Zëvendësministrja Shaini publikoi listën me sportistët shqiptarë të dekoruar, karatisti Jakupi: Nuk jam përfitues i pensionit sportiv
Pasi asnjë sportist shqiptar nuk ishte në mesin e 22 të dekoruarve nga Qeveria dhe Ministria e Sportit, zëvendësministrja e Sportit Safije Sadiki Shaini u arsyetua me atë se medaljet iu dhanë vetëm kampionëve europianë dhe botërorë, ku nuk në mesin e tyre nuk kishte ekipe shqiptare. Ajo publikoi një listë me sportistë shqiptarë të […]


Pasi asnjë sportist shqiptar nuk ishte në mesin e 22 të dekoruarve nga Qeveria dhe Ministria e Sportit, zëvendësministrja e Sportit Safije Sadiki Shaini u arsyetua me atë se medaljet iu dhanë vetëm kampionëve europianë dhe botërorë, ku nuk në mesin e tyre nuk kishte ekipe shqiptare. Ajo publikoi një listë me sportistë shqiptarë të dekoruar më herët, përfshirë karatistin Berat Jakupi, i cili e demantoi duke thënë se nuk përfiton pension të përjetshëm, raporton Portalb.mk.
Pas bujës së madhe në opinion dhe reagimeve të partive politike për ndarjen e medaljeve për sportistët kampionë nga Qeveria dhe Ministria e Sportit e RMV-së, ku në mesin e 22 të dekoruarve nuk pati asnjë shqiptar, me reagim doli zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shaini.
Ajo thotë se vitet e kaluara, të gjithë sportistët tanë që kanë pasur arritje ndërkombëtare i kanë marrë mirënjohjet dhe pensionet sportive, ku madje edhe titullin “Sportisti i shekullit” është shqiptar.
“Në ceremoninë solemne ku u ndanë mirënjohje për veteranët në futboll, basketboll dhe hendboll, u vlerësuan sportistë që me ekipet e tyre kanë qenë kampionë europianë dhe botërorë dhe doli që në mesin e 22 të nderuarve nuk kishte shqiptarë. Megjithatë, kjo nuk është tendencioze. Arsyeja është e qartë: në sportet kolektive – futboll, basketboll dhe hendboll – sportistët shqiptarë deri më sot nuk kanë pasur mundësi të marrin tituj si kampion Europe apo bote me ekipet e tyre, prandaj nuk janë përfshirë në një listë që bazohet pikërisht në këto kritere”, tha Sadiki Shaini.
Ajo përmendi edhe sportistët shqiptarë që janë dekoruar me mirënjohje dhe përfitojnë pension të përjetshëm në Maqedoninë e Veriut, edhe atë: Shaban Tërstena, Shaban Sejdiu, Azis Saliu, Berat Jakupi, Lulëzim Vranezi, Fati Veseli, Arjan Iseni, Rexhep Hajdari, Drita Islami, Rexhep Rexhepovski, Ragmi Arifovski.
Megjithatë, ndaj kësaj ka reaguar sportisti Berat Jakupi. Ai tha se nuk është përfitues i pensionit sportiv.
“Dua të sqaroj me përgjegjësi të plotë se kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk jam përfitues i asnjë lloj pensioni sportiv, pavarësisht se për vite me radhë kam përfaqësuar me dinjitet Maqedoninë e Veriut në arenën ndërkombëtare, duke fituar medalje në Kampionate Evropiane dhe Botërore në karate. Për fat të keq, kontributi im si sportist është neglizhuar sistematikisht nga institucionet shtetërore, gjë që përbën një padrejtësi të madhe jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë sportistët shqiptarë”, tha Jakupi.
Ndaj kësaj reagoi zëvendësministrja Shaini e cila sqaroi se Berat Jakupi nuk është përfitues i një pensioni të përhershëm klasik, siç e gëzojnë disa sportistë të dekoruar për arritje olimpike apo tituj botërorë në kategori të veçanta.
“Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak që ai është neglizhuar nga institucionet. Përkundrazi për arritjen e tij në Kampionatin Botëror Universitar, ai është shpërblyer në bazë të vendimeve ligjore me një kompensim mujor (stipendi) në vlerë bruto sa dy paga mesatare në muaj. Konkretisht, aktualisht përfiton çdo muaj shumën prej 82.478 denarësh, për një periudhë katërvjeçare, në përputhje me aktet dhe vendimet që rregullojnë këtë kategori shpërblimesh”, tha zëvendësministrja e Sportit.
Për këtë rast dje pati reagime të shumta në opinion dhe nga përfaqësues të partive politike.
- LEXO: Diskriminim edhe në medalje: Qeveria e RMV-së dekoroi sportistët, harroi shqiptarët
- LEXO: Mirënjohje kombëtare për arritjet në sportin e RMV-së, ASH: Diskriminimi vazhdon, asnjë shqiptar në mesin e tyre
Ndryshe, në Ministrinë e Sportit, nga të dhënat e siguruara nga Portalb.mk, del se nga gjithsej 31 të punësuar, vetëm 4 janë shqiptarë (12.90%).
Ndërkaq, asnjë shqiptar nuk udhëheq me ndonjë sektor në këtë institucion.
E vetmja shqiptare në pozitë udhëheqëse është zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shahini.
Kujtojmë se, Portalb.mk në vazhdimësi ka shkruar për diskriminimin institucional të shqiptarëve, me theks mungesën e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në vendimmarrje. Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndonëse përbëjnë 29 përqind të popullsisë, ende nuk e kanë arritur nivelin e duhur të përfaqësimit në institucionet shtetërore. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve çalon në disa nga institucionet më të rëndësishme shtetërore.