Opozita kërkoi detaje të marrëveshjes me Britaninë, për Qeverinë e RMV-së kjo është sjellje e papjekur

Opozitarja Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë (LSDM) e mbështet Marrëveshjen për partneritet strategjik të Maqedonisë së Veriut me Mbretërinë e Bashkuar, dhe deputetët e opozitës do të votojnë për ratifikimin e saj në Kuvend. Por, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikon Qeverinë dhe kërkon që ajo të japë detaje rreth dy marrëveshjeve, si për Marrëveshjen për […]

maj 19, 2025 - 23:30
 0
Opozita kërkoi detaje të marrëveshjes me Britaninë, për Qeverinë e RMV-së kjo është sjellje e papjekur
Kryeministri Hristian Mickoski dhe lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe. Foto nga profili zyrtar i Mickoskit në Facebook

Opozitarja Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë (LSDM) e mbështet Marrëveshjen për partneritet strategjik të Maqedonisë së Veriut me Mbretërinë e Bashkuar, dhe deputetët e opozitës do të votojnë për ratifikimin e saj në Kuvend. Por, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikon Qeverinë dhe kërkon që ajo të japë detaje rreth dy marrëveshjeve, si për Marrëveshjen për partneritet strategjik ashtu edhe për Marrëveshjen qeveri-qeveri, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.

Marrëveshja qeveri-qeveri e Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut pritet të nënshkruhet në Londër deri në fund të kësaj jave pune, ndërsa data për nënshkrimin e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik nuk është caktuar ende.

Kryetari i LSDM-së, Filipçe, sot, më 19 maj, theksoi se është veçanërisht e rëndësishme të dihen të gjithë parametrat e Marrëveshjes me Britaninë, sepse ajo përfshin “shuma të mëdha parash, interesa që nuk e dimë se sa janë dhe të cilat do të paguhen nga brezat e ardhshëm”.

“Qeveria ka detyrim të publikojë të gjitha informacionet. Ne e mbështesim absolutisht marrëveshjen për bashkëpunim strategjik, por mënyra e kreditimit për projekte të tilla e shënon këtë qeveri si antievropiane”, tha Filipçe.

Ai shpjegoi se në vend që të bllokojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, Qeveria duhet të përfitojë nga mundësitë e ofruara nga BE-ja, siç janë grantet e pakthyeshme.

Kryeministri Mickoski iu përgjigj kritikave duke thënë se partia opozitare po ndjek një politikë përmes së cilës kritikon gjithçka që bën qeveria dhe për të, kjo është një politikë nihiliste.

“Gjithçka që po bën kjo qeveri nuk po funksionon. Kjo është sjellje e papjekur kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar”, tha Mickoski.

Lideri i LSDM-së, Filipçe, gjithashtu e pyeti qeverinë, pas informacioneve në disa media britanike, “nëse është e gatshme të diskutojë vendosjen e migrantëve në vendin tonë”.

Mickoski më parë mohoi se marrëveshja e angazhonte vendin të pranonte emigrantë, duke shpjeguar se bëhej fjalë për bashkëpunim midis forcave policore dhe një trajtim më të mirë të grupeve kriminale.

Ndryshe, më 16 maj u arrit Marrëveshja bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u vlerësua si një marrëveshje historike nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Marrëveshja u nënshkruar në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ku u takua kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Më 17 maj, Mickoski në prani të Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shkup, Metju Loson, sqaroi që investimet në vlerë prej 6 miliard euro pritet të bëhen në infrastrukturën, shëndetësinë dhe transportin e Maqedonisë së Veriut.