Kabineti i Arben Fetait thotë se Karakamisheva nuk është kryetare e grupit punues, por punon në përpilimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Kabineti i zëvendëskryeministrit Arben Fetai, kuadër i ASH-së, fraksioni i Arben Taravarit, deri dje partner koalicioni me VLEN, e aktualisht partner qeverisës i VMRO-DPMNE -së deri në vendimin e radhës të kryeministrit Hristijan Mickoski, ka reaguar në lidhje me lajmin e Portalb.mk, me titull: “Profesoresha kontroverse Karakamisheva me ‘mision patriotik’, kryetare e grupit punues që […]


Kabineti i zëvendëskryeministrit Arben Fetai, kuadër i ASH-së, fraksioni i Arben Taravarit, deri dje partner koalicioni me VLEN, e aktualisht partner qeverisës i VMRO-DPMNE -së deri në vendimin e radhës të kryeministrit Hristijan Mickoski, ka reaguar në lidhje me lajmin e Portalb.mk, me titull: “Profesoresha kontroverse Karakamisheva me ‘mision patriotik’, kryetare e grupit punues që merret me ligjin e ri për përfaqësim të drejtë”.
Rikujtojmë opinionin se Portalb.mk që nga premtimi i dhënë për gjetjen e një zgjidhje ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, nga koalicioni VLEN, në vazhdimësi ka kërkuar përgjegjësi për procesin dhe fazat nëpër të cilat po kalon përpilimi i ligjit kurse kabineti i Fetait në secilën kërkesë tonën nuk kanë dhënë informata konkrete dhe ka heshtur, madje në rastin e fundit duke e vlerësuar kërkesën tonë si të panevojshme.
Megjithatë, të kontaktuar nga burime që ndjekin procesin na siguruan që Karakamisheva ka marrë rolin si kryesuese e grupit, dhe vendosëm të publikojmë informatën duke mos pritur më vërtetim nga kabineti i Fetait sepse thuajse tre muaj (që nga muaji shkurt) nga ky kabinet kërkojmë përgjigje të cilat janë me interes publik për një ligj kaq me rëndësi për shqiptarët.
Kjo jo-transparencë e skajshme e këtij institucioni hap shumë pikëpyetje për fatin e këtij ligji. Informacioni për anëtarët e këtij grupi punues, që për arsye të panjohura për publikun po mbahen në fshehtësi, janë zbuluar edhe nga mediat tjera në vend.
Më poshtë, pa asnjë ndërhyrje, reagimi i kabinetit të zëvendëskryeministrit Arben Fetai:
DEMANT
Të nderuar,
Ju shkruajmë lidhur me shkrimin me titull: Profesoresha kontroverse Karakamisheva me ‘mision patriotik’, kryetare e grupit punues që merret me ligjin e ri për përfaqësim të drejtë, të botuar me 26 Prill të vitit 2025 në portalin Portalb.mk.
Në hyrje të këtij shkrimi, janë prezentuar pohime të pavërteta. Në interes të informimit të drejtë të opinionit dhe standardeve të profesionit të gazetarisë kërkojmë nga ju, që në afat sa më të shkurtër, të korrigjoni pohimet që shtrembërojnë faktet.
E para, profesoresha Tanja Karakamisheva nuk është kryetare e Grupit të punës, që përpilon Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Dhe e dyta, zëvendëskryeministri i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai dhe zëvendëskryeministi i parë, Izet Mexhiti, nuk ia kanë besuar Tanja Karakamishevës pozitën e kryetarit të Grupit të punës. Kjo është një shpifje tendencioze.
Ju përkujtojmë se me 17 shkurt të vitit 2025, gazetari i Portalb, Xhenis Sulimani, iu drejtua kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, me pyetje lidhur me ecurinë e diskutimit të përpilimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Gazetari Sulimani, ndër të tjera pyet se kush janë palët e përfshira në Grupin e punës për përpilimin e Ligjit.
Në përgjigjen e kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, në mënyrë të qartë theksohet se Grupin e punës e udhëheqin zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
E paqartë është pse Portalb ka nevojë të spekulojë për emrin e drejtuesit të Grupit të punës për përpilimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, kur në përgjigjen e kabinetit ka pasur përgjigje të qartë.
Poashtu, spekulativ është pohimi për shtyrjen e miratimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë adekuat duke u thirrur në procedurën parlamentare dhe ekspertizën para Komisionit të Venedikut.Në këtë mënyrë paragjykohet një proces, i cili mund të mbarojë shumë më shpejt se sa spekulohet në shkrim.
Me respekt,
Kabineti i Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë
- LEXO: Derisa t’i kalojë të gjithë fazat, Ligji për përfaqësim të drejtë mund të vonojë edhe më shumë se një vit
- LEXO: FE me pyetje deri te VLEN: Ku mbeti ligji për përfaqësim të drejtë?
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mickoski: Nuk duam të sjellim një implant që pastaj ta hedhim
- LEXO: VLEN: Inspektorati Shtetëror i Administratës do të sanksionojë shkeljet e Ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
- LEXO: Nga vrulli në prolongim, VLEN i hëngri disa herë fjalët e veta: Nuk u bëhet vonë për Ligjin për përfaqësim të drejtë
- LEXO: RMV, Balancuesi iku në histori: Si e arsyetoi Kostadinovski vendimin dhe cilat janë pasojat eventuale?