Ndotja e ajrit në Maqedoninë e Veriut: Plane ka, por para jo

Edhe këtë dimër Klinika për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim në lagjen Kapishtec që ndodhet në qendër të Shkupit për ngrohje ka blerë mazut, lëndë djegëse që e ndot jashtëzakonisht shumë mjedisin jetësor. Nga ana tjetër, në shkollën që ndodhet në afërsi të saj, fëmijët mësonin nëpër klasa ku ajri pastrohej me pastrues të ajrit, të […]

Prill 9, 2025 - 08:15
 0
Ndotja e ajrit në Maqedoninë e Veriut: Plane ka, por para jo
Ajri ndotur, ndotje, ambient, mjedis jetësor, Shkup, analiza ekonomike

Edhe këtë dimër Klinika për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim në lagjen Kapishtec që ndodhet në qendër të Shkupit për ngrohje ka blerë mazut, lëndë djegëse që e ndot jashtëzakonisht shumë mjedisin jetësor. Nga ana tjetër, në shkollën që ndodhet në afërsi të saj, fëmijët mësonin nëpër klasa ku ajri pastrohej me pastrues të ajrit, të cilët u siguruan nga komuna dhe prindërit, pasi nuk mjaftonin për të gjitha klasat, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Pastrues ajri këtë dimër u blenë edhe për kopshtet e fëmijëve në Çento, të cilat ende ngrohen me naftë, që gjithashtu nuk është energjens ekologjik. Në Shkup, qytetin i cili çdo dimër ndodhet lartë në listat e qyteteve më të ndotura në botë, qindra objekte publike për ngrohje blejnë lëndë djegëse që nuk janë aspak miqësore ndaj mjedisit jetësor, ndërkohë që të njëjtën gjë e bëjnë edhe një e katërta e amvisërive. Nga mazuti, nafta dhe qymyri e deri te drutë për ngrohje.

Edhe pas pesë dekadash diskutimi për këtë problem masat dhe veprimet për mbrojtjen nga ndotja e ajrit nuk kanë arritur ndonjë sukses, edhe pse ngrohja në dimër ka rezultuar të jetë një nga ndotësit më të mëdhenj në kryeqytet. Lufta kundër ndotjes së ajrit bëhet me shumë populizëm, pak para, pa një plan konkret dhe strategji konkrete kombëtare, me hapa të ngadaltë përpara, e herë pas here shënon edhe kthim prapa.

Kështu, për shembull, këtë dimër në dy shkolla sobat për ngrohje u zëvendësuan me të reja që funksionojnë me naftë. Njëra shkollë ndodhet në Berovë, ndërsa tjetra në Shkup. Në Shkup soba për ngrohje me peleta u zëvendësua me naftë, edhe pse për vite me radhë pikërisht subvencionet për soba me peleta ishin shtylla e luftës kundër ndotjes së ajrit.

Për ta kuptuar se niveli i ndotjes është alarmant, mjafton t’i shohim matjet nga stacionet shtetërore të monitorimit. Vetëm në muajin janar banorët e Shkupit kanë thithur ajër të rrezikshëm plot pluhur për plot 23 ditë. Analizat e fundit të Institutit të Shëndetit Publi  tregojnë se ky nivel i ndotjes së ajrit paguhet edhe në jetë njerëzish. Si pasojë e ajrit të ndotur çdo vit vdesin 3.583 njerëz.

Shtatë vjet pa strategji kombëtare

Rëndësia e strategjisë së fundit dhe të vetme pesëvjeçare kombëtare për përballje me ndotjen e ajrit përfundoi në vitin 2018. Një pjesë e madhe e aktiviteteve që ishin planifikuar në të mbetën të parealizuara, por një hap i madh para ishte vendosja e një farë rregulli në punën e industrisë dhe prezantimi i lejeve të integruara ekologjike. Kjo u pa edhe në matjet e cilësisë së ajrit, kur u shpërnda smogu i cili rregullisht për çdo vjet e pushtonte Shkupin.

Këto rezultate nuk u arritën brenda një dite, ndërsa vendimtar ishte vullneti politik dhe eurointegrimet, të cilat e theksuan nevojën e pranimit të direktivave të reja për cilësinë e ajrit ambiental. Për herë të parë ndodhi që një fabrikë të mbyllet për shkak të mosrespektimit të standardeve ekologjike. “Jugohrom”-i, i cili ishte një nga ndotësit më të mëdhenj të rajonit të Tetovës, pushoi së punuari, ndërsa ndërprerje më të gjatë kishte edhe në punën e “Hekuranës”.

“Por pastaj gjithçka sikur u ngadalësua,” kujton Lilijana Popovska, themeluese e partisë së gjelbër RDM, e cila i kaloi pothuajse dy dekada si deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Kur në vitin 2018 u shpall plani i ri për ajër të pastër nga qeveria e mëparshme, me të cilin RDM hyri në koalicion elektoral, Popovska thotë se priste ndryshime të mëdha. Por, u zhgënjye.

