Tetë persona nga RMV që ndodheshin në Izrael mbërritën mbrëmë në Aeroportin e Shkupit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se grupi i parë i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që kërkuan evakuim nga territori i Izraelit mbërriti shëndoshë e mirë në aeroportin e Shkupit mbrëmë, transmeton Portalb.mk. Bëhet fjalë për tetë persona – katër fëmijë dhe katër të rritur – të cilët, si pjesë […]

qershor 18, 2025 - 09:30
 0
Tetë persona nga RMV që ndodheshin në Izrael mbërritën mbrëmë në Aeroportin e Shkupit
Tetë persona nga RMV që ndodheshin në Izrael mbërritën mbrëmë në Aeroportin e Shkupit. Foto: MPJTJ

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se grupi i parë i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që kërkuan evakuim nga territori i Izraelit mbërriti shëndoshë e mirë në aeroportin e Shkupit mbrëmë, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për tetë persona – katër fëmijë dhe katër të rritur – të cilët, si pjesë e një transporti më të madh të organizuar, lanë territorin e Izraelit dhe u drejtuan për në Egjipt, nga ku u transportuan në Shkup me një aeroplan në pronësi të Qeverisë.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, informoi për procesin e evakuimit të përfunduar me sukses përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se me këtë operacion “vendi ynë është ndër të parët në Evropë që organizon dhe zbaton kthimin e sigurt të qytetarëve të saj nga zona e konfliktit në Lindjen e Mesme”.

“Ministria, përmes përfaqësisë diplomatike dhe konsullore në Tel Aviv, mbetet në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e mbetur maqedonas që ndodhen në territorin e Izraelit. Për të gjitha pyetjet dhe mbështetjen konsullore, numrat e telefonit të detyrës janë në dispozicion”, thuhet në njoftimin e MPJTJ.

Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në territorin e Izraelit dhe Iranit, nëse kanë nevojë për ndihmë konsullore, të kontaktojnë menjëherë institucionet kompetente përmes numrave telefonikë të emergjencës (SOS).

Paraprakisht, ministria apeloi te të gjithë shtetasit të shmangin udhëtimet drejt vendeve të këtij rajoni deri në përmirësimin e situatës së sigurisë.

Mëngjesin e 13 qershorit, Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar “zemrën” e programit bërthamor iranian.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e disa komandantëve dhe shkencëtarëve bërthamor iranian.

Irani u është kundërpërgjigjur këtyre sulmeve, duke lëshuar afër 100 raketa dhe është zotuar se do të vazhdojë sulmet hakmarrëse.