Iniciativa “Kush e ka radhën?” me kërkesë drejtuar Qeverisë për e-inspektorat, për nesër paralajmëroi protesta
Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën” do të fillojë me etapa dorëzimin e kërkesave për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 61 persona. Përfaqësuesi i lëvizjes, Umer Muhamedi, në një konferencë për media para Qeverisë ka bërë të ditur se do të fillojnë me dorëzimin zyrtar në arkivë të të gjitha institucioneve që i konsiderojnë […]


Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën” do të fillojë me etapa dorëzimin e kërkesave për zjarrin në Koçan, ku humbën jetën 61 persona. Përfaqësuesi i lëvizjes, Umer Muhamedi, në një konferencë për media para Qeverisë ka bërë të ditur se do të fillojnë me dorëzimin zyrtar në arkivë të të gjitha institucioneve që i konsiderojnë kompetente për zbatimin e kërkesave, transmeton Portalb.mk.
Ata sot kanë dorëzuar kërkesën e tyre të parë – vendosjen e një e-inspektorati, përmes të cilit do të futen të gjithë procesverbalet e inspektimeve të kryera. Sipas tij, synimi i tyre është që të gjithë të dinë nëse një objekt hotelerie është i sigurt apo jo.
“Do të jetë një ueb-faqe ku secili prej nesh do të mund që përmes emrit të lokalit të shohë se çfarë kanë konstatuar inspektimet. Në rast se shkruani emrin e subjektit dhe nuk del asgjë, do të thotë se po kryen një aktivitet që nuk është i regjistruar në regjistrat përkatës”, shpjegoi Muhamedi.
Muhamedi theksoi se kjo nuk është kërkesë e re, por është paraqitur disa javë më herët, vetëm zyrtarisht po e parashtrojnë kërkesën sepse institucionet nuk kanë reaguar kur është paraqitur publikisht.
I pyetur nëse do të bëheshin parti politike apo subjekt politik nëse kërkesat e tyre do të shpërfilleshin nga pushteti, Muamedi theksoi se aktualisht nuk kanë ambicie të tilla dhe se “janë këtu për ndryshime sistemore”, sepse, siç thotë ai, e kemi të gjithëve të qartë se kushdo që të vijë në pushtet, me një sistem të tillë, asgjë nuk do të ndryshojë.
“Sistemi harron, ne jo!” – nën këtë slogan, nisma “Kush e ka radhën?” paralajmëroi një tjetër protestë që do të zhvillohet nesër, e enjte me fillim nga ora 18:00 para Qeverisë. Prej aty është planifikuar marsh përmes Këshillit Gjyqësor dhe Parlamentit drejt Gjykatës Penale
“Sistemi harron – por ne nuk harrojmë. Kujtojmë çdo traumë kolektive që përdorin politikanët për të na përçarë. Çdo gënjeshtër që përhapin për të na trembur, çdo padrejtësi që përdorin për të na mbyllur gojën”, thuhet në njoftimin e protestës.
Ata thonë se prej dy muajsh qytetarët kërkojnë ndryshim, “por asgjë nuk po ndryshon”.
“Pas katër protestave u shtuan aksidentet. Pas tre forumesh padrejtësia u rrit. Pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, deputetët u bënë të heshtur edhe më shumë”, thonë nga “Kush e ka radhën?”.
Protestat e këtilla nisën menjëherë pas zjarrit të rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, ku jetën e humbën 61 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.