Opinion: Heshtja që rëndon mbi drejtësinë

Nga Driton Zenku Dhjetë vjet pas përplasjes së përgjakshme në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ngjarja mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të qytetarëve dhe një enigmë e The post Opinion: Heshtja që rëndon mbi drejtësinë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

maj 9, 2025 - 09:30
 0
Opinion: Heshtja që rëndon mbi drejtësinë

Nga Driton Zenku

Dhjetë vjet pas përplasjes së përgjakshme në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ngjarja mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të qytetarëve dhe një enigmë e pazbardhur në historinë e re të Maqedonisë së Veriut.

Dhjetë të vrarë nga grupi i armatosur, tetë policë të rënë në krye të detyrës, qindra plumba mbi shtëpitë e civilëve, një lagje e shkatërruar dhe një vend i tërë i shokuar. Por mbi të gjitha: pyetje të mëdha pa përgjigje dhe një heshtje shtetërore që nuk shpjegon dot asgjë.

Vendimet gjyqësore janë dhënë: dënime të përjetshme dhe burgime të gjata për anëtarët e grupit. Por një proces penal nuk mjafton për të ndërtuar drejtësinë. Ajo kërkon transparencë, zbardhje të plotë të së vërtetës, hetim të paanshëm dhe përballje me të gjitha përgjegjësitë, sado të rënda qofshin.

Për vite me radhë janë shtruar dyshime të forta për motivet dhe prapaskenat e kësaj ngjarjeje. Nga inskenim politik, deri te përdorimi i grupit për të larguar vëmendjen nga krizat e thella politike të asaj kohe. Zërat që kërkuan hetim ndërkombëtar ishin të shumtë: nga deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, përfaqësues nga Kosova e Shqipëria, e deri te eurodeputetë në Bruksel. Por institucionet përgjigjën me mure, jo me përgjigje.

Komisioni Anketues parlamentar nuk përmbushi asnjë nga pritjet. Rezultatet e tij u zbehën në heshtje politike dhe mungesë vullneti. Ndërkohë, marrëveshjet politike që përmendën zbardhjen e rastit, mbetën në letër.

Cili ishte qëllimi i vërtetë i këtij aksioni? A ishin të gjithë protagonistët ata që u dënuan? Kush urdhëroi, kush planifikoi, kush përfitoi? Këto pyetje qëndrojnë ende pezull, dhe çdo vit që kalon pa përgjigje, e rrit barrën morale mbi institucionet dhe mbi shoqërinë në tërësi.

Qytetarët e Kumanovës, familjarët e viktimave – si të policëve, ashtu edhe të të dënuarve – meritojnë më shumë se heshtje dhe dënime të shkruara. Ata meritojnë të vërtetën. Sepse pa të vërtetë nuk ka drejtësi. Dhe pa drejtësi, nuk ka paqe sociale.

Prandaj, pas dhjetë vitesh, apeli është i qartë: të zbardhet e vërteta për “Lagjen e Trimave” përmes një hetimi të pavarur dhe ndërkombëtar. Të kthehet besimi te drejtësia, të mbyllet një plagë përmes së vërtetës dhe jo përmes heshtjes.

E vërteta nuk ka afat skadence. Por shteti që e mban të fshehur, humbet çdo ditë nga legjitimiteti i tij.

The post Opinion: Heshtja që rëndon mbi drejtësinë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .