Gjorgjievski: Deri në fund të këtij muaji të gjithë kryetarët e komunave duhet të kenë procesverbal për sigurinë e objekteve në kompetencë të tyre
Deri në fund të këtij muaji, të gjithë kryetarët e komunave duhet të sigurojnë procesverbal për sigurinë e shkollave, kopshteve, sallave sportive dhe të gjitha institucioneve kulturore në kompetencë të tyre, të cilat më pas do të ndahen me Qeverinë dhe publikun në një takim të përbashkët koordinues, njoftoi sonte kryetari i Komunës së Kisella […]


Deri në fund të këtij muaji, të gjithë kryetarët e komunave duhet të sigurojnë procesverbal për sigurinë e shkollave, kopshteve, sallave sportive dhe të gjitha institucioneve kulturore në kompetencë të tyre, të cilat më pas do të ndahen me Qeverinë dhe publikun në një takim të përbashkët koordinues, njoftoi sonte kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, i cili është edhe kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), transmeton Portalb.mk.
Në lidhje me kontrollet në objektet që filluan pas tragjedisë në Koçan, në sferën e sigurisë, Gjorgjievski në edicionin e mbrëmshëm të emisionit “Top Tema” në TV Telma tha se disa komuna tashmë janë duke vepruar.
“Konkluzioni i BNJVL-së është se në shumicën e rasteve e kam parasysh edhe komunën time, me nënshkrimet e të gjithë ekspertëve që kanë marrë pjesë në proces vërtetohet se ka dokumentacion të plotë, aparatet e zjarrit, hidrantët janë të numëruara dhe të gjitha janë të sakta. Të gjithë kryetarët e komunave deri në fund të këtij muaji duhet të sigurojnë procesverbale për shkollat, çerdhet, për sallat sportive dhe për të gjitha institucionet kulturore që i kanë në juridiksionin e tyre, t’i ndajmë me Qeverinë, në një takim të përbashkët koordinues, si dhe me publikun”, tha Gjorgjievski.
Kryetari i Komunës së Kisella Vodës tha se gjatë kontrolleve janë konstatuar anomali të caktuara në kopshte, por që siç tha ai nuk janë të përmasave të mëdha dhe që nuk mund të zgjidhen në një kohë të shkurtër.
Siç tha ai, bëhet fjalë për objekte që janë ndërtuar sipas standardeve të ndryshme, gjegjësisht disa kanë qenë të vlefshme gjatë RSFJ-së, e të tjera sipas rregullores së re.
“Për shembull, në Komunën Qendër, kopshtet janë ndërtuar sipas standardeve të RSFJ-së, ku është rekomanduar që çerdhja të jetë në katin e dytë dhe sipas rregullores së re çerdhja duhet të jetë në katin e parë. E gjithë kjo konsiderohet si një nga kushtet që duhet t’i plotësojë kopshti për momentin. Në periudhën e ardhshme kryetarët e komunave do të duhet t’i përshtatin, pra të ndërhyjnë në ato pjesë ku nuk plotësohen kushtet”, tha ai.
Anomali, siç tha ai, janë konstatuar edhe në shtëpitë e të moshuarve, ku, shtoi ai, do të duhet të ndërmerren veprime në periudhën e ardhshme për të bërë përshtatje për plotësimin e kushteve.
Gjorgjievski theksoi se sistemi ekzistues bazohet në të drejtën diskrecionale të inspektorëve, në vend të afateve të përcaktuara me ligj për veprim. Ai deklaroi se nevojitet një ndryshim ligjor që do të vendosë kontrolle të detyrueshme inspektuese, veçanërisht për objektet me interes publik si kopshtet, shkollat dhe sallat sportive.
“Te ne ajo që mungon, për mendimin tim, janë ndryshimet në ligj, në pjesën që duhet të veprohet në një periudhë të caktuar. Vlen edhe për shërbimet e inspektimit. Tani, për fat të keq, është lënë në vullnetin e mirë të inspektorit. Kush me kë njihet, dhe kush sa shpejt mund të marrë një vërtetim të caktuar, miratim. Shumë shpesh është diskutuar në periudhën e kaluar se a është dashur të ndodh një situatë e tillë që të bëjmë kontrolle të jashtëzakonshme, në të gjitha objektet publike”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, siguria e objekteve publike nuk duhet të varet nga vullneti i mirë, por nga detyrimet e përcaktuara sistematikisht.
Kujtojmë se të gjitha institucionet kanë intensifikuar aktivitetet kontrolluese, të cilat vijnë pas tragjedisë në Koçan, që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.