Qeveria riktheu në funksion “fshatin maqedonas”, projekt i realizuar nga Gruevski
Pas shtatë viteve me dyer të mbyllura, nga sot kompleksi “Fshati maqedonas” rikthehet në funksion për turistët por edhe banorët vendas. Qeveria dëshiron të ringjallë edhe njëherë projektin e dështuar të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili mbijetoi vetëm dy vjet. Me këtë etno kompleks, do të menaxhojë kompania “La Terraza” ndërsa pagesa e qirasë […]


Pas shtatë viteve me dyer të mbyllura, nga sot kompleksi “Fshati maqedonas” rikthehet në funksion për turistët por edhe banorët vendas. Qeveria dëshiron të ringjallë edhe njëherë projektin e dështuar të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili mbijetoi vetëm dy vjet. Me këtë etno kompleks, do të menaxhojë kompania “La Terraza” ndërsa pagesa e qirasë mujore do të jetë 3500 euro. Kaq paguanin edhe koncesionerët e mëparshëm hoteli “Kuins” dhe “Tineks”, raporton Alsat.
“Në periudhën që vijon të kujdesemi për gjithë atë që për fat të keq në shtatë vitet e fundit ishte harruar dhe shkatërruar. Ngadalë por sigurt po e rinovojmë dhe përsëri po i’a kthejmë shkëlqimin dhe e vendosim në funksion, një nga një sipas prioriteteve dhe mundësive”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Që të arrini deri te kompleksi, nga Qendra e Shkupit ju nevojiten 30 minuta me veturë. Ka edhe linjë me autobus, por nuk është thuajse fare funksional.
Ndryshe, në fund të muajit janar ishte shpallur thirrje për zgjedhjen e koncensionerit për kompleksin “Fshati i Maqedonisë”, i cili gjendet në shpatet e Vodnos, në afërsi të fshatit Nerez, me qëllim që kompleksi përsëri të fillojë të punojë dhe u kthye në hartën turistike dhe kulturore të Maqedonisë.
Kompleksi përbëhet nga 12 shtëpi autentike, me hapësira ku janë prezantuar zanatet e Maqedonisë, disa pjesë shfrytëzohen si dhoma hoteli, ndërsa disa kanë edhe pjesën e restorantit. Nuk funksionon tashmë gjashtë vjet, pasi koncesionerët e kaluar u tërhoqën për shkak të humbjeve financiare. Në ndërkohë, SHPPP rregullisht i mbulonte shpenzimet për sigurim dhe mirëmbajtje dhe në praktikë, siç theksojnë, humbjet e deritanishme financiare arritën shumën prej rreth 350.000 euro.
Në vitin 2012 ishin realizuar punimet për ndërtimin e “Fshatit maqedonas” në Nerez të Epërm, kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski, ndërsa ministër për ekonomi ishte Valon Saraçini. Punimet kanë zgjatur deri në vitin 2014. Ky kompleks që kishte kushtuar 6.5 milionë euro u mbyll në vitin 2018.
Aty ka shtëpi nga viset e Berovës, Tetovës, Strugës, Gostivarit, Prilepit, Manastirit dhe viseve të tjera të vendit. Fshati është 12 mijë metra katrorë.