Siljanovska: Përgjegjësit nuk duhet t’i shmangen ligjit, drejtësisë dhe dënimit

Presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, sot pasdite pas tragjedisë së Koçanit iu drejtua qytetarëve, duke thënë se nuk është koha për përçarje dhe konfrontime dhe se drejtësisë dhe dënimit nuk do t’i shpëtojë askush që është përgjegjës, transmeton Portalb.mk. “Nuk është koha për përçarje dhe përballje, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë, të cilëve jeta […]

Mars 16, 2025 - 19:30
 0
Siljanovska: Përgjegjësit nuk duhet t’i shmangen ligjit, drejtësisë dhe dënimit
Zjarri në Koçan, foto nga Ivan Stoilkovic në Facebook

Presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, sot pasdite pas tragjedisë së Koçanit iu drejtua qytetarëve, duke thënë se nuk është koha për përçarje dhe konfrontime dhe se drejtësisë dhe dënimit nuk do t’i shpëtojë askush që është përgjegjës, transmeton Portalb.mk.

“Nuk është koha për përçarje dhe përballje, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë, të cilëve jeta u shua në një çast për shkak të arbitraritetit, improvizimit dhe manipulimit. Pa standarde dhe rregulla, asnjë biznes dhe aktivitet nuk mund të funksionojë. Askush përgjegjës këtë herë nuk duhet t’i shmanget ligjit, drejtësisë dhe dënimit”, tha Siljanovska Davkova.

Ajo ka treguar se mëngjesin e sotëm i ka vizituar të shtruarit dhe se familjarët e të plagosurit e kanë pritur atje, me shpresë dhe besim te stafi mjekësor. Jemi të gjithë në shok, tha ajo, duke treguar se është tronditur edhe vetë.

“Si nënë, si person, si presidente. Ende nuk mund ta besoj se tragjedia e tmerrshme në Koçan është realitet. Nuk di me çfarë fjalësh të shpreh ngushëllimet e mia për prindërit dhe të dashurit e të ndjerit. Dhimbja juaj e pamasë është gjithashtu e imja”, tha presidenti.

Siljanovska Davkova theksoi se disa vende kanë paralajmëruar ndihmën e tyre.

“Të lënduarit më kritik  transportohen në klinika të specializuara në Bullgari, Serbi, Greqi dhe Turqi për të marrë kujdesin dhe ndërhyrjen mjekësore të lartë. Njerëz të mirë nga i gjithë rajoni, Evropa dhe bota janë me ne. Nuk do ta harrojmë kurrë këtë akt bamirësie. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës”, tha Siljanovska Davkova në fjalimin e saj para publikut.

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.

LEXO MË SHUMË NË: