Nesër ose të hënën do të dihen masat që do të marrë Qeveria e RMV-së për çmimet e larta të produkteve ushqimore bazë

Qeveria është në pritje të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) që do t’i referohet kontrolleve të bëra te distributorët, furnitorët, prodhuesit dhe tregtarët dhe nesër ose të hënën do të informojë për masat që do të ndërmerren në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe për të cilat qytetarët po […]

shkurt 6, 2025 - 17:45
 0
Nesër ose të hënën do të dihen masat që do të marrë Qeveria e RMV-së për çmimet e larta të produkteve ushqimore bazë
Supermarket. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qeveria është në pritje të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) që do t’i referohet kontrolleve të bëra te distributorët, furnitorët, prodhuesit dhe tregtarët dhe nesër ose të hënën do të informojë për masat që do të ndërmerren në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe për të cilat qytetarët po organizojnë bojkot të zinxhirëve më të mëdhenj të marketeve, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, thotë se e drejta e qytetarëve për të bojkotuar marketet është legjitime dhe e kupton.

“Ne jemi të gatshëm dhe do të marrim të gjitha masat që kemi për të parandaluar këto situata të sikletshme”, tha Durmishi në konferencën e sotme për shtyp ku dha vetëm përgjigje të shkurtra me pretekstin se nuk donte të devijonte nga tema për të cilën thirret.

I pyetur se cili është mekanizmi në lidhje me bojkotin që paralajmërohet për nesër dhe nëse është vetëm për të dhënë mbështetje apo do të merret vendimi për ngrirjen e çmimeve, Durmishi tha se nesër do të raportojnë për gjithçka ka ndodhur në dy-tre javët e fundit dhe se mënyra spekulative e krijimit të të ardhurave të mëdha në kurrizin e qytetarëve nuk do të tolerohet.

“Kontrollet e distributorëve, furnitorëve, prodhuesve dhe tregtarëve po rrjedhin. Mbikëqyrja kryhet në të gjithë procesin, kontrollohet edhe sa është marzhi i vendosur nga tregtarët për një periudhë gjashtëmujore, nëse ka pasur manipulime dhe në bazë të atij raporti nga Inspektorati ne si qeveri do të marrim masat e duhura”, tha Durmishi duke shtuar se edhe IShT do t’i bëjë publike të dhënat.

Në pyetjen se si do të rimbushen në buxhet paratë e humbura nga ditët kur ka bojkot të tregjeve, të cilat sipas të dhënave nga Drejtoria e të Ardhurave Publike janë 18 milionë denarë vetëm nga dita e bojkotit, Durmishi përsëri tha se masat do të merren në bazë të raportit të IShT-së.

“Për shkak se ne kishim informacione se çmimet e produkteve bazë janë rritur, thamë se i kuptojmë dhe menjëherë morëm hapa – bëmë një takim me Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës në dhe IShT-në, u dham udhëzim që të dalin në terren dhe të monitorojnë në gjashtë muaj se si kanë lëvizur çmimet në markete. Kur të përfundojë ajo procedurë, në bazë të atij raporti do të marrim masat”, shtoi ai.

Ministri njoftoi gjithashtu se të hënën do të mbahet takim me përfaqësues të sindikatave, Organizatës së Konsumatorëve, Entit Shtetëror të Statistikave, Ministrisë së Financave dhe Bujqësisë, si dhe me përfaqësues të të gjitha institucioneve të tjera përkatëse lidhur me metodologjinë e re për llogaritjen e shportës së konsumit.

Sa i përket pagës minimale, Durimishi përmendi se Qeveria mbështet metodologjinë e dakorduar dhe nënshkruar nga të dyja palët, sindikatat dhe punëdhënësit.

“Nëse sindikatat dhe punëdhënësit bien dakord për një metodologji të re apo për disa kushte të reja, përllogaritje të reja, ne jemi këtu për t’i mbështetur”, tha ministrja.

Lidhur me thirrjen e re për bojkot të tregjeve që po përhapet këto ditë në rrjetet sociale, e që duhet të jetë nesër dhe që quhet “e premtja e zezë për merkatet”, edhe sot kryeministri Hristijan Mickoski, sikur edhe javën e kaluar, tha se e kupton revoltën e qytetarëve.

Ai pret që përmes dialogut me prodhuesit, distributorët, tregjet dhe konsumatorët të kapërcejnë gjithçka që po ndodh, që të mos ketë përshkallëzime dhe të mos ketë pasoja të mëdha.

“Unë jam një nga konsumatorët dhe po, ndonjëherë nxehem kur paguaj të njëjtat produkte me çmim më të lartë se ato çmime në fqinjësi. Kjo është pjesë e problemit dhe kemi edhe probleme të tjera. Ka produkte që nëse krahasohen me ato nga rrethina ndonjëherë janë dy deri në tre herë më të shtrenjta”, tha Mickoski.

Ai mendon se është e pamundur që të jetë rezultat i një marrëveshjeje të keqe, ose ndonjë detyrimi doganor, apo diçka tjetër.

Një numër i madh qytetarësh kanë vendosur të premten të mbështesin bojkotin e nisur në rrjetet sociale dhe të anashkalojnë marketet e mëdha zinxhirore, si reagim ndaj çmimeve të larta të produkteve.

Mungesa e radhëve pranë kasave në markete ra në sy që në mëngjes, kur dyert u hapën për konsumatorët dhe imazhi i marketeve gjysmë bosh vijoi gjatë gjithë ditës.

Më 31 janar, qytetarët në RMV bojkotuan marketet. Rafte plot me produkte, por pa blerës, ose me shumë pak blerës. Kjo ishte tabloja në disa tregje ditën e bojkotit të popullsisë që synohej në tregjet zinxhir, për shkak të çmimeve të larta të produkteve dhe pamundësisë për të përballuar rritjen e çmimeve. Qytetarët iu përgjigjën thirrjes për bojkot, duke u thënë pronarëve të tregut se çmimet janë shumë të larta për standardet e tyre.

Thirrjet për bojkot tregu që kanë qarkulluar në mediat sociale javën e kaluar kanë ardhur pasi dolën lajme për veprime të ngjashme civile në rajon – në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vende të tjera.

Shpallja e bojkotit u arsyetua nga i gjithë opinioni dhe mori mbështetje nga partitë politike, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.