Vetëpunësimi për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut: Barriera, mungesë e mekanizmave monitorues dhe konkurrencë jolojale

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar planin e ri operativ për punësim, që përfshin masa për të rinjtë, përfshirë edhe vetëpunësimin. Megjithatë, të rinjtë me të cilët bisedoi Portalb.mk. thonë se përballen me barriera që e bëjnë këtë proces shumë të vështirë. Deri tani, mbi 3.200 të rinj të papunë kanë aplikuar për të nisur […]

qershor 18, 2025 - 09:30
 0
Vetëpunësimi për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut: Barriera, mungesë e mekanizmave monitorues dhe konkurrencë jolojale
Të rinj, studentë, rinia

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar planin e ri operativ për punësim, që përfshin masa për të rinjtë, përfshirë edhe vetëpunësimin. Megjithatë, të rinjtë me të cilët bisedoi Portalb.mk. thonë se përballen me barriera që e bëjnë këtë proces shumë të vështirë. Deri tani, mbi 3.200 të rinj të papunë kanë aplikuar për të nisur bizneset e tyre. Drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore kritikon mungesën e mekanizmave monitorues dhe konkurrencën jolojale, ndërsa nga FNA-ja theksojnë se diskriminimi i shtyn të rinjtë shqiptarë drejt vetëpunësimit si alternativë të vetme.

Derisa numri i personave të papunë në Maqedoninë e Veriut është rreth 100 mijë, papunësia mbetet një nga arsyet kryesore për ikjen e popullatës në mërgim, sidomos të rinjve.

Për të zbutur këtë problem, Qeveria e vendit ka miratuar planin e ri operativ për punësim, ku përfshihen edhe masat e vetëpunësimit për të rinjtë. 

Por, për shumë të rinj në Maqedoninë e Veriut, masat për vetëpunësim shihen si zgjidhje joreale. 

I riu H.Hoxha nga Shkupi thotë se vetëpunësimi mund të jetë zgjidhje vetëm nëse zbatohet ashtu si është hartuar. Sipas tij , në letër, planet dhe projektet duken të bukura, por në realitet është ndryshe. Ai thotë se këto mundësi shpesh jepen vetëm për maqedonasit, ndërsa për shqiptarët kjo përbën vetëm lajm.

“Një i ri shqiptar që aplikon për këto fonde për vetëpunësim, përballet me një mur heshtjeje, burokracie, ose kritere të fshehta që në fund favorizojnë tjetrin. Kjo nuk është vetëm padrejtësi sociale, por një strategji e heshtur e shpërnguljes së rinisë shqiptare drejt emigrimit. Nëse vetëpunësimi ofrohet si zgjidhje vetëm për një pjesë të popullsisë, atëherë nuk është zgjidhje, por selektim. Rinia nuk mund të vetëpunësohet në një shtet që nuk e njeh barazinë si themel”, u shpreh H.Hoxha.

Panairi i Karrierës në Universitetin e Evropës Juglindore. Foto nga Portalb.mk
Panairi i Karrierës në Universitetin e Evropës Juglindore. Foto nga Portalb.mk

Ndërsa A.Isufi nga Vaksnica e Likovës thotë se në Maqedoninë e Veriut vetëpunësimi nuk është zgjidhje reale edhe pse mund të duket si mundësi. Ai thotë se është sfidë e madhe për të rinjtë që nuk kanë përvojë apo kapital.

“Shumë përballen me mungesë përkrahjeje, burokraci të ngarkuar dhe rreziqe financiare. Hapja e një biznesi të vogël shpesh përfundon me dështim, pasi tregu është i ngopur dhe konkurrenca e fortë. Ndihmat nga shteti dhe organizatat janë të pakta, burokratike dhe jo transparente, duke i bërë të rinjtë të humbasin kohë dhe para. Për më tepër, vetëpunësimi kërkon shumë përkushtim dhe përgjegjësi, që shumica nuk janë të përgatitur të marrin. Në vend që të jetë zgjidhje, vetëpunësimi mund të sjell më shumë pasiguri dhe stres për ata që kërkojnë një punë të qëndrueshme”, tha A. Isufi. 

Ndërsa A. Ademi nga Kumanova thekson se mbështetja institucionale është minimale në këtë drejtim. Ajo mendon se vetëpunësimi po u imponohet si zgjidhja e vetme, jo si një opsion i lirë.

“Tregu i punës është i ngushtë, mbështetja institucionale është ndihmë minimale dhe shteti kërkon inovacion, por nuk ofron kushte më të lehta për punësim. Ne të rinjtë nuk mund të marrim vendime për një biznes të ri pa u siguruar, për shkak se të kesh një biznes është punë e rrezikshme sepse në qoftë se be dështojmë në atë ide, a i merr përgjegjësitë shteti? Jo. Kjo nuk është zgjidhje por një mënyrë për t’u shmangur papunësisë individualisht, pa adresuar problemet në thelb”, tha A.Ademi. 

