Mbrojtja prezantoi dëshmitë në rigjykimin e rastit të spitalit modular, familjarët të pakënaqur: Përmendin dëmshpërblimet, nuk na kthejnë prapa të vdekurit
Seanca e rikgjykimit për zjarrin në spitalin modular ku vdiqën 14 persona sot vazhdoi me leximin e provave nga ana e avokatëve të të akuzuarve, të cilët nuk janë të thirrur në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera. Familjarët kërkojnë që sa më parë të nisë procesi tjetër ku para drejtësisë të […]


Seanca e rikgjykimit për zjarrin në spitalin modular ku vdiqën 14 persona sot vazhdoi me leximin e provave nga ana e avokatëve të të akuzuarve, të cilët nuk janë të thirrur në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera. Familjarët kërkojnë që sa më parë të nisë procesi tjetër ku para drejtësisë të dalin shkaktarët e zjarrit, shkruan Portalb.mk.
Fillimisht u lexuan dëshmitë nga avokati i Florin Besimit, më pas nga avokati i Artan Etemit dhe pastaj nga avokati i Spitalit të Tetovës.
Gjatë kohës që avokati i spitalit prezantoi dëmshpërblimet që kanë marrë familjarët e viktimave, në seancë reagoi Ibin Emshiu, i cili humbi babain dhe vëllaun.
Emshiu tha se është e panevojshme dhe jonjerëzore të përmenden dëmshpërblimet, sepse kjo nuk i kthen prapa të vdekurit, dhe se duhet të ketë empati për këtë pjesë.
Avokati i spitalit tha se e kupton këtë reagim emocional të Emshiut.
Paraprakisht edhe nga Gjykata në seancë theksuan se nuk ka nevojë për leximin e kësaj dëshmie për dëmshpërblimet, megjithatë avokati i lexoi.
Më pas, Prokuroria propozoi që të dëgjohen dëshmitarët e tyre, për të cilën u pajtuan avokatët e mbrojtjes.
U ra dakord që të dëgjohen edhe tre dëshmitarët e mbrojtjes së Florin Besimit.
Me këtë seanca u shty për në terminin e radhës më 22 prill për shkak se dëshmitarët nuk ishin të pranishëm.
Në seancën e radhës do të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë të cilat janë dhënë në gjykimin paraprak, për shkak të efikasitetit të prcedurës.
Ndërsa në seancë do të dëshmojnë tre dëshmitarët nga mbrojtja e Besimit.
Pas përfundimit të seancës së sotme, Ibin Emshiu para mediave deklaroi se reagimi i tij brenda në gjykatë erdhi si reagim emocional sepse
“Pata reagim sepse i kisha ndjenjat e mia dhe kur ma përmendën babain dhe vëllllaun se dikush ka dhënë ndihmë financiare, e bëra publikisht, ndoshta ndonjë fjali mund të më ketë eskaluar, unë nuk kërcënova personat aty, ata mbrohen se na kanë dhënë ndihmë financiare, u shpreha me ndjenjat e mia, nuk e toleroj veten të luajë dikush aty, duhet t’i vijë turp atij avokatit ta përmendë atë, sikur të kishin qenë anëtarët e tij të familjes ta shohin se si ai do të ndjehet. Jam i diskriminuar prej shtetit se deklaratat e mia nuk merren parasysh”, tha Emshiu.
Ai tha se si familjarë nuk janë të kënaqur se në bankën e të akuzuarve mungojnë edhe persona të tjerë përderisa prokuroria nuk intervenon t’i fusë në listë personat që duhet të dënohen.
“Nuk është çështja të mbrohen kështu (duke përmendur dëmshpërlbimet që kanë marrë familjarët), është çështja të flitet për çështjen e zjarrit, materialet që janë përdorur… Është pika e korrupsionit që nuk është hapur lënda për çështjen komplet, por është lënda a ka pasur aparate kundër zjarrit apo nuk ka pasur, nuk ka këtu seriozitet, duhet të hapet lënda si duhet”, tha Emshiu.
Në ndërkohë Prokuroria për Ndjeje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e cila tani e dy vite po zhvillon një hetim të dytë për zjarrin në spitalin modular ende nuk ka sjellë aktakuzë. Nuk tregojnë se kur pritet të ndodhë kjo.
“Çështja që ju intereson, e cila është formuar në lidhje me prokurimet publike të kryera për ndërtimin e spitaleve modulare në të gjithë vendin, është në procedurë para hetimore. Me urdhër të prokurorit publik është kërkuar dhe siguruar dokumentacion shtesë, i cili është analizuar nga një hetues nga Qendra Hetuese e Prokurorisë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ndërkaq, shkresat në formë ankese janë dorëzuar te Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat po ashtu janë duke u shqyrtuar”, thanë për Portalb.mk nga Prokuroria Për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit.
Në këtë rast akuzohen ish drejtori mjekësor i spitalit Florin Besimi, ish drejtori Ekonomik Artan Etemi dhe Spitali i Tetovës si person juridik.
Besimi dhe Etemi, akuzohen për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti rigjykohet pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë.
Megjithatë, të akuzuarit nuk akuzohen për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.
Kujtojmë që para pak ditëve në Tetovë u mbajt protestë për shkak të mos sjelljes së drejtësisë për këtë rast. Ndërsa familjarët kërkuan që të hapet hetim i ri për shkaqet e zjarrit dhe fajtorët e vërtetë të dalin para drejtësisë.
Deri më tani janë mbajtur gjashtë seanca të rigjykimit
Më 3 prill 2025 prokurorët publikë paraqitën provat, ndërsa nga prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve u morën në pyetje ekspertët të cilët kanë bërë ekspertizë menjëherë pas zjarrit.
Më 18 mars 2025 prokuroria ka paraqitur titujt e provave dhe prezantoi video dëshmitë, për të cilat pati kundërshtime nga avokatët, të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë. Nga kjo seancë u ndryshua gjykatësi, në vend të Jordan Vellkovskit erdhi Rexhep Musa.
Më 15 janar 2025 seanca u anulua pasi gjykatësi Jordan Vellkovski ishte në pushim mjekësor.
Më 5 nëntor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Jordan Vellkovski.
Më 25 shtator 2024 seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve.
Më 26 qershor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik të Tetovës.
Pse erdhi deri te rigjykimi?
Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Në rigjykim është kthyer një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.
Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.
“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.
Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit
Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.
Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.
Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.
Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”
Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.
Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Shumë protesta për drejtësi
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit dhe pas dokumentarit të IRL-së, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.
Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.
Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Çfarë ndodhi?
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një Zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.