Prokuroria e Shkupit nisi procedurë kundër një 40 vjeçari, dhunoi nënën e tij

Prokuroria e Shkupit ka nisur procedurë penale ndaj një 40-vjeçari, i dyshuar për dhunë fizike ndaj nënës së tij në gjendje të dehur. Ngjarja ndodhi më 8 qershor në shtëpinë familjare, ku viktima pësoi lëndime trupore. Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe përsëritjes së veprës, është propozuar paraburgim për të dyshuarin, transmeton Portalb.mk. “Prokuroria […]

qershor 17, 2025 - 19:45
 0
Prokuroria e Shkupit nisi procedurë kundër një 40 vjeçari, dhunoi nënën e tij
Prokuroria Themelore Publike Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Prokuroria e Shkupit ka nisur procedurë penale ndaj një 40-vjeçari, i dyshuar për dhunë fizike ndaj nënës së tij në gjendje të dehur. Ngjarja ndodhi më 8 qershor në shtëpinë familjare, ku viktima pësoi lëndime trupore. Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe përsëritjes së veprës, është propozuar paraburgim për të dyshuarin, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka filluar procedurë kundër një burri 40-vjeçar nga Shkupi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepër penale – Lëndim trupor sipas nenit 130, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.

Në shtëpinë familjare më 8 qershor, ndërsa ishte në gjendje të dehur, i dyshuari ka kryer dhunë në familje dhe ka lënduar fizikisht nënën e tij. Së pari, ai filloi ta fyejë atë, dhe më pas e sulmoi fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë dhe trup dhe duke e kafshuar. Viktima pësoi lëndime trupore nga goditjet e shkaktuara.

“Duke marrë parasysh kryesisht rrezikun e arratisjes dhe rrezikun që i dyshuari ta përsërisë veprën penale, prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit”, theksojnë nga Prokuroria.

Kujtojmë se gjatë muajit maj pati 3 raste dhune në familje.