RMV, 269 paralele duale dhe 6.725 vende të lira për regjistrim të nxënësve të shkollave të mesme në arsimin dual
Nga afërsisht 28.000 vende në vitin shkollor 2025/2026 për nxënësit që do të mund të regjistrohen në shkollat e mesme komunale, prej tyre 18.500 vende janë të parapara për regjistrim në shkollat e mesme profesionale, prej të cilave 6.725 vende janë në arsim dual në 269 paralele, njofton Qeveria, transmeton Portalb.mk. “Për këtë qëllim, Qeveria […]


Nga afërsisht 28.000 vende në vitin shkollor 2025/2026 për nxënësit që do të mund të regjistrohen në shkollat e mesme komunale, prej tyre 18.500 vende janë të parapara për regjistrim në shkollat e mesme profesionale, prej të cilave 6.725 vende janë në arsim dual në 269 paralele, njofton Qeveria, transmeton Portalb.mk.
“Për këtë qëllim, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e kanë rritur numrin e bursave për arsim dual në 1570, ndërsa është rritur edhe numri i kompanive që, përveç mësimit teorik në shkollë, do t’u mundësojnë nxënësve të shkollave të mesme të regjistruar në paralelët duale edhe mësim praktik në 550 kompani”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kjo do të thotë se nxënësit, gjatë shkollimit të tyre, do të fitojnë edhe aftësi praktike, do të kualifikohen për tregun e punës dhe do të kenë mundësi të punësohen menjëherë pas përfundimit të shkollimit.
Janë siguruar 50 milionë denarë, respektivisht bursë mujore prej 3.500 denarësh për 9 muaj në vit, të cilën do ta marrin nxënësit që do të regjistrohen në paralelët duale dhe do t’i plotësojnë kushtet e konkursit që do të shpallet për ndarjen e bursave.
Përndryshe, dje përfundoi afati i aplikimeve në kuadër të paraqitjes së parë të regjistrimit në afatin e qershorit për regjistrim në arsimin e mesëm në vitin shkollor 2025-2026.
Për të aplikuar për regjistrim në shkollë të mesme, duhet të shkoni në e-uslugi.mon.gov.mk dhe më pas të hyni në profilin tuaj me emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin tuaj në schools.mk (që i ka çdo nxënës i klasës së nëntë). Për të aplikuar, duhet të futni të dhënat tuaja personale dhe më pas të futni manualisht çdo notë për secilën lëndë, të shënuar në secilën dëftesë të klasës së 6-të deri në të 9-të, në aplikacion.
Përveç futjes manuale të notave, duhet të ngarkoni të katër dëftesat në formë elektronike, së bashku me një certifikatë lindjeje (si dhe diploma nga vendet e fituara në garat shtetërore). Kur të përfundoni procesin, do të merrni një mesazh se aplikimi është dorëzuar me sukses dhe vetë aplikimi do të tregojë se sa pikë ka kandidati bazuar në të dhënat e futura.