Panel diskutimi: Rrjetet sociale si burim kryesor i informacionit dhe i dezinformatave
“Përballja me dezinformatat në rrjetet sociale – sfidat dhe perspektivat” ishte tema e panelit të diskutimit të organizuar nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA), në të cilin panelistë ishin M-r Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), D-r Snezhana Trpevska nga Instituti RESIS, Svetllana Siljanoska – konsultante për komunikime […]


“Përballja me dezinformatat në rrjetet sociale – sfidat dhe perspektivat” ishte tema e panelit të diskutimit të organizuar nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA), në të cilin panelistë ishin M-r Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), D-r Snezhana Trpevska nga Instituti RESIS, Svetllana Siljanoska – konsultante për komunikime strategjike dhe përballjen me dezinformatat dhe Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Vërtetmatësi.
Diskutimin e hapi Petrit Saraçini nga IMA, i cili foli për përpjekjet e përgjithshme për t’i luftuar dezinformatat në mediat sociale, duke pasur parasysh se ato “…bëhen burim kryesor informacioni në mbarë botën – duke i tejkaluar madje edhe mediat tradicionale”.
“Ajo që po ndodh në mediat sociale është një shpërthim i dezinformatave, propagandës dhe gjuhës së urrejtjes. Dhe nuk është vetëm nga llogaritë individuale, por ka edhe përpjekje të organizuara dhe të orkestruara nga qendrat e pushtetit dhe ndikimit që po i udhëheqin këto fushata”, tha Saraçini.
Petreska Kamenjarova nga ASHMAA foli për punën dhe kompetencat e Agjencisë dhe rolit të Ligjit për Shërbimet Digjitale (Digitar Services Act – DSA). Ajo shpjegoi se në të kaluarën sipas ligjit në Maqedoni individët që publikojnë përmbajtje me qëllim të informimit, argëtimit ose edukimit të përdoruesve, të njohur si influenserë, janë persona juridikë. Petreska Kamenjarova vuri në dukje se një subjekt për t’iu nënshtruar rregullativave të ASHMAA-a duhet të plotësojë shtatë kritere, por theksoi se “jo të gjithë influencerët mund dhe duhet të bëhen pjesë e rregullativave”.
D-r. Trpevska nga Instituti RESIS u përqendrua më shumë në rregullimin ligjor dhe deri ku gjendemi në procesin e harmonizimit dhe përafrimit të ligjeve me DSA-në, sidomos në fushën e përballjes me dezinformatat. Ajo reflektoi më shumë mbi gjendjet aktuale të platformave të mëdha dhe përpjekjet aktuale për tu përballë me dezinformatat dhe për verifikimin e fakteve.
Pas vendimit të Elon Musk, pronarit të X (ish Twitter), për ta hequr mundësinë e përdoruesve për raportimin e dezinformatave, muajin e kaluar edhe Mark Zuckerberg, Drejtori Ekzekutiv i Meta (kompania pronare e Facebook, Instagram, Threads dhe WhatsApp), vendosi ta ndërpresë programin e verifikimit të fakteve në SHBA. Duke pasur parasysh se është detyrim i platformave kryesore të krijojnë një kornizë për moderimin e përmbajtjes së shpërndarë në to dhe, nëse është e mundur, ta ndërpresin plotësisht këtë program, D-r. Trpevska tha se DSA parasheh të ashtuquajturat “Shënues të besuar” (Trusted flaggers) të cilët do të jenë në gjendje t’i raportojnë përmbajtjet e dyshimta deri te platformat. Në mesin e këtyre “Shënuesve të besuar” – organizatat, organet vetërregulluese dhe institucione të tjera që janë ekspertë në zbulimin e përmbajtjes në një temë të caktuar – mund dhe është e paraparë që të ketë edhe organizata që kanë punuar në verifikimin e fakteve. I tillë është shembulli i kolegëve tanë të “Greece Fact-Check”.
Siljanoska, autore e analizës “Distopia Demokratike Digjitale dhe dalja nga ajo”, u fokusua kryesisht në rolin e dëmshëm të algoritmeve të platformave të mëdha dhe se si, sipas saj, ato çojnë në ndarjen e përdoruesve në dy kampe: “ata që e mbështesin mënyrën demokratike të qeverisjes dhe ata që duan ta shkatërrojnë atë”.
Si shembull për këtë ajo i përmendi rrjetet dhe grupacionet që kryejnë veprime joautentike përmes profileve dhe grupeve anonime për të ushtruar ndikim (malicioz) në opinionin publik, me çka “në rastin tonë këto më së shpeshti janë tema rreth integrimit euroatlantik të vendit”. Ata më së shpeshti e arrijnë këtë duke i përdorur të ashtuquajturat “algo-gjuhë”, d.m.th. një mënyrë e koduar (ose gjuhë e fshehtë, zhargon dhe përdorim i simboleve në vend të shkronjave) për t’i shkruar postimet dhe në këtë mënyrë e evitojnë mundësinë e zbulimit nga algoritmet e moderimit të përmbajtjeve. Siljanoska gjithashtu e përmendi edhe ndikimin dhe rrezikun real, sidomos tek të rinjtë, nga platformat e parregulluara. Ajo i theksoi sfidat e përdorimit të rrjeteve sociale që çuan deri në vdekjen e një djali 14-vjeçar në Shqipëri.
Folësi i fundit ishte Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis, i cili rikujtoi se verifikimi i fakteve nuk është një mjet partiak, por një zhanër i veçantë i gazetarisë i rrënjosur në praktikat fundamentale gazetareske. Ai theksoi:
“Partneriteti midis Metamorfozis dhe Meta (Facebook) i adreson dezinformatat e shpërndara në platformat e Meta-s dhe dallon nga verifikimi politik i fakteve. Edhe pse ne e bëjmë atë, ai projekt është i pavarur dhe i ndarë nga përmbajtja që ne shqyrtojmë në Facebook”.
Me fjalë të tjera Stojanovski sqaroi se përmbajtjet e publikuara nga politikanët, partitë politike dhe të ngjashme nuk shënohen në Facebook, gjegjësisht nuk u jepet vlerësim i dukshëm, siç është rasti me përdoruesit e tjerë të platformave. Gjithashtu, ai theksoi se verifikimi i fakteve përveç parandalimit të përhapjes së dezinformatave ka edhe një komponent edukativ, gjegjësisht mund të përdoret si burim edukativ. Duke i lexuar artikujt, duke i vëzhguar se si prezantohen argumentet dhe si mbështeten ato nga burime të verifikuara dhe burime të besueshme, ai beson se verifikimi i fakteve ndihmon në rritjen e edukimit mediatik tek lexuesit.