E Majta: Kafiteria në pronësi të zëvendësministres nga VLEN ka marrë 9.000 euro nga Komuna e Çairit, heshtje nga KSHPK-ja e kompromentuar


Komuna e Çairit dhe zëvendësministrja e VLEN-it, Kaltrina Zekolli-Shaqiri përmes skemës skandaloze kanë arritur të nxjerrin të holla nga buxheti i komunës në mënyrë jotransparente dhe korruptive. Njëherit, Komuna e Çairit ka paguar thuajse 9.000 euro një kafiterie e cila është në pronësi të drejtëpërdrejtë të funksionares së VLEN-it, edhe atë vetëm në periudhën pasi Zekolli-Shaqiri mori funksionin, thonë sot përmes kumtesës nga E Mjata, njofton Portalb.mk.
“Kjo është shkelje e ashpër e Ligjit për prokurime publike, i cili qartë thotë se çdo furnizim mbi 1.000 euro duhet të realizohet përmes procedurës transparente të tenderit. Ndarja e këtillë e të hollave buxhetore firmave të cilat janë në pronësi të funksionarëve qeveritarë është shembull eklatant për konflikt interesash, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion politik”, thonë nga E Majta.
Në mënyrë plotësuese, për konflikt interesash flet edhe fakti që zëvendësministrja Kaltrina Zekolli-Shaqiri është zëdhënëse e mëparshe pikërisht në Komunën e Çairit.
E Majta i bën thirrje Komisionit të Antikorrupsionit përfundimisht të fillojë profesionalisht ta bëjë punën e tij, në vend që ta fshehë nga mediat ceritifikatin e drejtorit për drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare. Në vend që të heshtë para korrupsionit qeveritar, KSHPK-ja duhet menjëherë të hapë lëndë për ndarjen skandaloze të të hollave buxhetore firmave në pronësi të funksionarëve qeveritarë.
Portalb para disa ditëve zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit. Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy. Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit. Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike. Komuna e Çairit s’i komenton transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.