Katër banka nga RMV u regjistruan në Këshillin Evropian të Pagesave, filloi anëtarësimi në SEPA
Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) ka regjistruar katër bankat e para nga Maqedonia e Veriut – tre të mëdha dhe një të mesme – në regjistrin e pjesëmarrësve në skemën e transferimit të kreditit SEPA. Ky hap i rëndësishëm shënon fillimin zyrtar të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në […]


Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) ka regjistruar katër bankat e para nga Maqedonia e Veriut – tre të mëdha dhe një të mesme – në regjistrin e pjesëmarrësve në skemën e transferimit të kreditit SEPA. Ky hap i rëndësishëm shënon fillimin zyrtar të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), transmeton Portalb.mk.
Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila koordinoi aktivitetet e anëtarësimit, paraprakisht mori miratimin për anëtarësim nga EPC më 6 mars 2025, duke e bërë vendin tonë pjesë të SEPA-s. Kjo u lejon bankave vendase të integrohen në skemat evropiane të pagesave për transaksionet në euro që mbulojnë 41 shtete anëtare.
Katër bankat e para do të fillojnë të ekzekutojnë transferimet e kreditit SEPA nga 6 tetori 2025. Tetë bankat e mbetura komerciale, të cilat njoftuan aplikimet e tyre midis qershorit dhe gushtit, pritet gjithashtu të regjistrohen në regjistrin e EPC dhe të fillojnë të operojnë brenda SEPA-s në të njëjtën datë.
Integrimi i bankave maqedonase në ekosistemin evropian të pagesave sjell përparësi të shumta për qytetarët dhe kompanitë. Kjo kryesisht do të thotë pagesa ndërkufitare më të shpejta, më efikase dhe më të lira në euro, si dhe lidhje dhe aktivitet më të madh ekonomik.
Banka Kombëtare mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të integrimit dhe do të vazhdojë të informojë rregullisht publikun për progresin.
Anëtarësimi në SEPA, siç u tha nga Banka Kombëtare, do të mundësojë ekzekutim më të shpejtë, më efikas dhe më të lirë të pagesave elektronike në euro për çdo vend anëtar të SEPA-s dhe do të ketë përfitime të shumta për qytetarët, kompanitë, por edhe për ekonominë e vendit në përgjithësi.
Për më tepër, anëtarësimi në SEPA do të thotë edhe integrim më të madh financiar të vendit në BE dhe përmbushjen e një prej qëllimeve më të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në Union.