Zhvillimet në VLEN – Uniteti i shpallur dhe realiteti i fragmentimit, përplasja e narrativave politike
Në dritën e zhvillimeve të fundit politike në Maqedoninë e Veriut, kumtesa e VLEN-it që shpall “unitetin më shumë se kurrë”, ka nxitur reagime dhe analiza të shumta nga aktorë The post Zhvillimet në VLEN – Uniteti i shpallur dhe realiteti i fragmentimit, përplasja e narrativave politike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Në dritën e zhvillimeve të fundit politike në Maqedoninë e Veriut, kumtesa e VLEN-it që shpall “unitetin më shumë se kurrë”, ka nxitur reagime dhe analiza të shumta nga aktorë politikë dhe komentues të pavarur, shkruan Flaka
Ndërkohë që VLEN paraqitet si një trup politik i bashkuar dhe i pathyeshëm, analistët Urim Saliu dhe Zudi Xhelili e lexojnë situatën ndryshe, duke e parë këtë deklaratë si përpjekje për menaxhim të krizës së brendshme dhe një realitet të fshehur të fragmentimit të mëtejshëm të spektrit politik shqiptar.
Analiza e kumtesës së VLEN-it:
VLEN synon të projektojë një imazh të kohezionit të brendshëm dhe lidershipit të qëndrueshëm brenda bllokut shqiptar. Me një retorikë të fortë kundër BDI-së dhe me pretendime për stabilitet në qeverisje, VLEN përpiqet të largojë vëmendjen nga largimi i Arben Taravarit dhe Aleancës për Shqiptarët, duke e etiketuar si “tërmet i dështuam”.
Megjithatë, kjo deklaratë retorike përplaset me realitetin politik, ku vetë mungesa e njërit prej partnereve themelorë – ASH – shtron pyetjen se sa i qëndrueshëm është vërtet ky koalicion. Termat si “VLEN është vetë tërmeti” duket se synojnë më shumë të mbulojnë çarjet e brendshme sesa të pasqyrojnë forcë reale politike.
Pikëpamja e analistëve të konsultuar nga Flaka
Urim Saliu e sheh problemin e VLEN-it jo tek individët apo aktet e largimit, por te vetë bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në, një parti që historikisht ka pasur qëndrime të ashpra ndaj interesave shqiptare. Sipas tij, çdo ndarje eventuale me VMRO-në do e ekspozonte vetë VLEN-in si bashkëpërgjegjës për një qeverisje me prapavijë të njëanshme etnike. Ai shton se largimi i Taravarit është vetëm një shenjë paralajmëruese për ndarje të tjera që mund të pasojnë.
”Problemi i VLEN nuk është askush tjetër përveç VMRO-DPMNE-së.Kur një ditë hipotetikisht thënë do shkëputeshin nga partia e Mickovskit ,ata do e transmetonin ndryshe vetë funksionimit e keq të qeverisjes me ta. Nuk është më problem nëse Taravari ishte ose iku nga VLEN sepse kjo nuk ndryshon asgjë. VLEN natyrisht se nuk ishte i plotë as me Taravarin ndërsa tani është akoma më bosh sepse ikja e Taravarit do krijojë ende përçarja të reja brenda strukturës së tij dhe në përgjithësi në politikën shqiptare edhe vetë brenda Vlenit.Ikja e Taravarit nuk garanton më asgjë se çfarë mund të ndodhë në VLEN. Është vetëm çështje kohe,ndoshta deri në zgjedhjet lokale. Ne sot kemi grimca partishë që bashkohen nga halli për tu dukur të forta por që përbëjnë hartën e copëtuar politike pa peshë dhe pozicione karshi palës tjetër që po i arrin qëllimet etnike të tyre. Derisa partitë tona grinden mes veti ,VMRO-DPMNE po realizon në heshtje programin e tyre dhe i shpërblen maqedonasit.Partitë tona merren kush iku dhe kush do vijë.Ditën e bëjmë tradhtar një politikan që shkon dhe natën e bëjnë hero një tjetër që vjen vetëm për të shpëtuar qeverinë”, thotë Saliu.
Ndërsa Zudi Xhelili e sheh largimin e ASH-së si një goditje strukturore për koalicionin, duke argumentuar se shpallja e unitetit nuk është gjë tjetër veçse propagandë. Ai thekson se fraksionet e mbetura në VLEN nuk përfaqësojnë më tërësinë e përfaqësimit shqiptar dhe janë në pozitë më të dobët përballë një VMRO-je që po konsolidon pushtetin dhe po realizon heshturazi agjendën e saj kombëtare.
”Largimi i ASH-së është një ndodhi që trazoi skenën politike, pasi ASH dhe Arben Taravari ishte një nga pjesët themelore të koalicionit VLEN. Largim tregon qartë përçarje në qëndrimet politike, sidomos në lidhje me raportet me pushtetin dhe qasjen ndaj VMRO-së. “Uniteti më shumë se kurrë” Nëse lexohet në mënyrë kritike, kjo është më shumë një deklaratë propagandistike se sa pasqyrim i realitetit. Shkëputja e një partie kyçe e bën këtë pohim të kontestueshëm.
Meqense VLEN sot,përbëhet nga fraksionet e mbetura (si Lëvizja Besa, Alternativa, dhe LD),të pa strukturuara mirë, prandaj mungesa e ASH-së i bën ata më të ngushtë dhe potencialisht më pak përfaqësues për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e tyre është një përpjekje për të ruajtur imazhin e unitetit, por në realitet, koalicioni ka humbur një prej komponentëve të tij më të rëndësishëm. Kështu, VLEN sot nuk është më i plotë dhe as në “unitet më shumë se kurrë” , përkundrazi, ndodhet përballë sfidës për të riformatuar vetveten në një realitet të ri politik.
Në lidhje me individët që ngelin nëpër poste dhe përdorimi i një gjuhe agresive ndaj Arben Taravarit do të ketë efekt negativ te votuesit e LEN-it, veçanërisht te ata që kërkojnë debat politik më të civilizuar dhe respekt ndaj kundërshtarit sidomos nëse largimi i ASH-së nga qeveria është edhe për vetëdisimin e VMRO- së për veprimet antishqiptare!”, shprehet Xhelili.
Dilema e përfaqësimit dhe mungesa e vizionit të përbashkët:
Të dy analistët nënvizojnë një shqetësim të përbashkët: mungesën e një vizioni të përbashkët dhe të qëndrueshëm në kampin politik shqiptar. Koalicionet që formohen “nga halli”, siç i quan Saliu, janë të brishta dhe të paafta për të ndërtuar një platformë politike afatgjatë që do të përfaqësonte me dinjitet interesat e shqiptarëve në RMV.
Në vend të unitetit, ajo që del në pah nga zhvillimet e fundit është një përçarje e thellë, një mungesë e strategjisë dhe një rënie e besimit të votuesve te përfaqësuesit politikë shqiptarë. VLEN mund të pretendojë se është “trupi i bashkuar” që po i reziston sistemit të vjetër, por perceptimi publik dhe zërat e pavarur tregojnë një tablo shumë më komplekse, ku sfidat për të ruajtur kohezionin janë më të mëdha se kurrë më parë. Flaka Media
The post Zhvillimet në VLEN – Uniteti i shpallur dhe realiteti i fragmentimit, përplasja e narrativave politike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .