Gjorgjievska-Pavlovska: Pacientët e vendosur në Klinikën për Kirurgji Plastike do të kenë nevojë për transplantim të lëkurës
Në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Rikonstruktive kemi tre pacientë me plagë të hapura që kërkojnë fasha të përshtatshme, ndërsa disa kanë nevojë për transplantim të lëkurës, tha sot drejtoresha e klinikës, Jasmina Gjorgievska Pavlovska, e cila së bashku me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Jovica Andovski, dhe drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, informuan […]


Në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Rikonstruktive kemi tre pacientë me plagë të hapura që kërkojnë fasha të përshtatshme, ndërsa disa kanë nevojë për transplantim të lëkurës, tha sot drejtoresha e klinikës, Jasmina Gjorgievska Pavlovska, e cila së bashku me zëvendësministrin e Shëndetësisë, Jovica Andovski, dhe drejtorin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, informuan për situatën me personat e lënduar në katastrofën që ndodhi në Koçan, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
“Pacientët ishin në një gjendje shumë të rëndë. Jemi mirënjohës ndaj të gjitha vendeve që i pranuan dhe i trajtuan ata pacientë. Por shkalla e lëndimeve është e madhe, bëhet fjalë për djegie shumë të thella, me plagë të thella, dhe do të kenë nevojë për trajtim më të gjatë dhe periudha e rehabilitimit do të jetë pak më e gjatë”, tha ajo.
Drejtoresha informoi se të gjithë pacientët kanë numrat e telefonit të ekipeve të Klinikës dhe se mund t’i telefonojnë në çdo kohë kur kanë nevojë për pyetje dhe trajtim të përshtatshëm.
Zëvendësministri Andovski informoi se ditët e fundit, dy pacientë janë kthyer nga Bullgaria dhe dy nga Serbia, dhe se 11 pacientë aktualisht po trajtohen jashtë vendit dhe janë në gjendje të qëndrueshme.
Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Katër pacientë të tjerë që u lënduan në zjarrin e Koçanit më 16 maj u kthyen nga jashtë vendit dhe do të mbahen nën vëzhgim në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohrit”. Në qendrat mjekësore të huaja për trajtim kanë ngelur edhe 11 pacientë të tjerë të lënduar në zjarrin e Koçanit.
- LEXO: 11 pacientë ende jashtë vendit, të gjithë ata që ishin të pranishëm kur ndodhi zjarri duhet të paraqiten për vlerësim në Spitalin e Koçanit
- LEXO: Katër pacientë nga zjarri në Koçani kthehen në vend, 11 pacientë të tjerë mbeten në qendrat e huaja mjekësore
- LEXO: Tragjedi në Koçan: 62 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj