BDI, ASh dhe VLEN pro veprimeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit: “Jo armëve bërthamore”

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe VLEN, kanë reaguar për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe rrezikun nga përhapja e armëve bërthamore. Të tria partitë mbështesin qëndrimet e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s të orientuara pro Izraelit dhe kundër Iranit. Në thelb, ata pretendojnë se angazhimi i tyre […]

qershor 23, 2025 - 13:30
 0
BDI, ASh dhe VLEN pro veprimeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit: “Jo armëve bërthamore”
Flamuri i SHBA-ve dhe Iranit. Foto: Theasis në Canva

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe VLEN, kanë reaguar për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe rrezikun nga përhapja e armëve bërthamore. Të tria partitë mbështesin qëndrimet e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s të orientuara pro Izraelit dhe kundër Iranit. Në thelb, ata pretendojnë se angazhimi i tyre është kundër armëve bërthamore, për paqe dhe siguri kolektive, transmeton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe mbështet përpjekjet e koordinuara të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore në duar të regjimeve autoritare. Zhvillimet e fundit tregojnë se bota demokratike nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë rrezikut të një Irani të armatosur bërthamor, që do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale, paqen në rajon dhe të drejtat e miliona qytetarëve të pafajshëm”, thonë nga BDI.

BDI rithekson përkushtimin e saj ndaj paqes, sigurisë kolektive dhe partneritetit të pathyeshëm me SHBA, NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

ASH: Armët bërthamore janë kërcënim për njerëzimin, jo garanci për siguri

Aleanca për Shqiptarët nga ana tjetër shpreh gjithashtu shqetësim për përshkallëzimin e rreziqeve globale që burojnë nga zhvillimi dhe përhapja e armatimit bërthamor.

“Siguria ndërkombëtare nuk ndërtohet mbi kërcënimin bërthamor, por mbi bashkëpunimin, paqen dhe respektin për vlerat universale të lirisë dhe demokracisë. Aleanca për Shqiptarët përkrah fuqishëm qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndaj programit bërthamor të Iranit, si dhe ndaj çdo përpjekjeje për të minuar paqen globale përmes fuqisë shkatërruese. SHBA-të mbeten aleati ynë më i rëndësishëm, partneri strategjik dhe miku ynë i pazëvendësueshëm. Ne jemi thellësisht të përkushtuar në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të orientimit euroatlantik të vendit tonë dhe të gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Në kohë sfidash të mëdha, qëndrimi ynë duhet të jetë i palëkundur: më pak armë bërthamore, më shumë diplomaci; më pak kërcënime, më shumë besim në paqe”, thonë nga ASH.

VLEN: Mbështesin përpjekjet e partnerëve për mbrojtjen e sigurisë globale

VLEN gjithashtu është pozicionuar përkrah SHBA-së dhe Izraelit në konfliktin me Iranin. Si pjesë e pushtetit, thekson rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë për ruajtjen e paqes.

“Shteti ynë, VLEN mbështesin përpjekjet e partnerëve strategjikë për mbrojtjen e sigurisë globale.
Si subjekt politik serioz pjesë e pushtetit, jemi kundër përhapjes dhe përdorimit të armëve bërthamore si dhe kundër kërcënimeve bërthamore, dhe në këtë drejtim japin mbështetje për veprimet e fuqishme dhe të vendosura si dhe diplomacinë e partnerëve tanë drejt arritjes së këtij qëllimi. Maqedonia e Veriut është partnere e përkushtuar e ShBA-së, NATO-s dhe BE-së. Ne kemi nevojë për një botë ku siguria dhe dialogu janë vlera që askush nuk guxon t’i rrënojë”, thuhet në reagimin e VLEN.

BDI, VLEN dhe Aleanca për Shqiptarët mbështesin qëndrimin perëndimor për të ndaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, duke theksuar rrezikun që një regjim autoritar të posedojë një arsenal të tillë. Megjithatë, qëndrimet e tyre, si e një pjese të madhe, nuk adresojnë faktin se edhe Izraeli, një nga nëntë vendet që zotërojnë armë bërthamore, mban rreth 90 koka bërthamore sipas Iniciativës për Kërcënimin Bërthamor. Kjo tregon një qëndrim të njëanshëm, ku mbështetja për parandalimin e armatimit bërthamor nuk shoqërohet me thirrje për çnuklearizim të plotë dhe universal, përfshirë edhe vendet aleate.

Mëngjesin e 13 qershorit, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e disa komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamor iranian.

Irani u është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve, duke lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse.

Sulmet, prej atëherë kanë vazhduar nga të dyja palët.

Në këtë konflikt është përfshirë edhe SHBA, e cila më 21 qershor goditi tre objekte bërthamore iraniane, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.