Mucunski: Presim mirëkuptim nga BE-ja, kemi toleruar shumë
Statusi aktual i dosjes së Maqedonisë për BE-në, përkushtimi i ndërsjellë për tejkalimin e sfidave dhe domosdoshmëria e përshpejtimit të procesit integrues evropian, ishin në fokus të takimit të djeshëm të ministrit të Jashtëm të RMV-së Timço Mucunski dhe komisioneres për zgjerim të BE-së, Marta Kos. Takimi u zhvillua në Luksemburg, në margjinat e darkës […]


Statusi aktual i dosjes së Maqedonisë për BE-në, përkushtimi i ndërsjellë për tejkalimin e sfidave dhe domosdoshmëria e përshpejtimit të procesit integrues evropian, ishin në fokus të takimit të djeshëm të ministrit të Jashtëm të RMV-së Timço Mucunski dhe komisioneres për zgjerim të BE-së, Marta Kos. Takimi u zhvillua në Luksemburg, në margjinat e darkës joformale në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, transmeton Portalb.mk.
“Në takim, bashkërisht konfirmuam përkushtimin e Qeverisë për agjendën e reformave dhe përputhshmërinë e plotë të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit – që konfirmon më tej orientimin tonë strategjik dhe gjurmon një rrugë të besueshme dhe të besueshme drejt anëtarësimit të plotë në BE. Duke vepruar kështu, ne edhe një herë theksuam domosdoshmërinë e fillimit sa më të shpejtë të negociatave me Unionin”, ka shkruar ministri i Jashtëm në profilin e tij në Facebook.
Në takimin me komisioneren evropiane Kos është biseduar edhe për tragjedinë në Koçan.
Para mbledhjes së Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, ai i ka theksuar pritjet e Maqedonisë.
“Ne presim mirëkuptim për numrin e madh të lëshimeve që ne si vend kemi bërë në 30 vitet e fundit. Dhe presim mirëkuptim se për besueshmërinë e politikës së zgjerimit është e nevojshme të gjendet një mënyrë për të filluar negociatat për anëtarësim”, tha ai për TV “Alfa” nga Luksemburgu.
Ai tha se përveç dialogut me institucionet evropiane, dialogu po zhvillohet edhe me shtetet anëtare. Mucunski sot do të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut dhe zëvendëskryeministrin Havier Bettel.
E derisa Maqedonia pret mirëkuptim pas të gjitha tolerimeve të bëra, Sofja zyrtare nuk e konsideron atë pengesë në rrugën integruese të Maqedonisë. Prandaj ata theksojnë se kushtet nga të cilat varet integrimi janë fryt i një konsensusi evropian.
“Bullgaria ka një qëndrim shumë të strukturuar në lidhje me çështjen e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, integrimin evropian, sigurinë e rajonit dhe marrëdhëniet e ndërsjella ndërkufitare”, tha ministri i jashtëm bullgar Georg Georgiev në emisionin “Brussels 1” në TV bullgar ON AIR.
Kujtojmë se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.