Vala e të nxehtit në RMV, mjekja Elveda Rustemi Alili këshillon si të shmangim pasojat e temperaturave të larta

Vala e të nxehtit që e ka përfshirë Maqedoninë e Veriut ka sjellur temperatura të larta nga 34 deri në 38 gradë Celsius, madje në disa zona ato arrijnë rreth 40 gradë. Portalb.mk intervistoi mjeken Elveda Rustemi Alili, e cila rekomandoi që në këto temperatura të larta është thelbësore të qëndrojmë të hidratuar, të shmangim […]

Korrik 5, 2025 - 08:30
 0
Vala e të nxehtit në RMV, mjekja Elveda Rustemi Alili këshillon si të shmangim pasojat e temperaturave të larta
Stina e verës, foto nga Portalb.mk
Elveda Rustemi Alili (mjeke). Foto nga arkivi i saj.
Elveda Rustemi Alili (mjeke). Foto nga arkivi i saj.

Vala e të nxehtit që e ka përfshirë Maqedoninë e Veriut ka sjellur temperatura të larta nga 34 deri në 38 gradë Celsius, madje në disa zona ato arrijnë rreth 40 gradë. Portalb.mk intervistoi mjeken Elveda Rustemi Alili, e cila rekomandoi që në këto temperatura të larta është thelbësore të qëndrojmë të hidratuar, të shmangim diellin gjatë orëve më të nxehta, të mbajmë veshje të lehta dhe të kujdesemi veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Portalb: Si ndikojnë temperaturat e larta në shëndetin e njeriut?

Elveda Rustemi Alili: Temperaturat e larta ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e njeriut. Trupi ynë përpiqet të ruajë një temperaturë të qëndrueshme, por kur temperaturat e jashtme janë shumë të larta, ky mekanizëm vështirësohet. Ekspozimi i zgjatur ndaj nxehtësisë mund të shkaktojë probleme të shumta si dehidrim, lodhje apo dhimbje të kokës, por edhe pasoja më të rënda si goditja nga i nxehti, që është një urgjencë mjekësore. Temperaturat e larta gjithashtu mund të përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese kardiovaskulare, respiratore dhe renale. Po ashtu, nxehtësia ndikon edhe në shtimin e rrahjeve të zemrës dhe tensionin, gjë çka në rastet më të rënda mund të çojë në komplikacione serioze si infarkti apo goditja në tru.

Portalb: Cilat grupe të qytetarëve janë më të rrezikuar nga temperatura të larta?

Elveda Rustemi Alili: Grupet që janë më të prekshme nga temperaturat e larta janë zakonisht: Të moshuarit, sepse si pasojë e ndryshimeve fiziologjike që ndodhin nga procesi i plakjes, personat e moshuar kanë aftësi të reduktuar për të rregulluar temperaturën e trupit. Po ashtu, personat e moshuar zakonisht vuajnë më shpesh nga sëmundje kronike si diabeti, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje respiratore dhe sëmundje të veshkave. Për këto arsye personat e moshuar llogariten si persona posaçërisht të rrezikuar nga i nxehti. Fëmijët, veçanërisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël gjithashtu janë grup në rrezik të lartë nga temperaturat e larta. Fëmijët, sidomos foshnjat, kanë kapacitet të zvogëluar për djersitje i cili është mekanizmi kryesor i trupit për t’u ftohur. Fëmijët po ashtu janë në rrezik më të lartë nga dehidrimi, dhe mundet që të mos e ndjejnë, dhe në rastin e foshnjave nuk kanë aftësi për ta shprehur. Edhe vetë nga fakti që fëmijët varen nga të tjerët si prindërit, gjyshërit ose të tjerë, i bën fëmijët që të jenë më në rrezik se grupe tjera. Një rrezik tjetër i madh te fëmijët është rreziku i temperaturës së lartë në vetura të mbyllura. Temperaturat brenda makinave arrijnë në nivele vdekjeprurëse relativisht shpejt, dhe fëmija asnjëherë nuk duhet të lihet në kushte të tilla, qoftë edhe për periudhe të shkurtër. Grup tjetër i rrezikuar janë personat të cilët punojnë në ambiente të jashtme, si ato në ndërtimtari, bujqësi, mirëmbajtjen e rrugëve, e të tjerë. Ato zakonisht janë të ekspozuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj diellit dhe rrezeve të tij, gjë që e rrit temperaturën e trupit, dhe mund të shkaktojë edhe djegien e lëkurës. Si pasojë e djersitjes nga puna dhe i nxehti, ato gjithashtu janë në rrezik më të lartë nga dehidrimi, dhe përveç lodhjes dhe rraskapitjes, nëse lëngjet nuk zëvendësohen, trupit i ulet aftësia për të rregulluar temperaturën dhe në raste të rënda mundet të vi deri te goditja nga i nxehti. Këto persona duhet të mbajnë veshje të lehta, të kenë pushime të rregullta gjatë punës, dhe vazhdimisht të pinë lëngje që të zëvendësojnë lëngjet e humbura. Së fundi, edhe personat që jetojnë të vetëm, apo në kushte të vështira janë të rrezikuar, sepse nuk kanë gjithmonë mundësi të gjejnë ambiente të ftohta apo në raste urgjente të marrin ndihmë në kohë. Për ne si mjekë, është e rëndësishme t’i mbajmë parasysh këto grupe dhe t’i këshillojmë, që të parandalojmë problemet që mund të sjellë i nxehti.

