Dha dorëheqje nga pozita e deputetit, Salim Sulejmani: ASH ka devijuar nga fryma e parimeve

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravari, Salim Sulejmani ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake të ASH-së dhe nga pozita e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk. Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se, […]

maj 18, 2025 - 15:45
 0
Dha dorëheqje nga pozita e deputetit, Salim Sulejmani: ASH ka devijuar nga fryma e parimeve
Salim Sulejmani, Foto nga profili zyrtar në Facebook

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravari, Salim Sulejmani ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake të ASH-së dhe nga pozita e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se, për çështje të parimeve personale dhe përgjegjësisë ndaj votuesve.

“Koalicioni VLEN nuk ishte një bashkim i rastësishëm politik. Ai lindi si rezultat i domosdoshëm dhe i vonuar i zhgënjimit të thellë që shqiptarët përjetuan për vite me radhë nga BDI, një parti që për më shumë se dy dekada ka qenë pjesë e pushtetit dhe është prezantuar si përfaqësuesja legjitime e shqiptarëve, por realiteti ka treguar të kundërtën, ajo u shndërruar në një strukturë të izoluar, të lidhur ngushtë me interesat personale dhe klanore, duke keqpërdorur pushtetin për pasurim të një grushti individësh dhe duke injoruar hallet e qytetarëve të thjeshtë. Parti që dikur erdhi me premtimin e përfaqësimit të denjë, por përfundoi duke u shndërruar në simbol të korrupsionit, arrogancës dhe kapjes së shtetit. Unë u bëra pjesë e VLENI-it, sepse besoja se ky koalicion u krijua pikërisht si antipod i kësaj strukture të kalbur, si një alternativë politike që synon të rikthejë shpresën, të rivendosë drejtësinë dhe t’i japë shqiptarëve përfaqësimin e denjë që u mungon prej vitesh”, ka shkruar ai.

Sulejmani më tej ka theksuar se, Aleanca për Shqiptarët me veprimet e fundit, ka devijuar nga kjo frymë politike dhe është larguar nga qëllimet për të cilat u bashkuan me koalicionin VLEN.

“Afrimi me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale ka sjellë një devijim të rëndë nga parimet për të cilat ishim angazhuar. Ky bashkëpunim politik është një shkelje e premtimeve tona dhe e përfaqësimit që qytetarët shqiptarë meritojnë. Ky veprim për mua është i papranueshëm, pasi nuk mund të jem pjesë e një aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda”, ka theksuar ai.

Pas përplasjeve me partitë e tjera të koalicionit VLEN, Aleanca për Shqiptarët edhe zyrtarisht është ndarë nga grupi parlamentar i VLEN-it. Grupi parlamentar i VLEN-it u riformatua dhe tash numëron 9 deputetë, ndërsa koordinator u zgjodh deputeti Bekim Qoku.

Kujtojmë se turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.

Kjo nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.