U hartua dokument me udhëzime për mbrojtjen e demokracisë nga kërcënimet e informacionit
Fondacioni “Metamorfozis” dhe Rrjeti Kundër Dezinformimit i Ballkanit (ADN-Balkans) përmes një procesi interdisiplinar të konsultimeve të gjera përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë, në të cilët bën pjesë edhe konferenca “Së bashku për të Vërtetën: “Qasja e Përfshirjes së Gjithë Shoqërisë për të Mbrojtur Demokracinë” që u mbajt në prill të vitit 2025 në […]


Fondacioni “Metamorfozis” dhe Rrjeti Kundër Dezinformimit i Ballkanit (ADN-Balkans) përmes një procesi interdisiplinar të konsultimeve të gjera përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë, në të cilët bën pjesë edhe konferenca “Së bashku për të Vërtetën: “Qasja e Përfshirjes së Gjithë Shoqërisë për të Mbrojtur Demokracinë” që u mbajt në prill të vitit 2025 në Shkup, përgatiti Dokument qëndrimi në formë Udhërrëfyesi për mbrojtjen e demokracisë nga kërcënimet e informacionit, shkruan Portalb.mk.
Abuzimi sistematik i hapësirës së informacionit përmes fushatave të dezinformimit e rrit erozionin e besimit të publikut, duke çuar në krizë të sistemit demokratik. Ballkani Perëndimor, si një nga rajonet më të cenueshme në Evropë, përballet me sfida serioze në ruajtjen e integritetit të institucioneve dhe proceseve demokratike, për shkak të mungesës së rregulloreve të harmonizuara me standardet evropiane dhe mungesës së veprimeve të koordinuara nga aktorët demokratikë për të ruajtur institucionet demokratike. Për këtë qëllim, Fondacioni “Metamorfozis” dhe Rrjeti Kundër Dezinformimit i Ballkanit (ADN-Balkans) e përgatiti:
Udhërrëfyesin për mbrojtjen e demokracisë nga kërcënimet e informacionit, i cili bazohet në elementet kryesore të mëposhtme:
- Qasja e përfshirjes së gjithë shoqërisë: Përfshirja e institucioneve shtetërore, medias, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe sektorit privat në një qasje të përbashkët dhe të koordinuar që synon mbrojtjen e rendit demokratik.
- Veprimi i koordinuar: Aktivitete të sinkronizuara në nivel kombëtar, rajonal dhe evropian, të bazuara në bashkëpunimin e ngushtë dhe shkëmbimin e informacionit midis të gjithë aktorëve demokratikë.
- Buxhetimi proporcional: Sigurimi i mjeteve financiare në përpjesëtim me investimet e aktorëve antidemokratikë.
- Veprimi i zgjuar dhe strategjik: Përqendrimi në kuptimin e qëllimeve dhe strategjive që fshihen pas fushatave të manipulimit, duke i dhënë përparësi qasjes analitike dhe reagimit të saktë.
- Qasja e përbashkët strategjike rajonale drejt të njëjtit qëllim dhe strategjia e përbashkët rajonale: Formulimi dhe zbatimi i një strategjie të përbashkët rajonale për t’u përballur me kërcënimet e informacionit që do të bashkonte përpjekjet nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Një qasje e tillë e koordinuar është në përputhje me proceset e integrimit euroatlantik që përfshijnë ndërtimin e mekanizmave të qëndrueshmërisë në nivel kombëtar, të cilët i përgjigjen nevojave thelbësore të brendshme dhe janë një detyrim në procesin e integrimit në BE për vendet kandidate, në fushat e lirisë së shprehjes dhe politikave të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të legjislacionit të BE-së.
Implementimi i udhërrëfyesit të këtillë kontribuon për realizimin e prioriteteve afatgjata:
- Forcimi i integritetit të zgjedhjeve nëpërmjet forcimit institucional, vendosjes së mekanizmave për monitorim dhe reagim të shpejtë, si dhe mbrojtja e qytetarëve nga përmbajtjet manipuluese në platformat teknologjike.
- Rregullimi i platformave digjitale online: Futja e një kornize ligjore për transparencën e algoritmeve, përgjegjësinë për shpërndarjen e përmbajtjeve të dëmshme dhe mbrojtjen e përdoruesve, veçanërisht të të miturve, përmes harmonizimit urgjent me rregulloret e Bashkimit Evropian, kryesisht Ligjin për Lirinë e Medias dhe Ligji për Shërbimet Digjitale.
- Demonetizimi i dezinformimit: Stimulimi i integritetit të informacionit përmes reduktimit të fondeve për burimet e dezinformimit dhe nxitjes së praktikave etike të mediave.
Dokumenti i qëndrimit në formën e një Udhërrëfyesi për mbrojtjen e demokracisë nga kërcënimet e informacionit zgjidhjen e gjen në qasjen e përfshirjes së gjithë shoqërisë, e cila nënkupton veprim të integruar nga të gjithë aktorët shoqërorë për të forcuar rezistencën ndaj manipulimit të informacionit dhe ndikimeve të huaja.
Shoqëritë demokratike në rajonin e Ballkanit mund të zhvillojnë rezistencë efektive ndaj kërcënimeve të informacionit vetëm përmes një qasjeje sistematike, të koordinuar dhe afatgjatë, duke siguruar mbrojtje të së drejtës së qytetarëve për të marrë vendime në bazë të informatave brenda një mjedisi transparent dhe demokratik.
Dokumentin e plotë mund ta gjeni KËTU: