Rokas: Korrupsioni sfidë e madhe për RMV-në, nevojiten ndryshime të përshpejtuara për arritjen e reformave

Në seancën konstituive të Organit Ndërinstitucional për Koordinimin e Aktiviteteve Kundër Korrupsionit ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, theksoi se korrupsioni është një sfidë e madhe për vendin dhe se për arritjen e reformave nevojiten ndryshime të përshpejtuara. Zëvendësambasadorja e SHBA-ve, Nicole Varnes, theksoi se lufta kundër korrupsionit është qenësore për zhvillimin ekonomik […]

Prill 8, 2025 - 18:30
 0
Rokas: Korrupsioni sfidë e madhe për RMV-në, nevojiten ndryshime të përshpejtuara për arritjen e reformave
Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas. Foto: Qeveria e RMV-së

Në seancën konstituive të Organit Ndërinstitucional për Koordinimin e Aktiviteteve Kundër Korrupsionit ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, theksoi se korrupsioni është një sfidë e madhe për vendin dhe se për arritjen e reformave nevojiten ndryshime të përshpejtuara. Zëvendësambasadorja e SHBA-ve, Nicole Varnes, theksoi se lufta kundër korrupsionit është qenësore për zhvillimin ekonomik dhe besimin social. Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl, theksoi se çelësi për një luftë të suksesshme kundër korrupsionit janë transparenca dhe zbatimi i ligjit, transmeton Portalb.mk.

Rokas theksoi se lufta kundër korrupsionit është qenësore për përparimin drejt Evropës dhe se nevojitet një ndryshim i përshpejtuar për arritjen e reformave të përcaktuara.

“Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, ai depërton thellë në poret e shoqërisë dhe qytetarëve. Pastaj, e kemi edhe angazhimin për ta luftuar korrupsionin, që është përparim në rrugën drejt Evropës. Edhe qeveritë e mëparshme luftonin kundër korrupsionit, por kjo është një detyrë e shoqërisë në tërësi. Çdo institucion, çdo qytetar e ka rolin e vet. Reformat kërkojnë një ndryshim të mendësisë brenda institucioneve, brenda sistemit ligjor, si dhe mendësisë së individëve”, tha Rokas.

Ambasadori Rokas theksoi se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandime në raportin për vendin, sundimin e së drejtës dhe Këshillin Gjyqësor, të cilat janë përfshirë në Agjendën e Reformës. Ai theksoi se agjenda nuk i identifikon vetëm afatet dhe qëllimet konkrete, por edhe burimet e nevojshme financiare për realizimin e planit në rrugën drejt Evropës.

“Ne kemi nevojë për më shumë përparim për ta përforcuar sundimin e së drejtës dhe për të prezantuar baza të reja ligjore siç është Kodi i ri Penal, e të gjitha këto janë të një rëndësie vendimtare. Po shohim sinjale inkurajuese për aktivitetet e ndërmarra në drejtim të procedurave hetimore, arrestimeve dhe aktgjykimeve gjyqësore. Gjithashtu edhe në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Por është e rëndësishme që gjykatat, organet gjyqësore dhe policia t’io marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, ndërsa autoritetet gjyqësore duhet të financohen në mënyrë adekuate për ta bërë këtë. Buxheti i shtetit duhet të përfshijë edhe burime financiare që tashmë janë të parapara në akte të caktuara ligjore dhe që duhet të përfshihen edhe në Agjendën e reformave”, tha ai.

Sipas tij, një gjyqësor i pavarur dhe organe rregullatore kërkojnë edhe mbikëqyrje që mund të sigurohet përmes pavarësisë financiare brenda një kornize globale.

“Pavarësia e gjyqësorit mund të garantohet jo vetëm përmes pavarësisë financiare, e cila do të jetë pjesë e kornizës strukturore, por edhe përmes mungesës së shpërdorimit të detyrës zyrtare. Faktorët e ndryshëm duhet të ndërpresin ndërhyrjen në punën e gjykatave dhe organeve të drejtësisë dhe kjo nuk duhet të bëhet për qëllime politike”, theksoi Rokas.

Nicole Varnes, zëvendësambasadore e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksoi se ky organ ndërinstitucional nuk është vetëm i rëndësishëm, por edhe qenësor.

“Lufta kundër korrupsionit është një faktor që e definon zhvillimin e ekonomisë, besimin social dhe konkurrencën e vendit në skenën globale. Ky organ ndërinstitucional nuk është vetëm i rëndësishëm, por edhe qenësor. Të mos lejojmë që ryshfeti t’i definojë kontratat, të gjitha të ato duhet të bazohen në merita. Rritja ekonomike bazohet në besimin në institucione, në sundimin e ligjit, si dhe në një shpërndarje të barabartë të roleve”, tha ajo.

