Përsëri po përhapen të pavërteta në RMV rreth vaksinimit kundër Covid-19 dhe vdekshmërisë
Statistika për personat që kanë ndërruar jetë gjatë vitit të kaluar, e paraqitur në tekstin e postimit që po e shqyrtojmë, përfaqëson një operacion standard statistikor – publikohet çdo vit dhe nuk ka lidhje me pandeminë e Covid-it apo me vaksinimin. Në faqen e Entit Shtetëror të Statistikave mund të gjenden raportet për vdekshmërinë gjatë […]


Statistika për personat që kanë ndërruar jetë gjatë vitit të kaluar, e paraqitur në tekstin e postimit që po e shqyrtojmë, përfaqëson një operacion standard statistikor – publikohet çdo vit dhe nuk ka lidhje me pandeminë e Covid-it apo me vaksinimin. Në faqen e Entit Shtetëror të Statistikave mund të gjenden raportet për vdekshmërinë gjatë vitit paraprak (2024) së bashku me shkaktarët kryesorë, si dhe raportet për vitet tjera, shkruan Vërtetmatësi.
Për shembull, për vitin 2023 mund ta lexoni këtu.
Jemi duke shqyrtuar një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, ku thuhet:
Sidomos nga viti 2020 e deri më sot, mediat vazhdimisht kanë paraqitur dezinformata dhe gënjeshtra për të ashtuquajturën “pandemi”, përkatësisht “plandemi”, për “vaksinimet” dhe pasojat e tyre. Fatkeqësisht, është humbur besimi ndaj “mediave” të cilat janë të korruptuara, të paguara nga fondacionet e Sorosit dhe Bill Gates-it, dhe ngrihet pikëpyetja për saktësinë dhe vërtetësinë e njohurive dhe të dhënave që paraqesin! Vaksinimi – një nga mëkatet dhe krimet më të mëdha të kryera ndaj njerëzimit!
Në kuadër të postimit paraqitet edhe një fotografi nga një artikull medial, ku shfaqet vetëm titulli: “Vitin e kaluar në Maqedoni kanë vdekur 20.201 persona, më shumë burra se gra”. “Vërtetmatësi” e gjeti artikullin origjinal dhe prej tij rezulton se vdekshmëria e përmendur në titull, përkatësisht shifra prej 20.201 personave të vdekur në vitin 2024, nuk ka asnjë lidhje me Covid-in apo me vaksinimin kundër tij. Shifrat e paraqitura në tekstin që shpërndahet në postim janë të dhëna zyrtare për personat që kanë ndërruar jetë nga shkaqe të ndryshme në vitin 2024, dhe burimi i tyre është institucioni i vetëm zyrtar dhe i besueshëm për informim lidhur me vdekshmërinë – Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS)! Nuk është e vërtetë ajo që pretendohet në postim, se vaksinimi kundër Covid-19 ka ndikuar në këtë numër prej 20.201 vdekjeve në vitin 2024.
Në mënyrë të qartë është theksuar se shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vitin 2024 janë saktësisht të përcaktuar sipas gjendjeve shëndetësore, përkatësisht është bërë një përmbledhje statistikore sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve.
Sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, pjesën më të madhe të vdekjeve (në total 20.201 persona në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut) e zënë të ndjerët nga sëmundjet e sistemit qarkullues me 36.7 për qind, pastaj neoplazmat me 19.6 për qind, sëmundjet endokrine, të ushqyerjes dhe metabolike me 7.7 për qind, ndërsa sëmundjet e sistemit respirator janë të përfaqësuara me 4.1 për qind.
Vaksinimi kundër Covid-19 nuk është shkaktar i vdekshmërisë.
Nuk është i vërtetë pretendimi në postim se pandemia e Covid-it ka qenë një “plandemi”. Një pandemi që përfshin territorin e pothuajse të gjitha shteteve të botës nuk mund të planifikohet. Bëhet fjalë për një virus deri atëherë të panjohur, i cili e vendosi të gjithë planetin në një gjendje pasigurie, me një numër të madh të njerëzve të vdekur.
Në kundërshtim me atë që pretendohet në postim, jo mediat, por rrjete dhe përkrahës të teorive konspirative dhe pretendimeve të pambështetura, të paargumentuara mjekësisht, ishin ata që përhapën dezinformata gjatë pandemisë së Covid-it dhe gjatë fushatës së vaksinimit, e cila shpëtoi miliona jetë në mbarë botën.
Në postim, fjala “vaksinim” është vendosur në thonjëza, për të sugjeruar se nuk bëhej fjalë për vaksinim të mirëfilltë – një narrativë e vjetër dezinformuese që ishte e pranishme gjatë gjithë pandemisë. Me këtë u synua të njoftohej besimi i publikut në sistemin shëndetësor dhe në efikasitetin dhe sigurinë e vetë vaksinave kundër Covid-19. Lëvizjet antivaksinë përhapën pavërtetësi se vaksinimi ishte i dëmshëm, dhe madje pretenduan se bëhej fjalë për një “terapi gjenetike” – një pretendim që është hedhur poshtë dhe demantuar shumë herë.
Statistikat e paraqitura në tekstin e postimit që po e recensojmë, që kanë të bëjnë me personat që kanë ndërruar jetë gjatë vitit të kaluar, përfaqësojnë një procedurë standarde statistikore – publikohen çdo vit dhe nuk kanë lidhje me pandeminë e Covid-it apo me vaksinimin. Në faqen zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave mund të gjenden raportet mbi vdekshmërinë për vitin paraprak (2024), së bashku me shkaktarët kryesorë, por edhe për vite të tjera. Për shembull, për vitin 2023 mund ta lexoni këtu.
Sa i përket pohimit në postim se George Soros dhe Bill Gates kanë paguar mediat për të përhapur dezinformata, nuk është paraqitur asnjë provë. Mediat, gjatë tërë pandemisë dhe fushatës së vaksinimit, kryesisht janë mbështetur në informacionet zyrtare të shpërndara nga autoritetet shëndetësore të vendit dhe nga trupat ndërkombëtare që përfshijnë ekspertë të mjekësisë, duke transmetuar rekomandime dhe njohuri të momentit të bazuara në burime zyrtare.
Për të gjitha faktet e përmendura më lart, postimin që po e recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.