Pavarësisht hezitimit të të rinjve ndaj kësaj mase, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Durim Zeqiri thotë se vetëpunësimi paraqet zgjidhje jo vetëm për të rinjtë por edhe për problemin e përgjithshëm ekonomik.

Durim Zeqiri, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Foto nga rrjeti i tij facebook.
Durim Zeqiri, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Foto nga rrjeti i tij facebook.

Ai theksoi se problemi i ngecjes kronike të inovacioneve, në plan afatmesëm mund të zgjidhim me stimulimin e vetëpunësimit te qytetarët. 

“Natyrisht se gjithë kësaj duhet t’i paraprijë një sistem i reviduar arsimor, i cili do të prodhojë kuadro të cilët janë të aftë për konkurrencën e tregut vendor dhe më gjerë, por gjithashtu edhe është i domosdoshëm funksionimi i shtetit të së drejtës dhe fuqizimi i institucioneve. Janë harxhime të kota nëse shteti inkurajon vetëpunësimin me mjete buxhetore, nëse konkurrenca jo lokale është në majën më të lartë ndonjëherë. Përskaj gjithçkaje, është e rëndësishme vendosja e mekanizmave kontrollues apo monitorues të efektit të mjeteve financiare që lëshohen nga shteti për mbështetje të sipërmarrësisë dhe vetëpunësimit, me qëllim që i gjithë ky sistem të përmirësohet përgjatë realizimit të të gjitha thirrjeve për grante dhe ndihmesa që shteti ynë publikon”, tha Zeqiri. 

Ai theksoi se të rinjtë duhet të marrin “know-how” duke u inkuadruar në bizneset ekzistuese, me çka edhe rritin kapacitetet e tyre, të njoftohen me sektorin real dhe te pastaj aftësohen për mevetësim të karrierës së tyre. Zeqiri vlerëson se plani operativ i Agjencisë për punësim duhet të jetë një dokument me peshë strategjike, duke e ditur rëndësinë dhe rolin e këtij institucioni. 

Zeqiri përmendi se konkurrenca jolojale është problem kryesor i dështimit të të rinjve në fillimet e tyre të biznesit dhe vetëpunësim. 

Nga ana tjetër, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) beson se të rinjtë në këtë vend, sidomos ata shqiptar, për shkak të diskriminimit në sektorin publik, kanë ardhur në një situatë ku vetëpunësimi ju ngelet alternativa e vetme. 

“Ka plot shembuj në botë që ia dalin pikërisht ata që sistemi tenton t’i shtypë. Megjithatë, duhet thënë se në Maqedoni kjo nuk është e thjeshtë, pasi sistemi arsimor, që nga ai fillor e deri në universitar, s’i përgatit të rinjtë për t’u kyçur në tregun e punës, për të hapur apo menaxhuar biznes. Pos kësaj, shteti pak ose aspak nuk ofron grante pa kthim për të rinjtë me ide biznesi, apo qoftë ndonjë lloj tjetër të mbështetjes. Me pak fjalë; vetëpunësimi është alternativë e mirë, por shumë e vështirë në Maqedoni”, thanë nga Forumi për Ndryshim në Arsim. 

Në fund të muajit maj 2025 Qeveria e RMV-së miratoi planin e ri operativ për punësim, ku parashikohet që gjithsej 720 të rinj do të marrin mbështetje për vetëpunësim (të rinj të punësuar deri në moshën 29 vjeç), dhe me masën, ata do të marrin mbështetje për të filluar ose formalizuar biznesin e tyre, me kusht që të jenë të regjistruar në APRMV me të paktën arsim fillor të përfunduar. 

Sipas planit, do të ndahen 40 milionë euro për punësimin e 16,000 qytetarëve. Shuma e mbështetjes financiare për të rinjtë e papunë është 615,000 denarë (fonde të pakthyeshme për fillimin e një biznesi). 

Të gjithë masat mund t’i lexoni në artikullin në vijim: 720 të rinj të papunë në RMV planifikohet të marrin nga rreth 10,000 euro për të filluar biznes

Ndryshe, deri tani mbi 3.200 të rinj të papunë kanë aplikuar për të nisur bizneset e tyre, ndërsa masa ofron ndihmë financiare prej 7.000 deri në 10.000 euro, varësisht nga mosha.

Kujtojmë që Komisioni Evropian në Raportin e vitit 2024 të progresit vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim në fushën e politikës sociale dhe punësimit, por sërish mbetet me përgatitje mesatare. Shkalla e papunësisë është ulur dhe përfitimet e ndihmës sociale janë rritur, ndërsa shkalla e varfërisë ka rënë, megjithatë ajo mbetet ende e lartë. 

Ngjashëm edhe te pjesa e të rinjve, Raporti theksoi se RMV-ja duhet të zbatojë strategjinë e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë. KE-ja theksoi se kapaciteti i Agjencisë për Punësim duhet të përmirësohet më tej.