Drejtori i Spitalit të Tetovës u mbyll në zyrë, punonjësit shëndetësorë vijuan protestën për rroga dhe vendime
Dhjetëra punonjës shëndetësorë të Spitalit të Tetovës edhe sot kanë protestuar pasi kanë mbetur pa kontrata pune dhe pa zgjidhje të statusit të tyre të punës me vite të tëra. Ata kërkojnë që kjo vuajtje të përfundojë dhe të kenë punë të sigurt. Ndonëse janë shtylla kyçe e sistemit shëndetësor, shteti me vite të tëra […]


Dhjetëra punonjës shëndetësorë të Spitalit të Tetovës edhe sot kanë protestuar pasi kanë mbetur pa kontrata pune dhe pa zgjidhje të statusit të tyre të punës me vite të tëra. Ata kërkojnë që kjo vuajtje të përfundojë dhe të kenë punë të sigurt. Ndonëse janë shtylla kyçe e sistemit shëndetësor, shteti me vite të tëra ua ka kthyer shpinën. Drejtori i Spitalit të Tetovës u mbyll në zyrë dhe nuk dha deklaratë për media, shkruan Portalb.mk.
Punonjësit shëndetësorë shprehen se nuk kanë marrë rroga me muaj, disa madje edhe me vite. Ata kërkojnë që t’ju zgjidhet statusi i punës dhe të marrin vendime, sepse kanl punuar me kontrata me vite.
“Ne jemi stafi mjekësor. Ata që çdo ditë e çdo natë japin gjithçka për pacientët. Në repartet më t vështira, në emergjencë, në çdo cep të këtij spitali. Por sot: Nuk kemi paga, nuk kemi kontrata, nuk ka vendime, nuk ka respekt. Spitali i Tetovës mbahet gjallë nga ne – Por neve na kanë harruar! Ne nuk po kërkojmë dhuratë. Kërkojmë pagën tonë të vonuar! Kërkojmë kontratën tonë të munguar! Kërkojmë vendimet e merituara dhe premtuara- boll më me rena. Sa kohë do të vazhdojë kjo padrejtësi? Nuk do të heshtim! Nuk do të ndalemi, sepse pa ne nuk ka spital! Pa paga – ka protestë! Spitali i Tetovës na njeh. Pacientët na vlerësojnë. Është koha që edhe drejtuesit të veprojnë. Pagat tona janë të drejta. Zëri ynë nuk ndalet. Dinjiteti ynë nuk negociohet. Mjekët shpëtojnë njerëz. Stafi jon shpëtojnë mjekët. Pyetja është… Se kush do te na shpëtojë neve”, thonë punonjësit e Spitalit.
Drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha u mbyll në zyrë, nuk doli të japë deklaratë për mediat edhe pse gazetarët e pritën para derës. Ai kishte autorizuar motrën kryesore të spitalit, Dita Zaimin të flasë në emër të tij.
“Unë jam këtu me autorizim të drejtorit për shkak se ditën e premte drejtori më duket se u prononcu në lidhje me pyetje dhe kërkesat e të punësuarëve që janë me kontratë edhe sot pasi më tepër për shumica janë motra, infermiere dhe punëtor teknikë ai më autorizoi dhe më lutje të japë unë një deklaratë për shkak se është çështja e infermiereve. Nuk ndihem mirë normal (për situatën e infermiereve) të gjithë jemi për rrogë normal se ajo është, mirëpo ju thashë edhe në fillim këto nuk janë probleme që janë kriju tani po janë probleme të trashëguara dhe këtu s’ka të bëj as drejtoria asgjë, janë probleme që janë trashëguar prej më parë dhe duhet pak kohë për t’u zgjidh. Besoni se paraprakisht është e vërtetë se na u premtua se do ketë edhe konkurse, punësime, se do tu jepen vendime të punësuarve prej ministrisë, normalisht urdhërat vijnë prej më lart, nuk vijnë prej këtu. Ne nuk mund t’i sajojmë këto gjëra. Ne gjithsesi jemi në pritje, si të zgjidhet ministri i ri, shpresojnë sa më shpejt të zgjidhen edhe këto probleme se gjithmonë personeli shëndetësor është deficit. I lus të formojnë një grup pune, dhe t’i shënojnë kërkesat e tyre dhe t’i adresojnë në Ministri. Me vendime punë janë 400 e ca. Çdo kërkesë që varet prej neve është realizuar. (Nëse largohen këto motra nga puna) do të ketë kolaps në Spital, por do mundohemi që ta zgjidhim. 250 deri në 300 motra duhen për të funksionuar Spitali pa problem. problemi nuk është në Spitalin e Tetovës, por në të gjithë Maqedoninë. Është vetëm paga e prillit pa u paguar”, tha kryeinfermierja Zaimi.
Për këtë problem sot kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, ata thonë se punëtorët shëndetësorë me të drejtë reagojnë ndaj zvarritjes disavjeçare të procesit të angazhimit të tyre me vendime të rregullta pune.
“Kjo situatë jo vetëm që ndikon negativisht në moralin dhe motivimin e tyre, por e dëmton seriozisht edhe funksionimin e sistemit shëndetësor publik. Loja e pakuptimtë dhe denigruese mes qeverisë, ish-ministrit të Shëndetësisë dhe drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë ka çuar në degradimin e mëtejshëm të figurës së mantelbardhëve. Kjo papërgjegjësi institucionale po i demoralizon të rinjtë profesionistë të shëndetësisë, të cilët tashmë mezi presin të largohen drejt vendeve të tjera, duke e lënë vendin pa resurse humane thelbësore”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ata kërkojnë që Qeveria të thërrasë seancë urgjente, me pikë të vetme në rend dite: punësimi emergjent me vendime të rregullta i të gjithë personelit të mesëm shëndetësor.
Kujtojmë që drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha javën e kaluar theksoi se ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij muaji dhe se kjo çështje varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave.
“E drejta e tyre për protestë është e drejtë demokratike, por si grup është dashur të më njoftojnë. Unë pres brenda muajit të ardhshëm të zgjidhet kjo çështje”, tha Berisha më 30 maj.
Ndërkaq lidhur me situatën e punonjësve shëndetësorë në Spitalin e Tetovës, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari javën e kaluar tha se ka kërkuar punësimin e tyre, por se VLEN e ka kundërshtuar.
“Arsyet pse kam lëshuar këtë Qeveri po bëhen gjithnjë e më shumë të qarta. Një rast i dhimbshëm është ai i motrave medicinale të spitalit të Tetovës të cilat janë pa vendim dhe pa rrogë. I kërkoja me insistim punësimet e tyre por VLEN e kundërshtonte, sepse ata donin punësime partiake”, theksoi Taravari.
Derisa Taravari ishte ministër, premtoi që deri në fund të vitit 2024 ose fillim të vitit 2025, do të ketë punësime të reja, të cilat nuk u bënë.
Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa ministër.
Për shkak të largimit në opozitë, Arben Taravari dha dorëheqje nga ky funksion.
Për ministër të Shëndetësisë është propozuar Azir Aliu, por që ende nuk është emëruar në këtë funksion.
Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës.
Në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm.
Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023.
Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.