Portalb: Cilat janë simptomat që tregojnë goditje nga dielli?

Elveda Rustemi Alili: Goditja nga dielli apo nxehtësia është gjendja më e rëndë mjekësore e cila shkaktohet nga i nxehti. Ajo përbën një urgjencë mjekësore dhe kërkon trajtim të menjëhershëm, pasi mund të shkaktojë dëme të përhershme në tru, zemër, veshka, muskuj. Dhe në raste të rënda mund te shkaktojë edhe vdekjen. Simptomat e goditjes nga dielli janë: Temperaturë e lartë trupore 40° Celsius ose më e lartë, lëkurë e kuqe dhe e nxehtë, puls i fortë dhe i përshpejtuar, frymëmarrje e rënduar, si dhe simptoma psikologjike si marramendje, konfuzion, humbje e vetëdijes, e të tjera. Në rast se gjendeni në situatë me një person i cili vuan nga goditja e diellit, duhet menjëherë të thirret urgjenca mjekësore, dhe ndërkohë që pritet urgjenca, personi të çohet në ambient më të ftohtë, t’i hiqen rrobat e tepërta, dhe të përdorni çka mundeni për ta ftohur personin (si peshqir i lagur, kompresë e ftohtë, ajër i freskët).

Portalb: A duhet shmangur dalja gjatë orëve të mesditës dhe pse?

Elveda Rustemi Alili: Po, dalja gjatë orëve të mesditës (nga ora 11:00 deri në 17:00) duhet sa më shumë të shmanget, sepse në këtë periudhë dielli është më i fortë dhe rreziku për goditje nga i nxehti apo dehidrim është më i madh.

Foto nga Portalb.mk
Foto nga Portalb.mk

Portalb: Si ndikon i nxehti te fëmijët dhe si duhet të kujdesemi për ta?

Elveda Rustemi Alili: I nxehti ndikon më shpejt tek fëmijët sepse trupi i tyre nuk rregullon temperaturën si tek të rriturit. Rrezikojnë më lehtë dehidratim, lodhje apo edhe goditje nga dielli. Si mjeke, këshilla ime është e qartë: Mbajini fëmijet në hije, freskët dhe të hidratuar. Veshje të lehta, kapelë në kokë për tu mbrojtur nga dielli, dhe shumë ujë. Shmangni daljet në orët më të nxehta.

Portalb: Cilat masa duhet t’i marrin të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike?

Elveda Rustemi Alili: Te të moshuarit, i nxehti mundet të jetë shumë i rrezikshëm sepse trupi i tyre nuk e rregullon temperaturën me të njëjtin efikasitet si një person më i ri, dhe personat e moshuar shpesh vuajnë nga sëmundjet kronike. Si mjeke, këshillat kryesore janë: të siguroheni që të kenë ambient të freskët dhe ajrosje të mirë, kujdes me hidratimin, ndihmoni që të pinë ujë rregullisht, kontrolloni nëse marrin barna që mund ta ndikojnë përballimin e nxehtësisë, ndihmoni që të shmangin daljet gjatë orëve të nxehta, kujdes i veçantë për ata që jetojnë vetëm ose kanë lëvizshmëri të kufizuar. Kujdesi dhe vëmendja mund të bëjnë ndryshim të madh për shëndetin e tyre.

Portalb: Cili është mesazhi juaj për qytetarët në lidhje me mbrojtjen e shëndetit gjatë temperaturave ekstreme?

Elveda Rustemi Alili: Në këto ditë të nxehta, kujdesuni shumë për veten dhe për njerëzit pranë jush. Pini ujë shpesh, mos u ekspozoni shumë në diell, sidomos gjatë mesditës, dhe qëndroni në vende të freskëta kur mundeni. Mos i harroni fëmijët, të moshuarit dhe ata që kanë probleme shëndetësore sepse ata kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe kujdes. Nëse ndiheni të lodhur, keni kokë dhimbje, temperaturë të lartë ose ndonjë shqetësim tjetër, mos pritni por kërkoni ndihmë. Shëndeti është thesari me i çmuar qe kemi, shpesh themi se shëndeti mirë nuk blihet me para, dhe duhet të bëjmë gjithçka që të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të afërmve tonë.

Përndryshe, për shkak të temperaturave të larta me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e RMV-së miratoi disa rekomandime: Përjashtim nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Ky rekomandim nuk vlen për punonjësit në infrastrukturën kritike (shëndetësi, polici, ushtri, transport, energji, kompani publike); shtyrje e procesit të punës gjatë orarit kritik (11:00–17:00) për punonjësit e ekspozuar ndaj nxehtësisë direkte; punë në distancë, orar pune fleksibël ose i dyfishtë, aty ku është e realizueshme; punëdhënësit të sigurojnë kushte pune mikroklimatike në përputhje me planin e veprimit: dhoma me temperaturë deri në 25°C, përveç rasteve kur natyra e procesit të punës kërkon ndryshe.

Nga 4 korriku, Maqedonia e Veriut ka hyrë në fazën e 3 të valës së nxehtë, e cila do të zgjasë deri më 8 korrik 2025.