“Dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë”, gjithçka u tha dhe ndodhi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Liderët e gjashtë partnerëve të BE-së nga Ballkani Perëndimor, në takim me komisioneren e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, sot në Shkup, riafirmuan vendosmërinë e tyre për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga Plani i Rritjes për rajonin, njoftoi Komisioni Evropian me rastin e takimit të sotëm të udhëheqësve në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. […]


Liderët e gjashtë partnerëve të BE-së nga Ballkani Perëndimor, në takim me komisioneren e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, sot në Shkup, riafirmuan vendosmërinë e tyre për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga Plani i Rritjes për rajonin, njoftoi Komisioni Evropian me rastin e takimit të sotëm të udhëheqësve në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, deklaroi se ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin e Unionit. Megjithatë, ajo paralajmëroi se kjo dritare mundësie nuk do të jetë e hapur pafundësisht, transmeton Portalb.mk.
“Nëse bëjmë si duhet procesin e zgjerimit, mund ta bashkojmë Evropën tonë, ndërsa Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem shumë e qartë. Ka konsensus të qartë për zgjerim të mëtejshëm tani, nuk ishte në të kaluarën, por dritarja e mundësisë ndoshta nuk do të jetë aty gjithmonë. Mund të emocionohem kur flas për Ballkanin Perëndimor, sepse rajoni është i dashur për mua dhe dua të ndihmoj sa më shumë që të mundem që t’ju çoj drejt vijës së finishit. Reformat kryesore që po ju kërkojmë nuk janë të thjeshta. Ato prekin struktura të rrënjosura të pushtetit dhe interesave dhe kërkojnë një transformim të thellë shoqëror. Ju, udhëheqësit, duhet ta udhëheqni këtë ndryshim. Përfitimet janë të shumëfishta, do t’u sjellë stabilitet, siguri dhe prosperitet të gjithë qytetarëve tuaj. Plani i Rritjes është plotësisht në duart tuaja, nuk ka ndërhyrje nga dinamikat politike. Ky është një mjet që do t’ju ndihmojë me reforma të rëndësishme dhe këto reforma janë të nevojshme për t’ju përgatitur për anëtarësim”, tha Kos.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski tha se vizioni për Ballkanin Perëndimor i cili i afrohet Bashkimit Evropian jo me fjalë, por me vepra. Me reforma. Me rezultate.
Reformat tona nuk janë dekor. Ato janë nevojë. Dhe ne nuk do të presim që dikush të na shtyjë. Do të ecim vetë, me vullnetin tonë, me plan konkret dhe vizion të qartë. Ne japim rezultate, jo sepse dikush na e kërkon, por sepse qytetarët tanë e meritojnë këtë. Do të vazhdojmë t’i ndjekim vlerat evropiane, jo sepse dikush këtë na e kërkon, por sepse kjo është zgjedhja jonë dhe ne besojmë në të. Rruga jonë. Përcaktimi ynë. Dhe për këtë, jemi mirënjohës për mbështetjen nga Komisioni Evropian, por jemi edhe më të vendosur që të ndihmojmë vetveten, t’i zbatojmë reformat dhe ta transformojmë vendin. Me investime. Me punë. Me besim në forcat tona dhe me partneritet me BE-në”, tha Mickoski.
Ndërkohë, ministri për Çështjet Evropiane, Orhan Murtazani, sot ishte nikoqir i Panelit të 2-të në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e rritjes. Paneli, me titullin „Fokusimi në shtyllat e Planit të rritjes“, u zhvillua në praninë e ministrave për Çështje Evropiane nga Ballkani Perëndimor, përfaqësuesve të lartë të Komisionit Evropian, si dhe përfaqësuesve të organizatave rajonale dhe institucioneve ndërkombëtare financiare.
Ministri theksoi rolin esencial të Planit për rritje si katalizator për reformat dhe integrimin evropian, duke potencuar se „rritjen nuk e masim me numra abstrakt, por me faktin që startup-et qëndrojnë këtu, studentët kthehen në vendin e tyre, ndërsa sistemi gjyqësor bëhet funksional”. Gjitashtu njoftoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut e miratoi Agjendën reformuese në muajin gusht të vitit 2024, pas së cilës vijoi mbështetja nga Komiteti për IPA dhe Komisioni Evropian.
“Ne këto hapa nuk i shohim si detyra që thjesht duhet përmbushur, por si harmonizim me identitetin tonë – identitet i cili fuqishëm i përket familjes evropiane,“ theksoi Murtazani.
Paneli u përqendrua në dy tema strategjike: implementimin e agjendave reformuese efikase dhe avancimin e Tregut të përbashkët rajonal. Ministri theksoi se “ky diskutim është mundësi që të shkëmbejmë zgjidhje inovative, iniciativa të përbashkëta dhe ambicie transformuese“. Dhe porositi: “Stabilitet. Unitet. Të ardhme. Këto nuk janë vetëm fjalë, por detyrime që u a kemi borxh qytetarëve tanë.
Kryeministri Kosovës Albin Kurti, gjatë takimit të liderëve ka kërkuar që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Evropian.
Kurti e ka vlerësuar Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e BE-së për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta evropiane.
Në nisje të takimit, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është më pranë Bashkimit Evropian se kurrë.
“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore, do thosha dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër, jemi shumë afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Europian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht”, tha ai.
Liderët e gjashtë partnerëve të BE-së nga Ballkani Perëndimor, në takim me komisioneren e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, sot në Shkup, riafirmuan vendosmërinë e tyre për të shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga Plani i Rritjes për rajonin, njoftoi Komisioni Evropian me rastin e takimit të sotëm të udhëheqësve në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
“Pas një viti avancimi të reformave dhe bashkëpunimit intensiv në fusha të tilla si financat, transporti, lidhja digjitale dhe integrimi i tregut, komisionerja Marta Koss dhe liderët bënë një vlerësim të progresit të bërë deri më tani. Ata gjithashtu konfirmuan vendosmërinë e tyre për t’u takuar rregullisht për të ruajtur vrullin politik në zbatimin e Planit. Udhëheqësit synojnë të takohen përsëri në vjeshtën e këtij viti”, thuhet në deklaratë.
Ajo citon një pjesë të fjalimit të Kos në Samit, sipas të cilit Plani i Rritjes është përshpejtuesi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane.
“Është një element thelbësor për përshpejtimin dhe thellimin e integrimit me BE-në. Vetëm në 20 muaj, ne kemi kaluar nga idetë në rezultate dhe vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë. Në një botë të fragmentuar, zgjerimi mbetet projekti ynë unifikues. I ftoj partnerët të shfrytëzojnë këtë dritare mundësie dhe të dyfishojnë përpjekjet e tyre për reforma. Nga ana ime, unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të ndihmuar partnerët të arrijnë momentet kryesore sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që njerëzit dhe bizneset në rajon të mund të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes edhe para anëtarësimit”, tha Kos.
Komisioni gjithashtu vëren se pjesëmarrësit në Samit ranë dakord të dyfishojnë përpjekjet e tyre për reforma, duke riafirmuar angazhimin e tyre politik dhe duke punuar për të ndërtuar një konsensus të gjerë kombëtar duke miratuar masa kyçe në kohën e duhur, si dhe për të përmirësuar komunikimin dhe transparencën, duke u lejuar qytetarëve dhe bizneseve të shohin përfitimet konkrete të Planit të Rritjes dhe të kuptojnë reformat që ai sjell.
“Në javët e ardhshme, Komisioni do të përfundojë vlerësimin e tij të zbatimit të reformave dhe do të vazhdojë me miratimin e vendimeve për shpërndarjen e këstit të parë”, thuhet në tekst.
Deklarata kujton më tej se Instrumenti i Reformës dhe Rritjes, sipas të cilit partnerët kanë zhvilluar agjenda reformash, është një mjet dhe angazhim i përbashkët ambicioz për të zbatuar më shumë se 600 reforma ambicioze për të cilat BE po ofron 6 miliardë euro mbështetje financiare për periudhën 2024-2027.
“Deri më tani, pagesat e parafinancimit sipas Instrumentit janë bërë për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Komisioni inkurajon Kosovën të përshpejtojë procesin e hyrjes në fuqi të Instrumentit dhe marrëveshjeve të kredisë, me qëllim lirimin e parafinancimit. Komisioni gjithashtu mirëpret miratimin e Draft Agjendës së Reformës nga Bosnja dhe Hercegovina më 27 qershor”, thuhet në deklaratë.
Theksohet më tej se Kos kujtoi në Samit se ky Instrument ka nevojë për lidership dhe pronësi të qëndrueshme dhe të fortë nga udhëheqësit politikë për të siguruar zbatimin e tij të shpejtë dhe të plotë.
“Kjo do të përshpejtojë rritjen e partnerëve tanë dhe do të sigurojë progresin e tyre në rrugën drejt pranimit në BE. Ndërsa rezultatet e disa reformave të rëndësishme janë tashmë të dukshme, partnerët u ftuan gjatë takimit për të përshpejtuar zbatimin e Planit. Komisioni po punon ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të arritur pikërisht këtë”, shtohet në deklaratë.
Komisioni thekson më tej se për përdorimin e fondeve të parafinancimit, i ka propozuar Bordit Operacional të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) një paketë investimi prej 87.7 milionë eurosh, e cila pritet të mobilizojë një total prej 487.3 milionë eurosh për tetë investime të reja në energji të pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Për Maqedoninë e Veriut janë të dedikuara 750 milionë euro.