Ministrinë e Sportit, nga të dhënat e siguruara nga Portalb.mk, del se nga gjithsej 31 të punësuar, vetëm 4 janë shqiptarë (12.90%).

Ndërkaq, asnjë shqiptar nuk udhëheq me ndonjë sektor në këtë institucion.

E vetmja shqiptare në pozitë udhëheqëse është zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shahini.

Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Sportit. Ingofrafik: Portalb.mk
Përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Sportit. Ingofrafik: Portalb.mk

Kujtojmë se, Portalb.mk në vazhdimësi ka shkruar për diskriminimin institucional të shqiptarëve, me theks mungesën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vendimmarrje. Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndonëse përbëjnë 29 përqind të popullsisë, ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur të përfaqësimit në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve çalon në disa nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.