Zgjedhjet e 11 Majit,Gjonaj:Fitoret personale zvogëlohen para një fitoreje të madhe
Deputetja e Partisë socialiste dhe kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Etilda Gjonaj ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të procesit të numërimit të votave preferenciale. Edhe pse nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme që ta konfirmonin në parlamentin e ri, Gjonaj ka falënderuar kryeministrin dhe anëtarët e njësisë që i ishte […]

Deputetja e Partisë socialiste dhe kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Etilda Gjonaj ka reaguar në rrjetet sociale pas përfundimit të procesit të numërimit të votave preferenciale.
Edhe pse nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme që ta konfirmonin në parlamentin e ri, Gjonaj ka falënderuar kryeministrin dhe anëtarët e njësisë që i ishte besuar në Tiranë.
Ndër të tjera, Gjonaj u ndal edhe te ‘përplasjet’ mes kandidatëve brenda forcave politike për votat preferenciale.
Deputetja socialiste mes rreshtat shkruan se asnjë fitore apo humbje personale nuk mund ta zvogëlojë fitoren e madhe të mazhorancës në këto zgjedhje.
Postimi i Etilda Gjonajt:
Dua ta nis këtë mesazh publik, me një falënderim për të gjithë qytetarët, mbështetësit, simpatizantët e njësisë 7 në Tiranë, që besuan fort në vizionin e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës dhe me votën e tyre na dhanë një fitore të fortë për vazhdimësinë e reformave dhe për të çuar përpara ëndrrën e Shqipërisë Europiane 2030.
Me një përgjegjësi të madhe si Drejtuese Politike e Njësisë 7, i ndihem mirënjohëse të gjithë anëtarësisë së PS në njësinë 7, për rezultatin që arritëm në këtë betejë elektorale për fitoren e Partisë Socialiste, për emocionet më të bukura të marra në çdo takim, çdo aktivitet elektoral dhe çdo derë ku kemi trokitur.
Një falënderim thellësisht mirënjohës për besimin që Kryeministri Edi Rama më dha për të drejtuar politikisht njësinë 7, ashtu si dhe mundësinë për të më bërë pjesë të skuadrës garuese të Partisë socialiste në këto zgjedhje.
Ndihem e nderuar dhe shpreh përulësisht 5569 falënderime për të gjithë ata qytetarë të Qarkut të Tiranës, të njësisë 7 dhe të diasporës që më votuan dhe më besuan për të qenë përfaqësuesja e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Pavarësisht se këtë “betejë” në nivel personal nuk arrita ta kaloj me sukses kësaj here, falënderoj të gjithë ata që më kanë përgëzuar për rezultatin dhe inkurajuar vazhdimësinë. Fitoret apo humbjet personale zvogëlohen përpara një fitoreje të madhe, të të vetmes forcë politike të Partisë Socialiste, për të çuar përpara projektin e vetëm, atë të Shqipërisë europiane.
Do doja të falënderoja emër për emër të gjithë ata anëtarë të ekipit që besuan dhe luftuan fort krah meje pa hezituar asnjë moment, që u angazhuan dhe u përfshinë maksimalisht për muaj të tërë, për ditë dhe netë radhazi, deri në moment të fundit, për të arritur këtë fitore për Partinë Socialiste. Kemi ndarë shumë momente gjatë kësaj periudhe dhe kam marrë emocionet dhe ndjesitë më të bukura të të “luftuarit” bashkë, të bërit të një fushate elektorale me qytetari, integritet dhe etikë. Faleminderit dhe e lumtur që kam punuar me ju!
Një falënderim për anëtarët e KZAZ, numëruesit, komisionerët, të cilët për ditë dhe netë të tëra administruan në mënyrë perfekte këtë proces zgjedhor duke e përmbyllur në respekt të ligjit dhe procedurave zgjedhore.
Shumë urime kolegëve të mi që luftuan për këtë rezultat të PS dhe shumë suksese kolegëve dhe veçanërisht kolegeve gra të Partisë Socialiste që do të përfaqësojnë qytetarët në Kuvendin e Shqipërisë.
Një falënderim zemre për familjen time, bashkëshortin Irvelinin dhe birin Itienin, prindërit tanë dhe të gjithë familjarët dhe miqtë të cilët më mbështetën pa asnjë kusht në këtë garë elektorale.
Faleminderit të gjithëve nga zemra!