“Duhej të ndërroheshin të gjitha sobat në institucionet publike dhe ky proces filloi, por ngeci, paratë u ridestinuan… Të gjithë jemi tashmë të dëshpëruar dhe të lodhur që problemi nuk po zgjidhet plotësisht”, shton ajo.

I shpallur në vitin 2018 plani për ajër të pastër “programin e tij të parë buxhetor për reduktimin e ndotjes së ajrit” e mori një vit më vonë.

Ky program zgjati vetëm tre vjet dhe në asnjë prej tyre nuk u realizua plotësisht.

BIRN analizoi prokurimet publike të bëra përmes këtij programi, të cilat nxorrën në pah se lufta kundër ndotjes së ajrit praktikisht është reduktuar në një blerje prej 190 pastruesve të ajrit, rregullimin e parqeve, ndërrimin e dritareve dhe sistemit të ngrohjes në disa objekte – kryesisht shkolla dhe kopshte të fëmijëve, si dhe në subvencione për blerjen e inverterëve për banorët e Shkupit, Kërçovës, Manastirit dhe Tetovës.

Paratë për inverterët u shtuan më vonë kur qeveria e atëhershme kërkoi nga ESM-ja të ndante 10 milionë euro për këtë qëllim. Këto ishin edhe fondet më të mëdha në programin për përballje me ndotjen e ajrit. Për gjithçka tjetër, në tre vitet që ka ekzistuar ky program, mezi janë shpenzuar 3,2 milionë euro.

Si kusht për marrjen e subvencionit prej 1.000 euro u kërkua dorëzimi i sobave joekologjike me dru dhe me naftë, praktikë kjo që më pas u la pas dore, pasi filloi të lulëzojë biznesi i shitjes së sobave të vjetra tek shitësit e gjësendeve të përdorura. Qyteti i Shkupit i ndau këto subvencione për tre vjet, në vitin 2020, 2021 dhe 2022. Komunat tjera paratë i shpenzuan më shpejt.

Vitin e kaluar buxheti i Qytetit të Shkupit për mbrojtjen e mjedisit jetësor ishte ndër më të ulëtit në dekadën e fundit, gjegjësisht më pak se 300.000 euro. As këto mjete nuk u shpenzuan, të parealizuara kanë mbetur 240 mijë euro.

Nëse i shohim subvencionet e përgjithshme, të cilat si në planin trevjeçar ashtu edhe jashtë tij, iu dhanë amvisërive për ndryshimin e mënyrës së ngrohjes, për një dekadë arrihet një shifër pak mbi 15 milionë euro. Këtu përfshihen të gjitha subvencionet që u ndanë për inverterë dhe soba me peleta nga komunat anembanë vendit, Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Ekonomisë, të tërhequra nga programe të ndryshme për ajër të pastër, efikasitet energjetik, por edhe ndihmë për grupet e cenueshme.

Sipas përllogaritjeve të BIRN, pjesa më e madhe e këtyre parave është shfrytëzuar për inverterë dhe një pjesë shumë më e vogël për soba me peleta. Në gjashtë vitet e fundit që kur shteti filloi ta stimulojë ngrohjen elektrike, janë shpenzuar pothuajse 13 milionë euro për subvencione për inverterë, për pak më shumë se 20 mijë amvisëri.

Në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2021 u bë ndarja e mjeteve për stimulimin e ngrohjes me peleta. Me këtë lloj të subvencioneve të parat filluan komunat e rajonit të Shkupit dhe Manastirit, të cilat për këtë qëllim kanë shpenzuar gjithsej rreth 1 milion euro, me të cilat janë ndërruar më pak se 2.000 soba të tilla.

Pas vitit 2021 subvencione për soba me peleta në Shkup vazhdoi të japë komuna e Kisella Vodës, paralelisht me subvencionet për blerjen e peletave, por edhe për dru për djegie.

Pastaj me subvencione vazhdoi edhe Ministria e Ekonomisë, me çka kjo shifër u dyfishua, por pas vitit 2021 kjo praktikë u ndërpre, pasi në kulmin e krizës ekonomike çmimi i peletave u rrit aq shumë sa që ngrohja me to u bë e paleverdisshme.

Me të gjitha subvencionet arrihet deri tek shifra prej rreth 25.000 amvisërish që në dekadën e fundit kanë kaluar në ngrohje me energji elektrike dhe ngrohje me peleta. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, më shumë se 315.000 amvisëri janë ngrohur me burime joekologjike të energjisë.

