Gjykata Themelore Tetovë: Kemi vepruar sipas ligjit në rastin e Teodorës duke shqiptuar dënim maksimal, kërkojmë të mos linçohemi
Nga Gjykata Themelore në Tetovë kanë dalë me reagim pas kritikave në opinion për aktgjykimin e shpallur ndaj Mensur Pajazitit, i cili më 7 prill u shpall fajtor për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, dhe u dënua me 2 vjet burg, pasi më datë 15.08.2022 shkaktoi aksident […]


Nga Gjykata Themelore në Tetovë kanë dalë me reagim pas kritikave në opinion për aktgjykimin e shpallur ndaj Mensur Pajazitit, i cili më 7 prill u shpall fajtor për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, dhe u dënua me 2 vjet burg, pasi më datë 15.08.2022 shkaktoi aksident në trafik ku vdiq 22-vjeçarja Teodora Ristovska. Nga Gjykata thonë se “gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit” dhe bëjnë thirrje që të mos linçohen dhe të mos cenohet pavarësia e gjyqësorit funksionimi i shtetit ligjor, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë caktimit të dënimit për të pandehurin, gjyqtari ka marrë parasysh si rrethanat rënduese ashtu edhe ato lehtësuese, përkatësisht: mënyrën e kryerjes së krimit, përgjegjësinë penale të të pandehurit, sjelljen e tij në sallën e gjyqit, rrethanat që lidhen me llojin, karakterin, peshën dhe seriozitetin e krimit, kushtet e rrugës, faktin se e ndjera ka kaluar rrugën në kalimin e shënuar për këmbësor, pasojat e dëmshme të ndodhura si pasojë e aktit të inkriminuar, fakti që përfaqësuesit ligjorë të të ndjerit iu bashkuan ndjekjes penale dhe ngritën kërkesë pasurore, faktin që i pandehuri e pranoi fajësinë, shprehu keqardhjen për ngjarjen, se i pandehuri nuk ishte dënuar më parë dhe se nuk po zhvillohej asnjë procedim për vepër tjetër penale”, thonë nga Gjykata e Tetovës.
Ata shtojnë se duke vlerësuar të gjitha rrethanat, gjyqtari, në procedurë të përsëritur, e ka dënuar të pandehurin me masën maksimale të lejuar me burg, duke marrë parasysh ndalimin e ndryshimit për më keq (Reformatio in peius) si parim i parashikuar në LKP, në një situatë kur me kërkesë të të pandehurit, Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë vendimet dhe e ka kthyer çështjen në shkallën e parë për rigjykim dhe për shkak të këtij ndalimi, aktgjykimi i ri nuk mund të ndryshohet në dëm të të pandehurit, as për cilësinë juridike të veprës dhe as për sanksionin penal.
“Nga sa u tha më lart, mund të konstatohet qartë se gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Tetovës kanë vepruar ekskluzivisht në përputhje me normat e parapara ligjore dhe për këtë arsye ne apelojmë të gjithë palët e interesuara në shoqëri që të përmbahen nga komentet e pajustifikuara, dhe të mos e përdorin këtë aktgjykim për sulme të pabaza ndaj gjyqtarëve, stigmatizim dhe linçim publik, që kanë vepruar në rastin konkret, për të arritur qëllime të tjera, sepse në këtë mënyrë cenohet reputacioni i gjyqtarëve, cenohet pavarësia e gjyqësorit dhe cenohet funksionimi i shtetit ligjor si përfitim themelor demokratik”, thonë nga kjo Gjykatë.
Reagimet publike ishin të forta, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor shqyrtimin e punës së gjyqtarit që vendosi ta dënojë shoferin me dy vjet burg, duke theksuar se një vendim i tillë paraqet “dështim të sistemit”.
Kritikave iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov, i cili deklaroi se reagimi i publikut është tregues i rëndësishëm i integritetit të dobët të sistemit gjyqësor.
Pas një presioni të tillë, Këshilli Gjyqësor tha do të shqyrtojë aktgjykimin e dhënë nga Elvedin Ferati.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, konfirmoi se kanë kërkuar rishikim të rastit dhe theksoi se nëse konstatohen mangësi në procedurë do të reagojnë. Kambovski tha se Këshilli Gjyqësor do t’i shqyrtojë të gjitha rastet kur ka dyshime për parregullsi në aktgjykimet gjyqësore.
- LEXO: Mickoski kërkoi të hetohet puna e gjyqtarit që e dënoi të akuzuarin me dy vjet burg për vdekjen e Teodora Ristovskës
- LEXO: Filkov: Këshilli Gjyqësor është i thirrur të reagojë pas reagimeve për vendimin për Teodorën
Më 7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit, për aksidentimin e Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë, e cila më pas ndërroi jetë në spital.
Ky rast ishte në rigjykim.
Paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës Pajazitin e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg.
Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet.
Kurse Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës.
Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.