Taravari e Snopçe nuk dalin nga qeveria pa aminin e Mickoskit
Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe deputeti nga radhët e kësaj partie Halil Snopçe kanë dalë me deklarata identike, duke nënkuptuar se nuk e kanë ndërmend të largohen nga Qeveria, përpos me aminin e kryeministrit Hristijan Mickoski. Taravari gjatë një deklarate sot tha se nëse kryeministri vlerëson se qeveria nuk ka nevojë për […]


Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe deputeti nga radhët e kësaj partie Halil Snopçe kanë dalë me deklarata identike, duke nënkuptuar se nuk e kanë ndërmend të largohen nga Qeveria, përpos me aminin e kryeministrit Hristijan Mickoski. Taravari gjatë një deklarate sot tha se nëse kryeministri vlerëson se qeveria nuk ka nevojë për ASH-në, atëherë do të largohen nga qeveria, transmeton Portalb.mk.
“Qeverinë e formon kryeministri. Kam folur me kryeministrin dhe do të flas sërish. Nëse ai mendon se ASH nuk duhet, nuk e kemi problem (të largohemi nga Qeveria). Megjithatë, besoj se partia duhet (në Qeveri). Këtë nuk mund ta thotë askush tjetër përveç atij që formon qeverinë. Nuk duhet të nxitohemi”, tha Taravari për daljen e mundshme të partisë së tij nga shumica parlamentare
Nga ana tjetër, edhe deputeti nga radhët e partisë së Taravarit, Halil Snopçe, mbrëmë tha se në momentin e parë që Mickoski jep sinjalin se Aleanca për Shqiptarët nuk ka vend në Qeveri, “ne menjëherë do të largohemi”. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët krahu i Taravarit, këtë e tha duke iu përgjigjur pyetjes hipotetike se si do të vepronin nëse kryeministri Hristijan Mickoski mbështeste qëndrimin se Aleanca nuk mund të bashkëpunojë me BDI-në dhe në të njëjtën kohë të jetë pjesë e Qeverisë
“Nëse i kthehemi historisë, një herë në një emision thashë se nëse ligji për “Branitellat” kalohet në këtë Kuvend ose nëse cenohet Ligji për gjuhët, VLEN-i do të largohet nga Qeveria; Mickoski reagoi të nesërmen duke thënë “u qoftë me fat”. Nuk u pendova, e përsërita deklaratën time. Në emër të Aleancës për Shqiptarët flas me siguri, pra ka një vijë të kuqe në të cilën mund të kalojmë, natyrisht…”, tha Snopce në paraqitjen e mbrëmshme në “Tema e ditës” në TV Sitel.
Mirëpo, siç shtoi ai, këto janë situata të imagjinuara dhe spekulime, dhe se komunikimi i Taravarit me liderin e BDI-së Ali Ahmeti nuk do të thotë se tashmë është rënë dakord për bashkëpunim.
Në lidhje me atë nëse dhe me kë do të vazhdojnë bashkëpunimin, deputeti thotë se do të udhëhiqen nga interesat e partisë dhe votuesve të saj.
“Çdo bashkëpunim që ne konkludojmë është në interes të Aleancës për Shqiptarët dhe në interes të votuesve të saj, natyrisht, është i hapur”, tha ai.
I pyetur se kur do të dihet nëse krahu i Aleancës për Shqiptarët do të mbetet në Qeveri, Snopçe nuk u përgjigjur me saktësi.
“Qeveria është partneritet. Marrëdhënie forcash, jo marrëdhënie fuqish. Ne si parti që jemi pjesë e koalicionit VLEN jemi pjesë e Qeverisë. Ne u kemi premtuar qytetarëve diçka dhe kemi përgjegjësi, kemi marrë një përgjegjësi, kemi bërë disa premtime që duhet t’i realizojmë dhe tani nuk mund të themi se nuk po luajmë më”, tha ai.
Ai shtoi se do të qëndrojnë në qeveri përderisa partnerët e tyre besojnë se vendi i tyre është në pushtetin ekzekutiv.
I pyetur se cilët partnerë e kishte fjalën, Snopçe fillimisht iu referua atyre të VLEN-it, për të cilët tha se kohëve të fundit flasin për gjithçka dhe çdo gjë, dhe më pas ka përmendur konkretisht partneritetin me VMRO-DPMNE-në.
“Natyrisht nga VLEN-i, edhe pse ata thonë çka mos dhe nuk janë të vetëdijshëm se çfarë thonë. Pra, partneriteti me VMRO-DPMNE-në, natyrisht. Ne kemi premtuar diçka dhe të shohim. Pra, nëse ne si palë përgjegjëse i qëndrojmë premtimeve tona, do të shohim nëse ka mundësi që bashkërisht t’i realizojmë disa nga premtimet”, përsëriti ai.
Mirëpo, në vijim të kësaj, ai tha se nuk do të mbeten me çdo çmim në Qeveri, por as nuk duan të kontribuojnë në krizën e Qeverisë.
“Nuk do të bëjmë çdo gjë me çdo çmim për të qëndruar në Qeveri, por nuk duam të kontribuojmë në krizën e Qeverisë. Nëse Aleanca për Shqiptarët përfundimisht del jashtë Qeverisë, shtrohet pyetja se a do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Snopçe.
Në fillim të intervistës, i pyetur nëse ai personalisht, tani që është e qartë se Aleanca për Shqiptarët e Taravarit nuk është më pjesë e koalicionit “VLEN”, është deputet i shumicës apo opozitës, Snopçe tha se është deputet i VLEN-it, sepse as ata si parti dhe as partnerët e tyre në VLEN nuk kanë marrë vendim për dallim reciprok.
Paraprakisht dje më herët nga kabineti i kryeministrit Mickoski për MIA-n thanë se ai ka komunikim të rregullt me anëtarët e Qeverisë dhe ritheksuan qëndrimin se pas 1 majit pritet të mbahet takimi lidhur me pyetjen nëse ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe krahu i tij i Aleancës për Shqiptarët do të mbeten në Qeveri.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i ngarkuar për qeverisje të mirë, Arben Fetai, dje deklaroi se anëtarët e Qeverisë nga Aleanca për Shqiptarët për momentin mbeten në ekipin qeveritar dhe se puna e tyre në ekzekutiv vazhdon normalisht.
Ai tha se kryeministri Hristijan Mickoski në ditët në vijim pritet të ketë takime të ndara me partnerët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët, VLEN dhe ZNAM.
I pyetur se si do të veprojë Aleanca për Shqiptarët e Taravarit në zgjedhjet lokale, gjegjësisht nëse do të bëjë koalicion me partitë opozitare, Fetai ka theksuar se në këtë fazë nuk dëshiron të paragjykojë dhe se partia e tyre do të gjejë zgjidhje për ofertën më të mirë për qytetarët.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti dje tha se pardje kanë pasu seancë të qeverisë në të cilën nuk ka marrë pjesë ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, por zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë Arben Fetai, i cili është nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Mexhiti sërish i ka bërë thirrje partnerit të tij të koalicionit, ministrit Arben Taravari që të vendos nëse do të bashkëpunojë me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) apo do të mbetet në VLEN dhe në Qeveri.
Çështja e vendit të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri u ngrit pas mosmarrëveshjeve me partnerët e tjerë në koalicionin VLEN, pra pas vendimit të Aleancës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët, fraksioni i Arben Taravarit vazhdon të jetë e gatshme për t’i ecur përpara punët në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut edhe pse eksponentë të VLEN-it, si zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, por edhe ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tashmë ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së. Kujtojmë se dje kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, por edhe sot kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, të cilët janë pjesë e koalicionit VLEN, ia bënë me dije fraksionit të Arben Taravarit, se nuk mund të jenë në qeveri e në anën tjetër të jenë të ndarë nga VLEN dhe të bashkëpunojnë me parti opozitare, si BDI.
Këto dhe shumë zhvillime të tjera të kohëve të fundit tregojnë se koalicioni VLEN, partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në qeverinë aktuale po jeton ditët më të vështira të qeverisjes. Arben Taravari dhe fraksioni i tij kanë vendosur që në zgjedhjet lokale, që janë të planifikuara për në muajin tetor, të shkoj ndaras nga koalicioni VLEN, me çka e vuri në pikëpyetje edhe prezencën e tij në qeveri.