BDI: Prokuroria Publike është shndërruar në një vegël të bindur të pushtetit ekzekutiv
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese për media akuzoi se Prokuroria Publike, si kurrë më parë, është shndërruar në një mjet të nënshtruar të pushtetit ekzekutiv dhe drejtësia është vënë nën komandën e saj të plotë. Partia e bazon këtë akuzë në rastin e zjarrit në Koçan dhe, siç thotë BDI, heshtjen rreth katastrofës […]


Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese për media akuzoi se Prokuroria Publike, si kurrë më parë, është shndërruar në një mjet të nënshtruar të pushtetit ekzekutiv dhe drejtësia është vënë nën komandën e saj të plotë. Partia e bazon këtë akuzë në rastin e zjarrit në Koçan dhe, siç thotë BDI, heshtjen rreth katastrofës urbane në Çair të Shkupit, shkruan Portalb.mk.
“Asnjëherë më parë drejtësia nuk ka qenë kaq e poshtëruar dhe e vendosur nën komandë të plotë të pushtetit politik. Rasti në Koçan dhe heshtja përballë katastrofës urbane në Çair janë dëshmi të gjalla se Prokuroria Publike është shndërruar në një vegël të bindur të pushtetit ekzekutiv. Në Koçan, pas një tragjedie që tronditi gjithë shoqërinë, hetimi u mbyll pa u thirrur si i dyshuar asnjë funksionar partiak, edhe pse çdo qytetar e ka të qartë se përgjegjësia është e drejtpërdrejtë dhe bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet përkatëse”, shkruan në reagimin e partisë.
Nga aty thonë se heshtja e Prokurorisë është një formë amnistie politike dhe një fyerje e rëndë për viktimat dhe familjet e tyre.
BDI nënvizon se në Çair, po ndodh në kohë reale një krim urban.
“Më shumë se 150 ndërtime pa leje, pa projekt statik, pa vlerësim sizmik, me lidhje të paligjshme elektrike dhe pa qasje për zjarrfikës apo ndihmë të shpejtë, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për mijëra qytetarë. Njerëzit që kanë blerë banesa në këto objekte nuk mund të flenë të qetë për shkak të frikës për jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Kjo nuk është më drejtësi selektive, kjo është drejtësi e shuar, e dirigjuar, e kontrolluar dhe e orientuar me vetëdije kundër interesit të qytetarëve.
Dhe kur drejtësia hesht aty ku duhet të flasë, ajo bëhet bashkëpunëtore e krimit”, përfundon reagimi.
Se prokurori publik Lubomir Kocevski e mbylli hetimin për zjarrin në Koçan pa asnjë të dyshuar ose të akuzuar funksionar aktual të pushtetit i kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja, akuzuan dje edhe nga LSDM-ja përmes një konference për media.
“Hristijan Mickoski i shfrytëzoi të gjithë mekanizmat e pushtetit, kërcënimet, shantazhet dhe presionet me qëllim të vetëm që t’i mbrojë njerëzit e tij, gjegjësisht ata të cilët janë më përgjegjës për tragjedinë e cila ndodhi në Koçan, ndërsa ata janë funksionarët aktual të pushtetit. Me çka Mickoski po e mban nën kontroll të plotë të tij Kocevski“, tha Kaja Shukova, nënkryetare e LSDM.
Prokuroria Themelore Publike në Koçan më 30 maj përfundoi procedurën hetimore në lidhje me tragjedinë në Koçan ku janë përfshirë gjithsej 46 të dyshuar për Krime të Rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
- LEXO: Shukova: Një shef i SPB Shtip po mbrohet nga Kocevski dhe Mickoski në hetimin për Koçanin
- LEXO: Prokuroria: Hetimi për rastin e Koçanit ka përfunduar, do të fillojë shqyrtimi i provave nga mbrojtja
- LEXO: Tragjedi në Koçan: 62 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj