Maqedonia e Veriut i rrezikon 6 milionë eurot e Bashkimi Evropian për digjitalizim, alarmoi prokurori Kocevski

Prokurori i shtetit, Lupço Kocevski, sot ka paralajmëruar se nëse shteti nuk i ndan një milion euro, mundësia është e madhe që të dështojë digjitalizimi i prokurorisë dhe të humbim grantin e Bashkimit Evropian prej 6 milionë euro, raporton DW, përcjell Portalb.mk. Kocevski para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Financa dhe Buxhet, kërkoi më shumë […]

Korrik 3, 2025 - 21:15
 0
Maqedonia e Veriut i rrezikon 6 milionë eurot e Bashkimi Evropian për digjitalizim, alarmoi prokurori Kocevski
Flamuri i BE-së dhe RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prokurori i shtetit, Lupço Kocevski, sot ka paralajmëruar se nëse shteti nuk i ndan një milion euro, mundësia është e madhe që të dështojë digjitalizimi i prokurorisë dhe të humbim grantin e Bashkimit Evropian prej 6 milionë euro, raporton DW, përcjell Portalb.mk.

Kocevski para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Financa dhe Buxhet, kërkoi më shumë fonde nga ribalancimi i buxhetit, me qëllim që të mundësohet funksionimi i qetë i prokurorive, por edhe zbatimi i detyrimeve nga agjenda e reformave për Maqedoninë e Veriut.

Gjashtë milionë euro mund të dështojnë

Përmes projektit IPA 3 për ndihmën para-anëtarësimit në BE, janë siguruar gjashtë milionë euro për digjitalizim, pajisje dhe sisteme për disa institucione kyçe shtetërore. Konkretisht, janë siguruar para për prokurorinë publike për një sistem të ri elektronik të menaxhimit të çështjeve, në vend të atij aktual, i cili është i vjetruar, jofunksional dhe nuk i plotëson nevojat e prokurorive.

“Kushti ishte një milion euro bashkëfinancim nga shteti, para që as nuk janë parashikuar as me rebalancin e buxhetit dhe për shkak të të cilave rrezikojmë të dështojë tenderi ndërkombëtar dhe të humbasim paratë nga IPA”, thotë Kocevski.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. 

Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.

Dje (2 korrik) në Komisionin për Financa dhe Buxhet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar debati për rebalancin e buxhetit për vitin 2025.