BDI: Nga “yll” i rajonit, 7 vite nga Marrëveshja e Prespës RMV u shndërrua në faktor izolimi
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se shtatë vite pas Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut po përballet me sfida serioze që rrezikojnë orientimin euroatlantik të vendit. Sipas BDI-së, kapitali politik i fituar përmes Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit po zhvlerësohet nga brenda, përmes qëndrimeve anti-evropiane dhe retorikës pro-ruse. Partia bën thirrje për mobilizim të […]


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) vlerëson se shtatë vite pas Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut po përballet me sfida serioze që rrezikojnë orientimin euroatlantik të vendit. Sipas BDI-së, kapitali politik i fituar përmes Prespës dhe Marrëveshjes së Ohrit po zhvlerësohet nga brenda, përmes qëndrimeve anti-evropiane dhe retorikës pro-ruse. Partia bën thirrje për mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë për të mbrojtur arritjet strategjike dhe për të rikthyer besimin në të ardhmen evropiane të vendit, transmeton Portalb.mk.
“Shtatë vite më parë, Marrëveshja e Prespës shënoi një kthesë historike për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ishte një akt vizioni dhe guximi shtetëror, që jo vetëm hapi rrugën për anëtarësim në NATO, por e vendosi vendin në anën e duhur të historisë , në zemër të komunitetit euroatlantik. Prespa e shndërroi shtetin në shembull rajonal për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara përmes diplomacisë, dhe e vendosi Shkupin si platformë për dialog dhe stabilitet në tërë Ballkanin. Por sot, shtatë vite më vonë, po e shohim zhvlerësimin më të rëndë të atij kapitali. Qeveria, e cila duhet të jetë garant i orientimit euroatlantik të vendit, po shndërrohet në një kërcënim nga brenda. Narrativat ruse mbrohen nga funksionarë qeveritarë, votohet kundër Ukrainës, Dodik pritet si mysafir nderi, ndërsa Marrëveshja e Ohrit tash një vit është objekt i një agresioni sistematik”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas tyre, perspektiva evropiane është ngrirë, qytetarët janë të demotivuar dhe të zhgënjyer, duke shtuar se sipas tyre, mijëra po e braktisin vendin apo kërkojnë rrugë drejt Evropës përmes pasaportave të tjera, “ndërkohë që fqinjët ecin përpara në proceset integruese”.
“BDI u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë të mos lejojnë që këto arritje të fituara me vështirësi të fshihen. Prespa dhe Marrëveshja e Ohrit nuk ishin vetëm kompromise, ishin një zgjedhje për të ardhmen.
E sot, sërish duhet të zgjedhim: A do të lejojmë që kjo gjeneratë të jetë gjenerata e mohimit, apo do të bëhemi zëri që mbron të ardhmen evropiane? Veçanërisht shqetësuese është roli i mbetjeve të VLEN-it, të cilët i tradhtuan vlerat themelore që i kanë përfaqësuar shqiptarët për dekada, vlera të evropianizimit, të barazisë dhe të pjekurisë demokratike. Në vend që të jenë zëri i përparimit, ata u shndërruan në një mjet manipulimi, duke legjitimuar politika që në thelb e rrënojnë orientimin pro-evropian të shtetit. Doli në pah natyra e vërtetë e këtyre strukturave politike: ato nuk janë forca evropiane, janë lojtarë të përkohshëm në shërbim të agjendave anti-evropiane”, thuhet në reagim.
Ndryshe, sot bëhen shtatë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila i dha fund një sherri 27-vjeçar, për çështjen e emrit, pasi pretendonte se Maqedonia e ka vjedhur emrin e një rajoni grek. Si rrjedhojë, Maqedonia e ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërkaq Greqia u bë zë i përkrahjes së vendit i cili kulmoi me anëtarësimin në NATO, por nuk i nisi negociatat për anëtarësim, pasi ia preu udhën Bullgaria, një tjetër fqinj i cili kërkon përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.