Mickoski nga Tirana: Të veprojmë së bashku për stabilitet dhe integrim evropian
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe rrugës drejt Bashkimit Evropian. “Sot mora pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, së bashku me liderët dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mickoski në një […]

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe rrugës drejt Bashkimit Evropian.
“Sot mora pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, së bashku me liderët dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mickoski në një postim në Facebook.
Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të përbashkët në përballje me sfidat e kohës:
“Samiti iu kushtua avancimit të bashkëpunimit rajonal, stabilitetit dhe afrimit drejt BE-së, duke theksuar rëndësinë e veprimit të përbashkët përballë sfidave me të cilat përballet kontinenti ynë”.
Në diskutimet e mbajtura gjatë samitit, sipas tij, u ndanë ide dhe qëndrime për thellimin e integrimit rajonal:
“Në diskutimin e hapur u shkëmbyen qëndrime për tema kyçe që synojnë forcimin e lidhjes së rajonit me pjesën tjetër të Evropës”.
Mickoski përfundoi duke nënvizuar rëndësinë strategjike të pjesëmarrjes në këtë forum ndërkombëtar:
“Pjesëmarrja dhe angazhimi ynë në këtë Samit është një dëshmi e përkushtimit tonë për pjesëmarrje aktive në proceset evropiane dhe ndërtimin e një fqinjësie të qëndrueshme dhe të begatë”.