Nesër nga Izraeli do të evakuohet një familje katër anëtarëshe nga Maqedonia e Veriut
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informoi se evakuimi i katër personave, gjegjësisht një familjeje (një nënë dhe tre fëmijë), është konfirmuar për nesër. Vendet janë siguruar përmes Ministrisë së Transportit të Izraelit, në kuadër të fluturimeve të organizuara që përdoren për evakuimin e shtetasve të huaj nga Izraeli. Fluturimi është planifikuar […]


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informoi se evakuimi i katër personave, gjegjësisht një familjeje (një nënë dhe tre fëmijë), është konfirmuar për nesër. Vendet janë siguruar përmes Ministrisë së Transportit të Izraelit, në kuadër të fluturimeve të organizuara që përdoren për evakuimin e shtetasve të huaj nga Izraeli. Fluturimi është planifikuar nga Tel Avivi në Athinë, transmeton Portalb.mk.
“Sipas kësaj, ashtu si edhe evakuimi paraprak i kryer me aeroplan qeveritar më 17 qershor, që nga 23 qershori, numri i përgjithshëm i shtetasve maqedonas të interesuar për evakuim nga Izraeli është 25. Megjithatë, jo të gjithë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta bërë këtë menjëherë. Pritet që një numër shtesë i shtetasve tanë të jenë në gjendje të evakuohen nga Izraeli në ditët në vijim. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, përmes Ambasadës në Tel Aviv, mbetet në komunikim të vazhdueshëm dhe është plotësisht në dispozicion të shtetasve maqedonas deri në evakuimin e tyre të sigurt”, thonë nga MPJ.
MPJ paraprakisht u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të përmbahen nga udhëtimet në vendet e Lindjes së Mesme ku situata e sigurisë është përkeqësuar seriozisht.
Mëngjesin e 13 qershorit, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.
Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e disa komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamor iranian.
Irani u është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve, duke lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse.
Sulmet, prej atëherë kanë vazhduar nga të dyja palët.
Në këtë konflikt është përfshirë edhe SHBA, e cila më 21 qershor goditi tre objekte bërthamore iraniane, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.