Në jotransparencë dhe heshtje kalojnë konkurset në Komunën e Çairit

Komuna e Çairit nuk përgjigjet se pse nuk është transparente në publikimin e konkurseve publike. Komuna nuk ka postuar në uebin e saj, e as në rrjete sociale, konkursin për krijimin e zgjidhjes ideore për rregullimin e parterit dhe kopshtarisë së parkut në Komunën e Çairit, shkruan Portalb.mk. Komuna e Çairit më 26 dhjetor të […]

Prill 9, 2025 - 08:15
 0
Në jotransparencë dhe heshtje kalojnë konkurset në Komunën e Çairit
Komuna e Çairit, foto: Suad Bajrami

Komuna e Çairit nuk përgjigjet se pse nuk është transparente në publikimin e konkurseve publike. Komuna nuk ka postuar në uebin e saj, e as në rrjete sociale, konkursin për krijimin e zgjidhjes ideore për rregullimin e parterit dhe kopshtarisë së parkut në Komunën e Çairit, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Çairit më 26 dhjetor të vitit të kaluar (2024) në uebin marh.mk ka publikuar konkurs për zgjidhje ideore të parkut në Çair, por i njëjti konkurs nuk gjendet në rrjetet sociale të komunës, por as në ueb sajtin e saj, që janë adresa shumë më të njohura për opinionin sesa uebi marh.mk.

Te kushtet e konkursit, mes tjerash, shkruan se: “Konkursi është i përgjithshëm dhe anonim. Të drejtën e pjesëmarrjes kanë të gjithë personat juridikë dhe fizikë. Pjesëmarrësit e konkursit regjistrohen me shifër. Secili nga pjesëmarrësit ka të drejtë të marrë pjesë me një punim”.

Në përshtypjen e parë, gjithçka transparente, por mbyllja e komunës për komunikim rreth rastit në fjalë për të ndarë më shumë detaje rreth rastit shtron dyshimin e mostransparencës se si fitohen konkurset në institucionet tona dhe se sa është e pranishme meritokracia.

“Pse Konkursi nuk është publikuar në ueb faqen e komunës? Kush është lajmëruar deri më tash? Kur do të bëhen publike ofertuesit? Kur mbaron procedura e konkursit edhe a do të bëhet publike për opinionin?” Janë pyetjet që deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kemi marrë përgjigje nga ana e Komunës së Çairit.

Ndryshe, në renditjen e përgjithshme sipas Indeksit të Transparencës Aktive 2024, Komuna e Çairit radhitet e 77-a nga gjithsej 98 institucione të analizuara. Sipas analizës, “Transparenca aktive” nënkupton publikimin e informacionit me nismën e vetë institucioneve, pa u paraqitur asnjë kërkesë për qasje në atë informacion.