“Kush e ka radhën”: Deklarata e kryeministrit se prindërit e viktimave në Koçan po sulmojnë qeverinë është e turpshme

“Kanë kaluar pothuajse tre muaj nga tragjedia në Koçan, ku 62 jetë të reja humbën jetën në një diskotekë pa licencë pa respektuar protokollet themelore të sigurisë. Në vend të mbështetjes dhe drejtësisë së vërtetë, familjet e të ndjerëve po përballen me heshtje, injorim dhe tani me akuza”, thonë nga iniciativa “Kush e ka radhën”, […]

qershor 13, 2025 - 13:30
 0
“Kush e ka radhën”: Deklarata e kryeministrit se prindërit e viktimave në Koçan po sulmojnë qeverinë është e turpshme
18.03.25 Protesta në Shkup për tragjedinë e zjarrit në Koçan. Foto nga Fisnik Xhelili Portalb.mk

“Kanë kaluar pothuajse tre muaj nga tragjedia në Koçan, ku 62 jetë të reja humbën jetën në një diskotekë pa licencë pa respektuar protokollet themelore të sigurisë. Në vend të mbështetjes dhe drejtësisë së vërtetë, familjet e të ndjerëve po përballen me heshtje, injorim dhe tani me akuza”, thonë nga iniciativa “Kush e ka radhën”, transmeton Portalb.mk. 

Nga kjo iniciaativë reagojnë ndaj deklaratës së kryeministrit, në të cilën prindërit akuzohen për “sulm ndaj qeverisë” për arsye politike, duke vënë në dukje se është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe e turpshme. Sipas tyre, në vend të empatisë dhe mbështetjes institucionale, shohim përpjekje për të shpërqendruar – nga thelbi, nga dhimbja, nga korrupsioni sistemik që çoi në këtë tragjedi.

“Prindërit po protestojnë sepse kanë humbur gjënë më të vlefshme – fëmijët e tyre. Ata po protestojnë që e njëjta gjë të mos ndodhë përsëri. Ata po protestojnë për drejtësi. Ky nuk është një sulm politik, por dhimbje njerëzore që kërkon përgjegjësi”, theksojnë “Kush e ka radhën?”.

Nga aty, ata u kujtojnë autoriteteve se qytetarët tashmë kanë dhuruar – përmes taksave të tyre.

“Nuk është detyra e tyre të mbledhin donacione për të lënduarit dhe familjet e tyre. Është detyrim i shtetit. I institucioneve. I atyre që paguhen për të shërbyer, jo për të fajësuar. Në vend të premtimeve për infrastrukturë në vitin 2030, Koçani tani ka nevojë për mbështetje. Konkrete. Financiare. Psikologjike. Ligjore. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për vendosje të drejtësisë”, thekson iniciativa.

Siç shtojnë ata, ky nuk është një moment për llogaritje politike, por një moment për humanizëm, përgjegjësi dhe solidaritet.

“Çdo gjë tjetër është një arratisje nga faji dhe bashkëfajësi në pandëshkueshmëri”, theksojnë “Kush e ka radhën?”.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.