Këtë vit nga Liga e Parë në Maqedoninë e Veriut mund të eliminohen pesë ekipe

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka paralajmëruar se nga sezoni 2026/2027 do të jenë dhjetë ekipe në Ligën e Parë të futbollit, duke theksuar se sezoni 2025/26 do të jetë sezoni i fundit kur do të jetë 12 ekipe në Ligën e Parë, transmeton Portalb.mk. Për të kaluar në sistemin me dhjetë ekipe, sivjet […]

qershor 9, 2025 - 20:45
 0
Këtë vit nga Liga e Parë në Maqedoninë e Veriut mund të eliminohen pesë ekipe
Ndeshje futbolli në Ligën e Parë në Maqedoninë e Veriut. Shkupi - Struga. Foto nga Portalb.mk

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka paralajmëruar se nga sezoni 2026/2027 do të jenë dhjetë ekipe në Ligën e Parë të futbollit, duke theksuar se sezoni 2025/26 do të jetë sezoni i fundit kur do të jetë 12 ekipe në Ligën e Parë, transmeton Portalb.mk.

Për të kaluar në sistemin me dhjetë ekipe, sivjet do të eliminohen direkt tre ekipe, ndërsa vendi i tetë dhe nëntë do të luan në barazh për të siguruar mbijetesën.

Në Ligën e Dytë në sezonin 2026/2027 do të jenë vetëm 14 pikë, dy më pak sesa deri më tani.

Këshilli Drejtues në FFM ndër të tjera vendosi që Vasko Dojçinovski të jetë kryetari i ri i Komisionit për Ndeshje.

Federata ndër të tjera vendosi që të rriten taksat për futbollistët e huaj që do të luajnë në Maqedoninë e Veriut, ashtu që për futbollistin e pestë të huaj duhet të paguajnë 6 500 euro për regjistrim, për të gjashtin 9 mijë euro, për të shtatin 11 500 euro, ndërsa për të tetin 16 500 euro.

“Ekipet e Ligës së Parë në Futbollin e Maqedonisë do të kenë mundësi të regjistrojnë dy futbollist nga shtetet e “Ballkanit të Hapur” (Shqipëria, BeH, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi), të cilët nuk do të regjistrohen si të huaj”, raportoi Federata.

Ndryshe, në Ligën e Parë gjatë sezonit 2025/2026 do të marrin pjesë pesë ekipe shqiptare: Shkëndija e Tetovës, Struga, Shkupi, Arsimi dhe Bashkimi i Kumanovës.

Në sezonin 2024/2025 kampion në Ligën e Parë u shpall Shkëndija e Tetovës, ndërsa fitues i Kupës së Maqedonisë 2025 është Vardari.