Bullgaria prezantoi planin e Korridorit 8 para ambasadorëve të BE-së dhe NATO-s: Presim përgjigje nga Shkupi
Bullgaria është plotësisht e përgatitur që të nënshkruajë marrëveshje me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur gërmimi i tunelit hekurudhor kufitar, tha ministri bullgar i Transportit dhe Lidhjeve, Grozdan Karaxhov, i cili së bashku me ministrin e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike Ivan Ivanov dhe ministrin […]


Bullgaria është plotësisht e përgatitur që të nënshkruajë marrëveshje me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur gërmimi i tunelit hekurudhor kufitar, tha ministri bullgar i Transportit dhe Lidhjeve, Grozdan Karaxhov, i cili së bashku me ministrin e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike Ivan Ivanov dhe ministrin e Mbrojtjes Atanas Zaprijanov prezantuan planet për zhvillimin e Korridorit 8 para ambasadorëve në NATO në BE, transmeton Portalb.mk.
Në ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Kompanisë Kombëtare të Infrastrukturës Hekurudhore dhe Agjencisë së Infrastrukturës Rrugore, njoftoi BGNES.
Zëvendëskryeministri Karaxhov dha informacion të detajuar për projektet hekurudhore në territorin bullgar përgjatë Korridorit 8 dhe theksoi se tuneli ndërkufitar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm një lidhje fizike midis dy vendeve, por edhe një mundësi për lëvizje të papenguar nga Adriatiku në Detin e Zi.
“Presim përgjigje dhe komente nga Shkupi për marrëveshjen e propozuar për të planifikuar një takim ekspertësh për ta diskutuar atë”, theksoi Karaxhov.
Ai shprehu gatishmërinë se nëse Maqedonia nuk ka kundërshtime lidhur me dokumentin, atëherë nënshkrimi i tij do të organizohet menjëherë. Sipas tij, Bullgaria mund të fillojë menjëherë ndërtimin e pjesës së munguar prej 2,4 kilometrash nga Gjuesheva deri në kufi, por fillimisht duhet të ndërtohet objekti i tunelit”, njofton Ministria e Transportit.
Ministri bullgar i Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike Ivan Ivanov bëri thirrje për përshpejtimin dhe përqendrimin e përpjekjeve për zbatimin e projektit.
“Problemet e përditshme me të cilat përballet qeveria jonë kërkojnë vëmendje të madhe dhe përgjigje urgjente. Në të njëjtën kohë, megjithatë, nuk duhet të humbasim fokusin në qëllimet strategjike që mund t’i çojnë vendet tona në një nivel tjetër. Kjo është tema me Korridorin 8”, tha Ivanov.
Zhvillimi i infrastrukturës bazë, përfshirë lidhjen hekurudhore me Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas ministrit bullgar të Mbrojtjes Atanas Zaprijanov, është i një rëndësie të veçantë për Bullgarinë dhe duhet bërë gjithçka që është e mundur për të arritur përparim të dukshëm në një periudhë të shkurtër kohore.
“Lëvizshmëria ushtarake është një prioritet për ne. Bullgaria mbështet zhvillimin e mëtejshëm të lëvizshmërisë ushtarake jo vetëm si një projekt kryesor për bashkëpunimin midis NATO-s dhe BE-së, por edhe për rritjen e rolit të sigurisë rajonale nëpërmjet lidhjes më të mirë të kontigjentit evropian,” shtoi Zaprijanov.
Ndryshe, një muaj më parë, ministri i Transportit të Maqedonisë, Aleksandar Nikollovski e raportoi Bullgarinë te institucionet dhe bankat evropiane pasi qeveria e atjeshme vendosi të devijojë paratë për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë. Ai i ka dërguar një letër delegacionit evropian, por edhe Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH-it, me të cilat është lidhur një marrëveshje kredie mbi 300 milionë euro për lidhje me fqinjin lindor.
Ndryshe, modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Kështu deklaroi ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski në shkurt të këtij viti, i cili shtoi se krahas kësaj pike, kolegët bullgarë kanë biseduar edhe për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë dy vendet, si dhe për obligimin që duhet të marrë Sofja për ndërtimin e hekurudhës nga Gjuesheva deri në kufirin me shtetin, gjatësia e së cilës do të jetë rreth katër kilometra.
Në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nga viti 2017, u angazhua që deri në vitin 2027 të ndërtohet linja hekurudhore Shkup-Sofje.