Qeveri e re, program i ri për të luftuar ndotjen e ajrit

Tatjana Çakulevska, aktiviste nga nisma “O2”, në shtëpinë e saj në Karposh të Shkupit jeton me një pastrues të ajrit. Grupi joformal, i cili lufton për ajër më të pastër, kohëve të fundit paralajmëroi se sipas Direktivës së re për cilësinë e ajrit ambiental, vitin e kaluar vetëm banorët e Llazaropoles kanë thithur ajër sipas standardeve evropiane.

Për t’iu afruar këtyre standardeve, nga “O2” janë të mendimit se na duhet një qasje e re në zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit përmes marrjes së vendimeve konkrete dhe caktimit të afateve të qarta.

“Ne jemi pa plan kombëtar, nuk kemi dokument të ri që sistematikisht do ta adresojë problemin e ndotjes së ajrit. Qeveritë vijnë dhe sjellin zgjidhje ad hoc, por ndryshime reale nuk ka”, reagon Çakulevska.

Qeveria e re tani do ta zhvillojë këtë luftë përmes një “Programi Planor për Ajër të Pastër 2024-2030”. Në dokumentin e publikuar, i cili i ngjason me një prezantim më të gjatë në “power point” janë numëruar vetëm masat dhe janë caktuar afatet, por pa buxhet dhe plan veprimi konkret për çdo vit.

Ngrohja është pika e parë. Njoftohet për centrale kogjenerative, dru më cilësor për ngrohje, më shumë subvencione për inverterë, por tani edhe për kaldaja me gaz, si dhe zgjidhje të problemit me përdorimin e mazutit dhe lëndëve djegëse të ngurta në 600 institucione publike dhe shtetërore.

“Shteti nuk ndot – ne udhëheqim me shembull”, shkruan nën këtë pikë të planit.

Afati i gjithë kësaj është viti 2030. Por nuk ka asnjë informacion se si do të bëhet kjo dhe sa do të kushtojë. BIRN i dërgoi pyetje Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për një shpjegim më të detajuar se çfarë është planifikuar të bëhet këtë vit dhe në çfarë mënyre. Ata i pranuan pyetjet, por përgjigje nuk dhanë.

“Nëntë muaj pas ardhjes në pushtet të Qeverisë së re ne ende nuk kemi masa konkrete. Është e papërgjegjshme të lihen qytetarët të vuajnë përderisa ndotja mbetet e lartë”, reagon Çakulevska.

Padi kundër shtetit për ajër më të pastër

Gjykata Supreme njoftoi se për mosndërmarrjen e masave konkrete për parandalimin e ndotjes së ajrit qytetarët kanë mundësi ta padisin shtetin për ajrin e rrezikshëm që e thithin çdo ditë.

“Kemi arritëm ta ngrejmë këtë çështje në nivel të Gjykatës Supreme, e cila ka marrë një qëndrim parimor më 8 tetor të vitit 2024, me të cilin ka definuar se shteti është përgjegjës për mungesën e një plani kombëtar. Pa një dokument të tillë nuk ka masa dhe plan veprimi të përcaktuar qartë për të luftuar me ndotjen”, shpjegon Zharko Haxhi Zafirov, jurist dhe pjesë e Qendrës për Hulumtime de Analiza Juridike.

Kjo u pa edhe në dekadat e fundit përmes fushatës, e cila herë pas here arriti edhe në nivel të absurditetit.

Ashtu si me blerjet e pastruesve të ajrit, për të cilat janë shpenzuar disa qindra mijëra euro dhe janë blerë nga të gjithë, edhe shteti, edhe komunat, edhe institucionet publike… Një përshkrim më të detajuar jep shqyrtimi i procesverbaleve të këshillit të prindërve në njërën nga shkollat ​​fillore në Komunën Qendër, e cila në masat e saj kundër ajrit të ndotur rregullisht i përmend pastruesit e ajrit të blerë në “të gjitha shkollat ​​e kopshtet e fëmijëve”.

Vitin e kaluar në shkollë ka ndodhur një dramë e vërtetë kur prindërit kanë vendosur t’i kërkojnë këto pastrues të ajrit. Ato janë blerë në kulmin e krizës energjetike, por përdorimi ka qenë i ndaluar për të mos e keqpërdorur energjinë elektrike. Nga 20 aparate, aq sa duhej të kishte, prindërit gjetën vetëm gjysmën e tyre. Disa prej tyre kanë pasur nevojë për ndërrimin e filtrave për shkak të qëndrimit në kushte të këqija. Shkolla nuk ka pasur buxhet, prandaj paratë për këtë i kanë mbledhur prindërit.

Haxhi Zafirov sqaron se pa strategji shtetërore do të ketë vetëm masa pjesërisht të suksesshme.

“Kjo në realitet do të thotë se shteti nuk e ka prioritet këtë çështje. E vetmja zgjidhje për qytetarët është ta padisin shtetin, të thirren në të drejtën e tyre për një mjedis jetësor të shëndetshëm dhe të kërkojnë përgjegjësi për pasojat e ndotjes”, thekson ai.