Varnes theksoi se sistemi joefikas i drejtësisë dhe zgjidhja e ngadaltë e çështjeve gjyqësore po e minojnë besimin në të. Sipas saj, përforcimi i organeve të drejtësisë kërkon reforma, aktivitete dhe mbi të gjitha vullnet politik.

“Ky organ ndërinstitucional ka mundësinë dhe përgjegjësinë për t’i çuar përpara reformat reale që do ta përforcojnë llogaridhënien dhe do ta rrisin transparencën dhe efikasitetin e organeve gjyqësore. Këto nuk janë vetëm vendime ligjore apo qeveritare, por kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe rritjen e ekonomisë në Maqedoninë e Veriut”, tha ajo.

Varnes përfundoi se pa vullnet politik, joefikasiteti do ta dëmtojë përparimin dhe se për arritjen e ndryshimeve reale nevojitet një punë e madhe e përbashkët.

Kilian Wahl, shef i misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi se duhet të bëjmë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe transparencës, dhe se kjo duhet të bazohet në tre shtylla – zbatimin e ligjit, edukimin, bashkëpunimin dhe koordinimin.

Wahl  theksoi se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit prezantoi rezultatet preliminare të zbatimit të Strategjisë kombëtare kundër korrupsionit, që tregon se janë realizuar vetëm 18 përqind e aktiviteteve të planifikuara për vitin 2024, gjë që, sipas tij, është shqetësuese.

“Përforcimi i kapaciteteve institucionale, partneritetit mes të palëve relevante dhe mbikëqyrja më rigoroze e punës së Kuvendit do të kontribuojë në përmirësimin e këtyre rezultateve”, tha ai.

Wahl përfundoi se misioni i OSBE-së ka për qëllim t’i angazhojë institucionet për të bërë një politikë integriteti, për ta përforcuar punësimin bazuar në merita dhe kompetencë dhe për të vendosur standarde më të larta në punësim. Ai theksoi se misioni do të mbështesë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet qeverisë dhe organeve gjyqësore dhe do të ofrojë mbështetje në vendimmarrje për ta rikthyer besimin tek institucionet shtetërore.

“Do ta ndihmojmë Qeverinë në luftën kundër krimit financiar dhe do t’i përforcojmë mekanizmat për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Bashkëpunimi ynë është në përputhje me Strategjinë Kombëtare dhe detyrimet e saj ndërkombëtare për t’i forcuar përpjekjet e tyre për ta luftuar korrupsionin dhe për t’i përforcuar instrumentet financiare”, theksoi ai.

Ai përfundoi se kjo do ta përforcojë qëndrueshmërinë institucionale, do ta promovojë transparencën dhe do të mundësojë sundimin e së drejtës.

Qeveria sot ka themeluar Organin Ndërinstitucional për Koordinimin e Aktiviteteve Kundër Korrupsionit, i cili është përgjegjës për vendosjen e koordinimit ndërmjet të gjitha institucioneve kyçe për luftën kundër korrupsionit.

Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, ky organ paraqet një hap përpara në përpjekjen për të vendosur një sistem funksional dhe të sinkronizuar, i cili do ta ndalojë korrupsionin. Në seancën konstituive ai theksoi se ky organ nuk do të jetë vetëm një konstruksion administrativ.

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe transparencë, Arben Fetai, i cili është kryetar i këtij Organi Ndërinstitucional, ​​shtoi se ky organ nuk do të jetë vetëm forum diskutimi dhe debati, por do të bëhet edhe mekanizëm për presion të veçantë për zbatimin e ligjeve dhe strategjive kundër korrupsionit.

Kujtojmë se në raportin e ri të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit Republika e Maqedonisë së Veriut ka 40 pikë, dy pikë më pak se vitin e kaluar dhe ka shënuar një rënie prej 12 pozitash në tabelë, duke zënë vendin e 88-të.

Sipas kryetarit të Transparency International-Maqedoni, Bllagoja Pandovski, këto rezultate negative janë pasojë e numrit të madh të skandaleve që ndodhën vitin e kaluar, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, Këshillit Gjyqësor dhe Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Siç thotë ai, mosndëshkimi i korrupsionit të nivelit të lartë në lidhje me personat në poste publike, indikacionet për ndikim politik në gjyqësor, kontrolli i dobët që ushtron Këshilli Gjyqësor ndaj gjyqtarëve dhe 40 rekomandimet e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian, shkelja e ligjit me përzgjedhjen e kandidatëve për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë kanë lëkundur disa nga gjyqtarët gjatë zgjedhjeve.