Taravari Mexhitit: Mos luaj rolin e të pafajshmit, ishe pjesë aktive e regjistrimit që sot e denoncon

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka akuzuar zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti se po përpiqet të luaj rolin e të pafajshmit, kur në fakt ai ka qenë pjesë aktive e regjistrimit që sot vetë e denoncon. Sipas tyre, habia më e madhe është se narrativa e Mexhitit për regjistrimin është e sinkronizuar me atë të Hristijan […]

qershor 28, 2025 - 13:30
 0
Taravari Mexhitit: Mos luaj rolin e të pafajshmit, ishe pjesë aktive e regjistrimit që sot e denoncon
Arben Taravari dhe Izet Mexhiti. Foto nga profili i Mexhitit në Facebook

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka akuzuar zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti se po përpiqet të luaj rolin e të pafajshmit, kur në fakt ai ka qenë pjesë aktive e regjistrimit që sot vetë e denoncon. Sipas tyre, habia më e madhe është se narrativa e Mexhitit për regjistrimin është e sinkronizuar me atë të Hristijan Mickoskit, i cili siç thonë nga kjo parti, si vendim i parë si kryeministër nënshkroi përjashtimin e diasporës shqiptare nga përllogaritjet zyrtare. Kjo është goditja më e rëndë për përfaqësimin real të shqiptarëve, që nga pavarësia e shtetit, thuhet më tej në reagim, transmeton Portalb.mk.

“Për ironi të fatit, Izet Mexhiti, që në vitin 2021 ishte nënkryetar i BDI-së, sot mundohet ta paraqesë veten si politikan i pastër dhe i padëmtuar, gati sikur ka zbritur para një viti nga qielli, duke harruar rolin që ka luajtur për dy dekada në keqqeverisjen shqiptare.  Si mund të flasë për manipulim, ai që e votoi vetë Ligjin e Regjistrimit?
Mexhiti ka qenë pjesë aktive e të gjitha vendimeve që kanë dëmtuar shqiptarët në këtë vend, duke nisur nga keqmenaxhimi tre mandatësh në Komunën e Çairit, deri te pozicioni si deputet dhe funksionar i BDI-së, ku aprovoi edhe vendimin  që përjashtoi mbi 300 mijë shqiptarë nga diaspora”, thuhet në reagim.

Aleanca shton se sot, me dosje të trashë për kriminalitet urbanistik, të përmendura edhe nga vetë kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, Mexhiti bën rolin e politikanit të çiltër dhe të reformuar. Por sipas tyre, publiku e di mirë se “Grupi i Zjarrit” ishte vetëm një rikoshet politik i atyre që për 20 vite sunduan dhe u identifikuan si funksionarë të përjetshëm, jo reformatorë.

“Habia më e madhe është se narrativa e Mexhitit për regjistrimin është e sinkronizuar me atë të Hristijan Mickoskit, i cili si vendim i parë si kryeministër nënshkroi përjashtimin e diasporës shqiptare nga përllogaritjet zyrtare. Kjo është goditja më e rëndë për përfaqësimin real të shqiptarëve, që nga pavarësia e shtetit. Z. Mexhiti, shqiptarët nuk janë 24.3% – ata janë më shumë se 29.5%. Nëse nuk jeni në gjendje të mbroni interesin kombëtar shqiptar, të paktën mos e shërbeni agjendën politike të atyre që shqiptarët i shohin si qytetarë të dorës së dytë. Ju dhe grupi juaj sot nuk keni as fuqi politike, as legjitimitet popullor. Kjo është arsyeja pse partnerët tuaj maqedonas në qeveri nuk ju konsiderojnë si faktor relevant, por vetëm si dekor për të mbuluar agjenda që dëmtojnë shqiptarët në heshtje”, thuhet në reagim.

Gjykata Kushtetuese të enjten (26.06) informoi se “pjesët e shënuara të metodologjisë nuk janë në përputhje me vlerën themelore të rendit kushtetues – sundimin e ligjit, i cili rregullohet me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 dhe detyrimin kushtetues që të gjitha rregulloret të jenë të harmonizuara me ligjet dhe Kushtetutën, të rregulluara me nenin 51 të Kushtetutës, pastaj nenet 6, 7 dhe 17 paragrafi 2 alinea 1 i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Familjeve dhe Banesave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave i tejkaloi kompetencat e tij dhe, me një akt nënligjor, kreu kategorizimin e popullsisë rezidente dhe jorezidente, për të cilën nuk ka autorizim ligjor.

“Përgjegjësinë politike për zbatimin e regjistrimit e mori koalicioni i mëparshëm në opozitë, dhe mbetet të shihet nëse ka baza për përgjegjësi penale”, thotë Mickoski.

Kujtojmë se sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 i publikuar nga Enti Shtetërore e Statistikave, Popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut sipas përkatësisë etnike është si vijon:

  • 54.21% – Maqedonase
  • 29.52% – Shqiptarë
  • 3.98% – Turq
  • 2.34% – Rom
  • 0.44% – Vlleh
  • 1.18% – Serb dhe të tjerë

Popullsia rezidente e regjistrimit sipas deklarimit të përkatësisë etnike:

  • 58.44% – Maqedonas
  • 24.30% –  Shqiptar
  • 3.86% – Turq
  • 2.53%- Rom
  • 0.47% – Vlleh
  • 1.30% –  Serb
  • 0.87% – Boshnjakë

Popullsia e përgjithshme jorezidente e përfshirë në Regjistrimin ku përkasin qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë në 12 muajt e fundit – 258.932 persona, prej tyre:

  • 24.45% – Maqedonas
  • 66.36% – Shqiptar
  • 4.79% – Turq
  • 1.02% – Rom
  • 0.19%- Vlleh
  • 0.36% – Serb
  • 0.81% – Boshnjak dhe të tjerë

Sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021 pothuajse 37 përqind e apartamenteve të ndërtuara në Maqedoninë e Veriut janë të pabanuara. Në nivel shtetëror, janë ndërtuar rreth 840,000 apartamente, nga të cilat 307,000 janë bosh.

Krahasuar sipas numrit, apartamentet më të pabanuara janë në Shkup, pothuajse 60,000, që në përqindje është afër 28 përqind të numrit të përgjithshëm të apartamenteve. Shikuar sipas komunave, numri më i madh i apartamenteve të pabanuara është në Ohër, 17,800, që është më shumë se numri i apartamenteve të banuara (15,840) në këtë qendër turistike. Situata është e ngjashme në Kërçovë, ku ka pothuajse 13,000 apartamente të pabanuara, dhe 11,880 janë të banuara.