Aliu premtoi zgjidhje brenda një muaji e gjysmë, personeli mjekësor i Tetovës me vite pret vendimet
Brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, të cilët javëve të kaluara kanë protestuar për vendime pune dhe rroga. Këtë e paralajmëroi sot ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu, shkruan Portalb.mk. Pas një vizite në Spitalin e Tetovës dhe pasi dëgjoi nga afër hallet e […]


Brenda një muaji e gjysmë pritet të zgjidhet statusi i punës së personelit mjekësor të Tetovës, të cilët javëve të kaluara kanë protestuar për vendime pune dhe rroga. Këtë e paralajmëroi sot ministri i ri i Shëndetësisë Azir Aliu, shkruan Portalb.mk.
Pas një vizite në Spitalin e Tetovës dhe pasi dëgjoi nga afër hallet e personelit mjekësor, kur u pyet se si parashihet të rregullohet statusi i infermiereve të Tetovës të cilat kërkojnë vendime pune, pasi me vite punojnë me kontrata dhe së fundmi dolën edhe në protesta, Aliu tha se ky proces do të zgjidhet sa më shpejtë.
“Besoj që shumë shpejtë do të zgjidhet, do duhet të zgjidhet përpara afateve ligjore që ne do mund të bëjmë zgjidhjen e problemit, ajo është diku rreth një muaj, një muaj e dhjetë ditë”, tha Aliu.
Javët e kaluara punonjësit shëndetësorë me kontrata të cilët janë rreth 140 protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune.
Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit.
Drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha tha se kjo çështje është zgjidhur dhe ditëve në vijim punonjësit pritet të marrin rrogën e muajit maj.
“Është zgjidhur çështja e kontratave, do të nënshkruhen, vetëm rrogën ua kemi lëshuar për shkak se kishin pritur dy muaj ditë. Brenda kohës do ua lëshoj edhe rrogën e muajit të pestë. I kam nënshkruar për muajin prill, të gjitha janë të nënshkruara. Duhet edhe motrat t’i nënshkruajnë. Brenda javës do i nënshkruaj edhe këto 139 të tjera për muajin maj që njëkohësisht ta marrin edhe rrogën e muajit maj”, tha Berisha.
Megjithatë, infermieret thonë se ka selektime dhe jo të gjithë kanë marrë rrogën e muajit të katërt dhe për një periudhë më të gjatë.
“Do e presim zgjidhjen. rrogën e muajit të katërt e kemi marrë por kontrata ende nuk kemi nënshkruar. Presim që t’i nënshkruajmë”, tha njëra nga infermieret.
Personeli mjekësor edhe sot e ritheksoi kërkesën e tyre për vendime pune.
Lidhur me këtë problem, para dy javëve, ministrja e Financave Gordana Dimitrievska Koçoska ka thënë se Ministria e Financave është përgjigjur në kohë dhe pozitivisht për punësimet në Spitalin e Tetovës. Ajo u bëri thirrje institucioneve shëndetësore që të respektojnë procedurën kur kërkojnë pëlqimin për punësim.
Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”.
Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës. Në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.
- LEXO: Spitali i Tetovës premtoi rroga dhe kontrata deri në dhjetor, por protestat e infermierëve vazhdojnë: Duam vendime pune
- LEXO: Infermieret e Tetovës pauzojnë protestën: Nuk dorëzohemi, kërkojmë të drejtën tonë për punësim (Video)
- LEXO: Le të na mbajnë që të mos të na qajnë: Vazhdoi protesta e personelit mjekësor në Tetovë për rroga dhe vendime, thonë se janë kërcënuar
- LEXO: Drejtori i Spitalit të Tetovës u mbyll në zyrë, punonjësit shëndetësorë vijuan protestën për rroga dhe vendime
- LEXO: Mbi 100 infermiere dhe punonjës të tjerë nga Spitali i Tetovës në protestë: “Jemi pa rroga e pa kontrata”