Krizë në Alternativa: Akuza për tenderë dhe manipulim, “këmisha e bardhë” njolloset!

Një përplasje e ashpër verbale ka shpërthyer brenda partisë Alternativa, pas një postimi të bujshëm në faqen zyrtare të partisë në Facebook, ku u hodhën akuza të drejtpërdrejta për vjedhje The post Krizë në Alternativa: Akuza për tenderë dhe manipulim, “këmisha e bardhë” njolloset! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 23, 2025 - 00:01
 0
Krizë në Alternativa: Akuza për tenderë dhe manipulim, “këmisha e bardhë” njolloset!

Një përplasje e ashpër verbale ka shpërthyer brenda partisë Alternativa, pas një postimi të bujshëm në faqen zyrtare të partisë në Facebook, ku u hodhën akuza të drejtpërdrejta për vjedhje dhe keqpërdorime të tenderëve në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë.

Postimi, i cili u publikua me firmën e Mensur Bajramit, përmbante thirrje publike për liderin e partisë Zeqirija Ibrahimi dhe anëtarin Bashkim Murtezi që të përgjigjen për “vjedhjet me tenderë në Kumanovë”. Ky mesazh ndezi menjëherë reagime të forta brenda partisë dhe në opinionin publik.

Alternativa reagoi zyrtarisht, duke deklaruar se faqja e tyre ishte hakuar nga një person i identifikuar si Mesut Bajrami, dhe se rasti është paraqitur për hetim në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Njoftojmë opinionin se faqja zyrtare e Alternativës është hakuar nga personi Mesut Bajrami. Rasti është paraqitur në organet kompetente. Theksojmë se personi në fjalë është i përjashtuar nga të gjitha organet e Alternativës dhe nuk ka asnjë lidhje me subjektin tonë”, thuhet në reagimin zyrtar.

Situata mori një kthesë të re dramatike kur faqja në fjalë ndryshoi emrin në “Hajnat e Alternativës”, duke rritur edhe më tej dyshimet për tensione dhe ndarje të brendshme në parti.

Ndërkohë, Mesut Bajrami, një figurë e njohur lokale në degën e Kumanovës, hodhi poshtë pretendimet për “hakerim”, duke deklaruar se faqja është krijuar dhe mirëmbajtur nga ai vetë.

“Faqja nuk është hakuar, por është hapur dhe është rritur e mirëmbajtur nga unë”, deklaroi Bajrami. Me ironi, ai shtoi: “T’fala Hajnave të Alternativës.”

Ky zhvillim ka nxjerrë në pah jo vetëm tensione të thella të brendshme, por edhe mangësi në menaxhimin dhe sigurinë e komunikimit zyrtar të partisë.

Ironikisht, përplasja ndodhi vetëm pak ditë pas një paraqitjeje të liderëve të koalicionit VLEN – ku bën pjesë edhe Alternativa – në të cilën ata u shfaqën simbolikisht me këmisha të bardha, si shenjë e pastërtisë, transparencës dhe integritetit moral.

Zhvillimet e fundit në partinë Alternativa, e cila u themelua mbi parimet e autenticitetit, autoktonisë dhe autonomisë politike, kanë zbuluar përçarje të thella të brendshme dhe mungesë koherence me identitetin e saj të shpallur si subjekt i qendrës së djathtë, moral dhe transparent.

Akuza publike për keqpërdorime, përplasje mes anëtarëve dhe manipulimi me faqen zyrtare të partisë në rrjetet sociale kanë njollosur imazhin e saj, duke vënë në pikëpyetje integritetin institucional dhe qasjen ndaj qeverisjes së brendshme në prag të angazhimeve elektorale të koalicionit opozitar.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si kjo krizë e brendshme do të ndikojë në imazhin dhe performancën elektorale të Alternativës në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe për asamblistë, ku ajo synon të jetë pjesë aktive e VLEN-it. Flaka Media

The post Krizë në Alternativa: Akuza për tenderë dhe manipulim, “këmisha e bardhë” njolloset! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .