Mickoski në pritje të iniciativës për takim me Bullgarinë
Pavarësisht njoftimeve se presidenti bullgar Rumen Radev nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Hagë, udhëheqësia shtetërore e Maqedonisë së Veriut nuk po heq dorë nga takimi me Bullgarinë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për zhbllokimin e rrugës drejt BE-së. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi në një deklaratë për gazetarët në Shkup […]


Pavarësisht njoftimeve se presidenti bullgar Rumen Radev nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Hagë, udhëheqësia shtetërore e Maqedonisë së Veriut nuk po heq dorë nga takimi me Bullgarinë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për zhbllokimin e rrugës drejt BE-së. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi në një deklaratë për gazetarët në Shkup të enjten se presidentja Gordana Siljanovska-Davkova do të udhëtojë në samit, ndërsa Bullgaria, nga ana tjetër, ka njoftuar se kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov do t’i përfaqësojë ata në Hagë, transmeton Portalb.mk.
Mickoski thotë se nëse ka ndonjë iniciativë për takim midis presidentes së Maqedonisë dhe kryeministrit bullgar, edhe ajo duhet të pranohet.
“Nëse ka ndonjë iniciativë për një takim në nivelin president-kryeministër, ajo duhet të pranohet pavarësisht faktit që unë nuk do të jem atje. Ky është qëndrimi im dhe jam i bindur se do të jetë edhe qëndrimi i presidentes. Ne duhet të jemi proaktivë dhe të tregojmë se problemi nuk është se disa qindra qytetarë tanë thonë se bullgarishtja është gjuha e tyre amtare, por se ekziston një problem shumë më i madh, dhe kjo është politikë dekadash e vjetër”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Mickoski tha në një deklaratë për mediat të mërkurën (11.06) se thelbi i problemit është “një përpjekje inzhinierike për të krijuar komb të ri maqedonas, i cili është rezultat i një vendimi të Kominternit pas vitit ’45 të shekullit të kaluar dhe se ky komb i ri maqedonas përdor një gjuhë të re maqedonase, e cila u bë zyrtare në OKB, si pjesë e federatës jugosllave në vitin ’45 dhe se mbështetet në rrënjët bullgare”.
Mundësia e një takimi maqedono-bullgar u bë aktuale në maj të këtij viti, kur Mickoski, pas një takimi në Shkup me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë Kaja Kallas, tha se kishin diskutuar edhe një takim të mundshëm dypalësh me palën bullgare, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të BE-së, NATO-s dhe SHBA-së.
“Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, bëri një propozim, ne e pranuam menjëherë pa hezitim midis dy presidentëve”, thotë Mickoski dhe shton se kishte një ide që në atë takim të merrnin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe përfaqësues nga administrata amerikane, me qëllim që të shqyrtonin argumentet.
“Tani shohim ekzebicion atje – ndoshta kështu funksionon skena politike bullgare. Kryeministri ishte i pranishëm në Samitin e Uashingtonit, ku isha edhe unë. Është logjike që presidenti dhe kryeministri të ndërrohen me rotacion, të paktën kjo është praktika, prandaj këtë vit është atje presidentja Siljanovska dhe ishte logjike që Bullgaria të dërgonte presidentin dhe ai u njoftua, në minutën e fundit u dërgua kryeministri”, thotë Mickoski.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.